Nga Basir Çollaku
Ish-agjenti i Antidrogës në Drejtorinë e Policisë Fier, Antonio Nazeraj në pjesën e dytë të intervistës dhënë për “Gazeta Shqiptare” tregon vijimin e situatës së vështirë që hasi pas denoncimit të Habilajve duke bërë një denoncim “bombë”. Ai rrëfen se si ua shpërndanin shefat e policisë trafikantëve farën e kanabisit duke përfituar 30% si dhe jetën e tij të re….
Por, ju vazhduat punën nuk u larguat, por u arrestuat?
Unë nuk e kam lënë detyrën, madje eprorit tim i kisha thënë se do të qëndroj në detyrë dhe nuk e lë asnjë sekondë punën, që kam dhe më tha bëjë për familjen, nëse nuk e bën për vete, pasi ai kishte shumë informacion për këto grupe kriminale dhe trysninë që ushtrohej ndaj tij nga lart.
Dhe me 17 korrik jeni arrestuar?
Këtë detyrë nuk e kam lënë deri me datë 17 korrik. Më herët, diku në fund të muajit qershor, kam pasur një takim me një prokuror.
Përse ju kishte thirrur?
Më ka marrë oficeri i SHKB në telefon dhe më ka thënë se ka lënë një takim prokurori me ty. Vajta dhe poshtë prokurorisë po më priste shefi i SHKB, Melsi, i cili erdhi pas meje kur u ngjita në zyrën e prokurorit. Prokurori i kërkoi të dilte nga zyra se do merrte deklarimin tim, ndërsa Melsi nuk pranonte të dilte dhe thoshte se nuk dal, do të dëgjoj se çfarë deklarimi do të marrësh. Pati një debat mes prokurorit dhe shefit të SHKB, sepse kur më ka pyetur prokurori dhe më ka thënë se, përse e kisha lënë detyrën, pasi sipas tij unë nuk shërbeja më në Policinë e Shtetit. I them që jam ende në detyrë dhe po vij nga puna në Lushnjë drejt në prokurori. Prokurori debatoi me Melsin ku i tha se më ke sjellë informacione të rreme
Sipas SHKB?
Sipas SHKB, tha prokurori, unë kisha lënë detyrën në polici dhe i isha shmangur një hetimi. Detaji tjetër ishte kur prokurori ka pyetur mua dhe shefin e SHKB, ku isha në punë kur flitej për një kontroll automjeti, i kam thënë se kam qenë oficer antidrogë dhe jo qarkullimi që kisha bërë kontrollin e një automjeti për patentë.
Ju pranuat që ai të qëndronte aty?
Ai nuk dëgjonte të dilte nga zyra, me sa kuptova e kishte porosi nga shefat e tij. Më tha prokurori nëse mund të qëndrojë. I përgjigjem se këtë nuk e di unë, por ju. Atëherë më tha se do të të thërras një ditë tjetër për të të marrë një deklarim. Pastaj jam larguar për në punë.
Dhe kur ju ndaluan?
Më kanë ndaluar me datë 16 korrik 2014. mes datës 16 dhe 17 në mesnatë. Kur lashë detyrën në orën 16 më morën në telefon dhe më thanë se duhet të vish në Komisariatin e Fierit. Dhe aty rreth orës 22 të darkës më kanë arrestuar
Përse ju kanë arrestuar, cila ishte akuza ndaj jush?
Më kanë akuzuar me pretendimin, akuzën e korrupsionit pasiv, sepse pretendonin se unë si oficer, bashkë me dy agjentët e mi, kishim kontrolluar një automjet në fshatin Qarr dhe, sipas akuzës, ne i kemi bërë kontroll këtij personi, duke i bërë favor dhe e lënë të lirë, ndonëse ai nuk dispononte patentë dhe ne, sipas akuzës, kemi përfituar 80 mijë lekë të vjetra të tre së bashku.
Dhe ju e latë?
