Gjykata e Apelit e Juridiksioit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi masat e sigurimit “arrest në burg” për Fatjon Bushgjokën dhe Petrit Çakrrin, të dyshuar për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra mbrëmjen e 8 korrikut. Trupi i të riut u gjet një ditë më vonë pranë liqenit të Shkopetit.
Siç raporton gazetarja e Klan News, Glidona Daci, gjatë seancës, avokatët Arber Qehaja, Fred Gjoni dhe Halit Zhuka zhvilluan debate të ashpra me prokurorin Etien Kapo, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të të dyshuarve dhe cilësimin e arrestimit si të paligjshëm.
Gjykata vendosi të lërë në burg të dyshuarit dhe caktoi afat për mbledhjen e provave shtesë.
Sipas hetimeve, të dyshuarit, së bashku me Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj, e ndoqën të riun nga qyteti i Burrelit, e dhunuan, e mbytën me litar dhe tentuan ta fshehin duke hedhur trupin dhe automjetin e tij në liqen.