Në kuadër të lirimit të hapësirave publike, bizneset në qendrën e qytetit të Korçës dhe në zonën pedonale kanë nisur zbatimin e urdhrit të Bashkisë.
Konkretisht, të gjitha subjektet që më parë kanë qenë të pajisura me leje të përkohshme për zënien e këtyre hapësirave janë njoftuar për pezullimin e lejeve dhe për detyrimin që, deri më 2 gusht, të lirojnë ambientet që zënë.
Sipas urdhrit bashkisë, duhet të hiqen strukturat e përkohshme si: Konstruksione metalike, tenda, çadra, pedana, vazo dhe elementë të tjerë të ngjashëm.
Në njoftim theksohet se në rast mosrespektimi të afatit, pas datës 2 gusht do të ndërhyjë Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), në bashkëpunim me Policinë Bashkiake.
Ndërkohë, një përfaqësi e bizneseve do të zhvillojë një takim me kryetarin e Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, ku do të kërkohet shtyrja e afatit deri më 15 shtator, për t’u përshtatur gradualisht me ndryshimet e kërkuara.