Ne për këtë person kemi marrë sallën operative dhe ata na kanë thënë se këtij personi patentën ia ka bllokuar zyra e trafiqeve, sepse ishte kontingjent për trafik femrash dhe fëmijësh dhe firmoste një herë në javë në Drejtorinë e Policisë Fier, ishte me detyrim paraqitjeje. Kam pasur informacionin se ky njeri ishte informato i SHKB dhe të gjithë këto veprime e akuza janë gatuar nga oficerët e SHKB. Kemi pasur edhe raste të tjera kur na janë ankuar persona, të cilët janë kërcënuar nga oficerët e SHKB, që të sajonin akuza ndaj nesh.
Shkuat në burg?
Kur kam dalë në gjyq dhe gjykata më ka njohur me masën e arrestit me burg, jam habitur, ndonëse e mora vesh mirë se si u sajua, atëherë i thashë avokatit të paktën të më dërgojnë në një burg, ku të kem siguri për jetën.
Ku të dërguan?
Më dërguan në burgun e Rrogozhinës. Kur e kam pyetur avokatin dhe i thashë të paktën të më dërgojnë në një burg ku të ketë siguri, të mos më dërgojnë në një burg ku ishin të arrestuarit e mi, sepse kisha tetë vjet në zyrën e antidrogës, dhe të shumtën e të arrestuarve unë i kisha në Rrogozhinë dhe në Peqin. Avokati më ka thënë se ka pasur një telefonatë të fuqishme ndaj prokurorit të rrethit për ty dhe nuk e marrin mundimin as prokuroria as gjykata se ka pasur kërcënime nga krerët e lartë të Ministrisë së Brendshme për ty.
Çfarë i kishin kërkuar prokurorit dhe kush i kishte telefonuar?
Me sa informacion mora nga avokati, më tha se është një telefonatë shumë e fuqishme, telefonatë e tillë ose nga drejtori i Përgjithshëm ose nga ministri të bëra prokurorit të rrethit për burgosjen time.
Ishit i pasigurtë edhe në burg?
Kur kam shkuar në Rrogozhinë, ka ardhur drejtori i burgut, pas një ore ku kam qëndruar në hyrjen e ambientit të burgut dhe më ka thënë se ke punuar oficer me Antidrogën, po, i përgjigjem. Më thotë se është e pamundur që ne të mbrojmë dhe mbajmë këtu, sepse jemi jashtë mundësive tona, sepse të burgosurit ka dy ditë që e kanë marrë vesh ardhjen tënde dhe janë duke bërë festë për ty… një festë e madhe dhe po të presin me dashuri… Ne e kemi të pamundur të të sigurojmë, më tha, ndaj do të flas me drejtorin e Përgjithshëm që të të transferojë në një burg tjetër, pasi, ne si polici e burgut, nuk e garantojmë sigurinë tënde fizike
Pastaj?
Ka folur me drejtorin e Përgjithshëm dhe pastaj më kanë dërguar në burgun e sigurisë së lartë në Peqin
Po aty ishit më i sigurtë?
Edhe aty ka pasur shumë nga personat që ne kishim arrestuar, që vuanin dënimin në atë burg. Më kanë çuar në një qeli, ku ishin dhe dy të tjerë, njëri prej të cilëve ishte i dënuar për dy vrasje dhe aty më kanë kërcënuar të dënuar për trafik dhe të bandave për të cilat ne po flasim. Nuk më linin të dilja në ajrim dhe kam qëndruar gjashtë muaj në qeli, sepse kisha frikë dhe policët nuk më siguronin dot, nuk jam lejuar prej tyre që të dal, nuk më jepnin siguri. Në dy raste kishte dhe policë që mbanin respekt ndaj policit dhe si ish- koleg dhe në dy raste persona me burgim të përjetshëm më janë futur në qeli, por ndërhyrja e policisë bëri që të largoheshin. Këto persona e dinin se kush isha unë dhe shanin oficerët e Antidrogës dhe në këto momente kanë ardhur policët e burgut duke shmangur incidentin.
