Bota

Libri i Princit Harry rekord shitjesh në Mbretërinë e Bashkuar



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 09:29 - 11/01/23 |
Opi Nion

Libri i kujtimeve i Princit Harry, i titulluar “Spare”, u bë libri më i shitur ndonjëherë në Mbretërinë e Bashkuar, tha botuesi i librit.

Libri u publikua të martën pas disa ditësh intervista televizive të Harryt, dhe një versioni të publikuar gabimisht të memoarit ku u zbuluan informacione intime rreth familjes mbretërore britanike.

Libri i Harryt ka tërhequr vëmendjen në mbarë botën, pasi aty ka zbuluar betejat e tij personale dhe akuzat lidhur me anëtarët e tjerë të familjes mbretërore, përfshirë edhe për babanë e tij, Mbretin Charles, njerkën Camilla dhe vëllain e tij të madh, Princin William.

“Ne e dinim se ky libër do të fluturonte, por po i tejkalon edhe pritjet tona më të mëdha”, tha përmes një deklarate, Larry Finlay, drejtor menaxhues në Transworld Penguin Random House.

“Sipas informacioneve tona, të vetmet libra që janë shitur më shumë në ditën e parë kanë qenë ata për Harry tjetër [Potter]”, shtoi ai.

Botuesi i librit tha se janë shitur 400.000 kopje në ditën e parë.

Libri “Spare” ofron zbulime të fundit të bëra nga Harry dhe gruaja e tij Meghan, që kur ata u larguan nga detyrat mbretërore më 2020 dhe u transferuan në Kaliforni për të krijuar një jetë të re. Publikimi i librit pason dokumentarin e Netflix për Princin Harry.

Familja mbretërore nuk ka komentuar lidhur me librin dhe nuk pritet që të bëjë një gjë të tillë.

Versioni në gjuhën spanjolle i librit doli në shtije gabimisht javën e kaluar në disa librari të Spanjës.

Në libër, Harry ka folur për jetën e tij pas vdekjes së nënës Princeshës Diana kur ai ishte vetëm 12 vjeç, për konsumimin e kokainës dhe drogave të tjera për të përballuar këtë humbje dhe se si ai vrau 25 luftëtarë talibanë në kohën kur shërbeu si ushtar në Afganistan.

Në libër ai po ashtu ka treguar për një zënkë me vëllain e tij, William, trashëgimtarin e fronit, duke thënë se William e kishte rrëzuar atë, dhe se si të dy i ishin lutur babait të tij që të mos martohej me Camillën.

Në intervistat para daljes në shitje të librit, Harry ka dyfishuar akuzat e tij për disa anëtarë të familjes mbretërore, përfshirë Camilla dhe William, që zbuluan informacione për gazeta e të cilat ai tha se kanë dëmtuar atë dhe gruan e tij Meghan. Publikimi i këtyre informacioneve, sipas Harry, u bë që anëtarët e familjes mbretërore të mbronin veten dhe të rrisnin reputacionin e tyre.

“Mendoj se ajo [nëna e tij Diana] do të ishte zemërthyer lidhur me faktin që William, zyra e tij, ishin pjesë e këtyre lajmeve”, tha ai për Good Morning America.

Ndërkaq, për programin 60 mintues të CBS, Harry tha se Camilla ka pasur një reputacion të keq te tabloidet dhe ka pasur nevojë që ta rregullojë imazhin e saj, gjë që, sipas tij, e bëri atë “të rrezikshme”./REL

 

Pas