Policia e Shtetit ka informuar se është bërë i mundur arrestimi i ish-kryeprokurorit Adriatik Llallës, i cili u kap nga autoritetet italiane.
Mësohet se ai është arrestuar me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
“Është bërë i mundur arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Adriatik Llalla, 52 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar me 2 vite burg, për veprën penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjeter që ka detyrim ligjor për deklarim”.
Falë informacioneve të marra nga strukturat e Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e këtij personi, si dhe shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Policisë italiane u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i tij, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë”-njofton policia./Opinion.al