Pas katër muajsh sërish Melsi në qeli?
Po, ka ardhur për të më komunikuar akuzën. Më erdhi me një copë letër dhe më ka thënë se duhet të firmosësh këtë procesverbal pasi nuk e kam me vete dosjen hetimore që të njihesh me aktet, procesverbalet dhe aktet e dosjes hetimore.
Nëse do ta firmosje ok, nëse jo, atëherë do të presësh dy vjet apo më shumë, më tha duhet të firmosësh ose të presësh
S’ju kish marrë në pyetje prokuroria?
Jo s’ më ka ardhur ndonjë prokuror. Vetëm ditën e dytë, kur jam ndaluar, që më ka marrë deklarimin e parë, dhe më tej asgjë. Pas katër muajsh shefi i ShKB-së, ku kam firmosur një letër bakalli dhe kam firmosur duke pranuar se janë mbyllur hetimet dhe në të thuhej se s’ka fakte të tjera dhe unë s’jam njohur me asgjë nga dosja, asnjë akt apo procesverbal dhe vetëm me një takim.
Pastaj u liruat?
Pastaj më liruan me shërbim prove. E dija se ishte lojë. Isha i pafuqishëm, kam pasur kundra qeverinë, një shtet kundër, më ka thënë dhe avokati që puna jote që ke bërë ka ndikuar në burgosjen tënde, nuk e dimë ku ke goditur ndonjë njeri të pushtetit, nuk shoh asnjë provë dhe nuk e di se për çfarë je burgosur. Nuk ka asnjë fakt dhe asnjë provë
Pastaj u larguat?
Po vendosa të largohem jashtë shtetit me familjen time, sepse e kisha të pamundur qëndrimin, pasi kisha kanosje të vazhdueshëm për vete dhe familjen.
Për denoncim kaq i vonuar?
Duke parë dhe situatën në Shqipëri kam dashur që familjarët e mi të ishin më të sigurte, edhe ata janë të rrezikuar.
Ia keni thënë prokurorisë këto rreziqe?
Jo, asnjë prokurori dhe asnjë polici, sepse nga informacionet e mia, këta kanë qenë kokë e këmbë të lidhur me krimin
Fieri një zonë e nxehtë?
Po. Fieri një vatër e nxehtë për trafikun e drogës si kanabis ashtu dhe heroinën dhe kokainën, heroina që vinte nga Afganistani.
Po nuk nisi në 2013?
Jo, por me ndërrimin e pushteteve këto trafikantë u bënë njësh me eprorët e policisë dhe Ministrisë së Brendshme.
Më keni thënë më herët, se më herët nuk jeni tradhtuar nga eproret?
Jo asnjëherë, nuk kemi pasur këto probleme aspak, ndonëse vështirësi ka pasur jo pak, se antidroga nuk ka punë të lehtë. Ndërrimi i pushteteve, këta trafikantë të drogës bashkëpunonin dhe bënin takime me krerë të lartë të Policisë së Shtetit, ku ndanin eurot, ndanin parcelat, ndanin…
Të lutem, Nazeraj, ju thoni që trafikantët e drogës dhe krerët e bandave bënin takime periodike mes tyre?
Po. Bënin takime këto grupe trafikantësh, këtë banda që operonin në trafikun e drogës, bënin takime periodike me eprorë të Policisë së Shtetit, kundrejt pagesave dhe shpërblimeve…
Kemi një bord të mafias që mblidhet një herë në muaj, në javë, apo…?
Ka qenë një bord i mafias, pothuaj e quaj unë me eprorët e Policisë së Shtetit dhe trafikantëve të drogës.
Sa takime periodike bënin në javë, muaj apo…?
Në dijeninë time këto mblidheshin një herë në muaj.
Dhe ku mblidheshin?
