“Lulzim Basha vazhdon të hedhë natën zjarr dhe ditën kërcënime kundër shkollave, zgjedhjeve, policisë etj. Natën bëhet guerrilas dhe ditën prokuror, ndërkohë që është thjesht një i pandehur i shumëfishtë. Keqardhje për degradimin”.
Është kjo përgjigjia e menjëhershme që ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i dha kreut të opozitës.
Ky i fundit i tregoi sot qëlinë e burgut, pasi sipas tij po dhunon qytetarët dhe po përndjek opozitën, me qëllimin e vetëm për të mbrojtur qeverinë e Ramës.
“Tani dua të them edhe dy fjalë për të gjithë ata që i shërbejnë në mënyrë të verbër Edi Ramës në misionin e tij për të dhunuar qytetarët dhe duke përndjekur opozitën. Edi Rama nuk do t’ju mbrojë dot më. Sandër Lleshaj është sot vegla më e ftohtë dhe e pashpirt e Edi Ramës Në misionin e tij për të dhunuar opozitën, për të luftuar popullin, për të nxitur vëllavrasje, shkëlqen Sandër Lleshaj, që duket i lumtur për shërbimin e tij. Shumë shpejt ai do të mbajë përgjegjësi për helmimin, dhunimin dhe persekutimin, që u ka bërë qytetarëve për të mbrojtur Edi Ramën”, tha Basha./ Opinion.al