Kombëtarja shqiptare do të rikthehet në fushën e lojës më 7 shtator.
Pas eksperiencës së dytë në Kampionatin Europian, Kombëtarja shqiptare do të fokusohet te ndeshjet e Ligës së Kombeve, eveniment i cili nis në shtator.
Kuqezinjtë marrin përsëri pjesë në Ligën B, ku janë vendosur në një grup me Ukrainën, Çekinë dhe Gjeorgjinë.
Sipas kalendarit të përcaktuar nga UEFA, më 7 Shtator, kuqezinjtë e teknikut Sylvinho do të përballen me Ukrainën. UEFA ka vendosur që ky takim të luhet në Çeki në stadiumin “Epet Arena” të Pragës, duke nisur nga ora 20:45.
Tre ditë më pas, më 10 shtator, kuqezinjtë do të presin Gjeorgjinë në shtëpinë kuqezi, në stadiumin kombëtar “Air Albania”. Kjo sfidë është planifikuar të luhet në ora 20:45.
Në muajin tetor, kombëtarja shqiptare do të zhvillojë dy ndeshjet e radhës në UEFA Nations League, ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë në transfertë. UEFA ka përcaktuar edhe stadiumet se ku do të luhen këto dy takime.
Ndeshja Çeki – Shqipëri do të zhvillohet në stadiumin “Epet Arena”, më datë 11 Tetor, në ora 20:45.
Ndërsa sfida Gjeorgji – Shqipëri e programuar për t’u luajtur më 14 Tetor do të zhvillohet në stadiumin “Mikheil Meskhi I Stadium” në Tbilisi të Gjeorgjisë. Ndeshja do të startojë në ora 18:00.
Dy ndeshjet e fundit të UEFA Nations League në grupin B1 kuqezinjtë do t’i luajnë në shtëpi në stadiumin “Air Albania”.
Sfida Shqipëri – Çeki do të luhet më 16 Nëntor, në ora 20:45, ndërsa takimi Shqipëri – Ukrainë do të zhvillohet më 19 Nëntor, në ora 20:45.