Kishin vende të veçanta që mblidheshin, nëpër hotele, restorante, me aq informacion që kisha unë.
Çfarë bënin, përse takoheshin?
Këta ndanin detyra dhe linin detyra, krimi merrte detyrat, që u linin këta krerët e lartë të policisë, ndanin edhe pjesën e tepsisë më saktë, se sa ishte gjoba, sepse kjo ishte pothuajse një gjobë kundrejt trafikantëve të drogës, ishte edhe gjobë edhe ndarje detyrash mes tyre, ndarja e detyrave dhe hapja e rrugës për trafikun e drogës.
Me çfarë trafikohej?
Me skafe, me avionë të vegjël sportivë, pasi ne kemi pasur informacione për këtë që në gusht të vitit 2013, që nisën këto avionët sportivë, sipas informacioneve që kishim ne të transportonin drogë nga Divjaka drejt brigjeve të Italisë. Indiciet e para për trafik me avionë ne i patëm në gusht të vitit 2013, pastaj filloi të shtohej më tepër, si në skafe, ashtu dhe në avionët e vegjël sportivë.
Kryesisht kanabis apo edhe lëndë të tjera narkotike të shtrenjta?
Kryesisht kanabis, por sigurisht edhe lëndë të tjera narkotike, droga të shtrenjta.
Do i rikthehem këtij takimi të bordit të mafias, si funksiononte skema, sa merrnin pagesë policia, për parcela për rrënjë, si veprohej, sipas informacioneve që ju kishit?
Ka pasur shpërblime siç e përmenda për hapjen e rrugëve të trafikut të drogës me skaf dhe avionë të vegjël, por që filloi edhe kultivimi i kanabisit, në masë të gjerë dhe sipas informacioneve që kam pasur unë. Farën e binin direkt eprorët e Policisë së Shtetit dhe u ndanin trafikantëve. Ishte fara direkt, nga eprorët e policisë së shtetit dhe ju ndahej trafikantëve të zonës.
Po drejtuesit e policisë lokale?
Tani, aty nuk bëhej fjalë për policë se ata nuk kishin mundësi të ngrinin krye. Po e përsëris kjo bëhej nga eprorë të lartë të Policisë së Shtetit, zinxhiri i policisë, nga qendra dhe kjo farë pastaj ndahej për trafikantët dhe kultivuesit e lëndëve narkotike
Në këto takime periodike bëhej edhe shpërndarja e bazë mallit..?
Behej madje sipas informacioneve, që kisha, u shisnin edhe farën, shefa komisariatesh, apo drejtorë qarqesh u shisnin edhe farën këtyre trafikantëve, u merrnin edhe përqindjet, diçka te 30 përqind dhe pastaj kishin edhe shitjen edhe transportin e kanabisit që ua merrnin trafikantëve dhe u hapnin rrugë për trafikimin në vende si Italia dhe Greqia. Kjo vazhdonte nga fara, kultivimi, dhe trafikimi, ka qenë krejtësisht një organizatë, e mirëstrukturuar që fillonte nga krerët e lartë të Policisë së Shtetit, te trafikantët
Me bekim nga lart dhe e shtrirë në gjithë qarkun?
Kjo me sa informacion kam unë, kjo skemë u hap në gjithë territorin e Shqipërisë
Ata ishin të sigurtë?
Patjetër, se atyre s’mund t’u japë një inspektor zone t’u dalë zot gjithë atyre parcelave, nuk ishin 5 dhjetë apo 20 rrënjë, s’mund të lërë parcela pa fund.
Përveç këtij grupi të Habilajve ka pasur dhe të tjera?
Ka pasur në qarkun tonë grup të tjerra të strukturuara kriminale, që ushtronin aktivitetin ne qarkun tonë dhe më tej kryesisht dhe të heroinës dhe të kokainës.
Grupet e tjera në Fier, Vlorë?
