TIRANE- Disa herë kemi dëgjuar ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri të ankohet për prokurorinë dhe gjykatat se kanë liruar kriminelët që i ka kapur policia. Sot është radha e Kryeprokurorit.
Adriatik Llalla teksa merrte pjesë në analizën vjetore të prokurorisë në Shkodër tha se pezullimi i hetimeve vjen si pasojë e referimeve pa autor nga ana e policisë.
“Shumë procedime penale janë pezulluar apo edhe nuk kanë nisur fare hetimet, për shkak të mangësive në materialet që policia i referon Prokurorisë, shumica e të cilave janë pa autorë”.
“Të gjitha prokuroritë kanë të përbashkët numrin e lartë të procedimeve të pezulluara ose të mosfilluara. Është e qartë që rastet e pezullimit dhe mosfillimit, kanë të bëjnë me mungesën e zbulimit të autorëve nga agjencitë ligjzbatuese ose nga cilësia e referimeve të veprave penale. Por po e përsëris porosinë që kam përcjellë edhe në analizat e tjera.
Na takon ne si prokurorë për të realizuar koordinimin ndërmjet institucioneve ligjzbatuese, me qëllim që informacioni i tyre të përpunohet në mënyrë të tillë që të shërbejë për ngritje akuzash”, u shpreh Kryeprokurori Llalla.