Kishte grupe kriminale që kanë vazhduar gjatë gjithë kohës, ka pasur vullnet e dëshirë për t’i luftuar gjatë gjithë kohës.
Sa grupe te strukturuara kriminale kishte sipas infove tuaja në këtë zonë?
Në qarkun e Fierit janë të paktën katër grupe kriminale që kanë operuar në fushën e narkotikëve, heroinës dhe kokainës, që bënin trafikimin në Greqi dhe Itali si dhe kanabis. Heroina vinte nga Stambolli nga Turqia, por me prejardhje nga Afganistani që më pas trafikohej në Greqi, si dhe kokaina.
Kishin mbrojtje pushtetit?
Në ato vite që kam punuar të them të drejtën nuk e kam ndjerë asnjëherë veten të kërcënuar nga shteti para 2013, por më pas krerët e policisë dhe Ministrisë së Brendshme u bënë njësh me bordin e mafias. Këta kishin shumë mbështetje politike. Këta vendosnin dhe emëronin dhe oficerët, shefa policie, drejtorë policie, në rrethe të ndryshme, apo oficerë në drejtori policie, që i vendosnin, ata bandat vendosnin.
Ky bord bënte dhe emërimet?
Bënte dhe emërime në policinë e shtetit, që kurrë s’kishte ndodhur
Kanë mbështetur politikanë këto grupe?
Këto grupe kriminale kanë pasur goxha mbështetje dhe u bënë shumë të fuqishëm në muajt në vijim.
Heroina dhe kokaina një problem i madh, cilat linja funksiononin?
Ne kemi pasur në hetim gjatë atyre viteve të drogës që vinte nga Turqia dhe kokaina nga Brazili, ku ka pasur eksponentë të njohur në fushën e heroinës, kishim një grup kriminal që sillte kokainën nga Amerika Latine, nga Brazili, nëpërmjet kamionëve të vegjël, që përdoreshin kryesisht për pulat e ngrira.
Kishte një biznes që e mbulonte këtë trafik?
Po ka pasur një biznes, ka pasur disa biznese qe mbulonin trafikun e kokainës nga Brazili në Shqipëri, disa subjekte, ka qenë një bord, një grupim, që ndanin pjesët me përqindje, dhe bënin llogaritë e shitjes së kokainës.
Vinte nga Brazili për ku?
Destinacioni i kokainës në shumë raste, marr shembull një grup, zhdoganonte në Mal të Zi, pastaj futej në Shqipëri, në Veri të Shqipërisë dhe më pas vinte në Fier dhe shpërndahej në vende të ndryshme.
Fieri si magazinë?
Le të themi se ka qenë një laborator i kokainës. Nga infot që ne kemi ndjekur kjo bandë e trafikut të kokainës e mbulonte me shitjen e pulave të ardhura nga Brazili. Kemi pasur në ndjekje një tjetër biznes, biznes i ujit të pijshëm në Jug të vendit. Dhe ky e mbulonte këtë biznes dhe merrej me trafikun e heroinës nga Afganistani në Shqipëri, më pas transportonte në Greqi.
Përse si arrestonit këto?
Kanë qenë gjithnjë në hetim, por vitin e fundit ishte e pamundur të vepronin, kishim një operacion konkret me arrestime.
Ka një episod për t’ju korruptuar?
Kemi sekuestruar dhe ndaluar mjetin dhe ofruar 50 mijë euro t’i linim të lirë dhe dhjetë mijë euro që mos t’i linim të lirë.
Dhe ne e dërguam në burg. Kemi bërë sekuestrimin e heroinës, janë bërë veprime hetimore, ishte një grup shumë i strukturuar kriminal që doli më pas nga transkriptimet, por me terrorin e muajve të fundit nga SHKB, dhe eprorët e Policisë së Shtetit ishte e pamundur të hetojë këto grupe kriminale, pasi kishte dhe dhjetë persona të tjerë grupesh kriminale në trafik me destinacion Athinën, kishte persona të tjerë nga Fieri, Berati, Mallakastra në këtë grup kriminal. Por pjesa e krerëve të policisë, gjykatës dhe prokurorisë kanë paguar shuma të mëdha parash dhe ky hetim pastaj ngeli, isha në ditët e fundit, kur jam transferuar në Lushnjë.
Ka ardhur një zyrtar nga Amerika Latine, një trafikant?
Gjatë hetimit që kemi pasur për një trafik droge kokainë, që vinte nga Brazili në këtë episod ishte përfshirë dhe një shtetas nga Amerika Latine, nga Kili apo Brazili, më duket një ish-ministër, i cili ishte përfshirë në trafik droge dhe erdhi në Fier pasi ka pasur një ftesë nga ish-kryetari bashkisë në atë kohë, për planin e rregullimit të qytetit të Fierit, sipas informacionit që morëm në bashki, por, sipas hetimit tonë, ishte i përfshirë në trafikun e kokainës që vinte nga Brazili në Shqipëri dhe në Fier. Ky person ka pas bashkëpunim me disa persona që ne kemi pasur në hetim për trafikun e kokainës si dhe një grup kriminal të mirorganizuar në qytetin e Vlorës.
Një tjetër zyrtar që më shumë bënte mbledhje partie se policie?
Po në atë kohë më kujtohet se ish- nëndrejtori i policisë është munduar të fshehë një dosje kontingjenti të një ish- funksionari të lartë të partisë në pushtet, ishte nipi funksionari të lartë, ky nëndrejtor ishte një njeri shërbimesh në kohën e diktaturës.
Grupe të mëdha biznesi në kokainë heroinë, kishte vrasje, gjoba?
Pengmarrje e vrasje ka pasur, por këta, kohë pas kohe, kanë korruptuar gjykatën dhe policinë, por dhe krerët e lartë të Policisë së Shtetit
Gjykatës e prokuror të korruptuar?
Gjykata dhe prokuroria pjesë e sistemit të korruptuar.
Mos e bëjmë teorike, ju ka qëlluar konkretisht?
Po, jemi hasur, por edhe me emra nuk mund t’i themi të gjithë, pasi tetë vite kemi pasur info goxha se si korruptoheshin, duke parë dhe vendimet e gjykatës që me gjithë provat tona ata dilnin pa lagur.
Nëse drejtësia funksionon, ju do ia përcillnit këtë rrëfim asaj?
Po, patjetër. Nëse do të funksiononte do të isha i gatshme t’ia përcillja këto informacione, dhe informacione të tjera.
Aktualisht ku gjendeni?
Unë gjendem në një shtet të Bashkimit Evropian ku kam kërkuar strehim dhe mbrojtje për familjen time.
Kjo që ju thoni është e provueshme?
Po, është e provueshme, sepse këto gjëra kanë ndodhur dhe me këto persona unë përballem në çdo kohë.
Pas zgjedhjeve si reagonin këto grupe kriminale?
Me sa me kujtohet ka pas takime të ndryshme, nga ish-kreu i Partisë Socialiste sot kryeministër, me disa trafikantë, në një hotel në Tiranë, nga gjitha rrethet e vendit, por mes tyre kanë qenë dhe persona me precedentë penalë nga qarku i Fierit
Ju nga e morët vesh?
Po ne ngaqë ndiqnim trafikantët nga qarku ynë kishim goxha të dhëna, nga trafikantët apo njerëzit afërt të tyre, kish mbledhur për t’i falënderuar pas zgjedhjeve parlamentare dhe për t’u lënë detyra të mëtejshme. Në një moment hyn një insekt që zhurmoi aty dhe në atë moment kryeministri ka thënë pushoni se po na ndjeke, na përgjon amerikani… e kanë qeshur bashkërisht… personi ka qenë njëri nga të afërmit e trafikantëve./Gazeta Shqiptare