Deputetja e “Libra-s”, Mimoza Afizi në një intervistë për emisionin “45 minuta” të gazetarit Denis Minga në Report Tv është shprehur se edhe pse janë një parti opozitare nuk do të marrin pjesë në protestën e 18 shkurtit të organizuar nga Partia Demokratike.
Hafizi deklaroi se kauza për një protestë ekziston por mbartësit e saj nuk janë të duhurit pasi ata po kundërshtojnë qeverinë për ato mangësi që i patën edhe vetë.Bashkëthemeluesja e Libra-s tha se procesi elektronik i votimit për kreun e kësaj partie rezultoi i suksesshëm dhe theksoi se edhe për zgjedhjet e 18 qershorit së paku numërimi elektronik është i arritshëm.
Sa i përket koalicioneve parazgjedhore Hafizi deklaroi se forca që ajo përfaqëson në ADN-në e krijimit të saj nuk ka asgjë të përbashkët më klasën politike shqiptare, megjithatë theksoi se i takon kryesisë të marrë vendime të argumentuara nëse do të bashkëpunojnë me PS, PD, LSI apo parti të tjera.
Keni zgjedhur Ben Blushin si kryetar të Partisë Libra, si ishte procesi?
Kemi zgjedhur kryetarin edhe bërthamën që përbëhet nga 30 anëtarë, 15 burra dhe gra, ashtu siç e përcakton statuti. Zgjedhjet janë bërë në mënyrë të drejtpërdrejtë. E gjithë anëtarësia e Libra-s votoi për kryetarin. Votimi ishte elektronik dhe u realizuar përmes një kompanie të huaj. Ne kemi votuar me emal, më ka ardhur linku dhe kam zgjedhur 30 prej tyre nga 48 propozime për bërthamën. Pasi u mbyll votimi doli rezultati për pak sekonda.
Sa person votuan në këtë formë?
Votuan rreth 52% e anëtarësisë. Votimi ishte korrekt dhe një nga problemet ishte që anëtarët ende nuk ishin akomoduar me këtë formë të re.
52% më duket pak, kjo erdhi për shkak të kësaj formule apo nuk pati entuziazëm, si e cilësoni?
Jam munduar të kontaktoj arsyen e rezultatit, mund të jetë edhe se sa ishim ne të aftë të sensibilizojmë anëtarësinë por edhe mund të ketë pasur nga ata akoma të pa akomoduar nga kjo mënyrë votimi. Është edhe rezistenca shqiptare për të mos votuar. Një pjesë e anëtarësisë e kishin lënë për në momentin e fundit. Një inerci dhe neglizhencë që nuk u shmang dot.
A keni një indice që ky proces sido që të ishte ka vështirësi edhe për përdorimin e internetit, pasi ka qytetarë që nuk janë rehat me teknologjinë?
Mënyra jonë është e ndryshme nga ajo që propozohet për votimin elektronik. Mënyra që kemi përdorur ne është e përshtatshme për paritë politike që ka numër më të vogël votuesish. Votimi me email ndoshta duhet rishikuar. Për partinë tonë ishte mënyra më e mirë për të garantuar një votim të ndershëm, të thjeshtë e të pagjurmueshëm. Në rastin e zgjedhjeve në Shqipëri numërimi elektronik është i realizueshëm. Nga pikëpamja teknologjike nuk ka asnjë problem. Problemi është tek votuesi nëse ai e përballon një sistem të tillë votimi. Në ndryshim nga numërimi votimi është një risi për votuesin.
Qëndrimi juaj si Libra është që në këto zgjedhje të implementohet numërimi elektronik?
Ne kërkojmë që të bëhet numërimi elektronik sepse është i realizueshëm dhe fare i thjeshtë. Ne nuk jemi kundër votimit elektronik por janë specialistët që duhet ta japin fjalën. Nuk gjej asnjë argument qw numërimi elektronik të mos implementohet me 18 qershor. Forcat e mëdha nuk duan të ndryshojë kjo dhe bëjnë lodra me komisionin e reformës zgjedhore.
Me shumë gjasa pikat thelbësore të kodit nuk do të preken, si depolitizomi i komisioneve, listat e hapura apo numërimi, jeni të përgatitur për të ruajtur votën?
Kur krijuan Libra-n e kishin parasysh se zgjedhjet dhe sistemi zgjedhor nuk do të prekej, fakti në ndryshon kodi nuk e zbeh kandidimin tonë. Po përgatitemi që të kemi përfaqësuesit tonë në çdo kuti votimi.
Do garoni në 12 qarqe?
Sigurisht që do garojmë në 12 qarqe.
Do të jeni të vetëm në zgjedhje?
Ne nuk kemi marrë asnjë vendim. Në ADN-në tonë të krijimit është se ne jemi një parti kundër kësaj klase politike. Ne përjashtojmë çdo koalicion me këto parti politike, megjithatë ky vendim i përket anëtarësisë.
Nëse anëtarësia voton një koalicion me një nga 3 partitë PS, PD, LSI ju bini dakord?
Nëse ka një kërkesë për të hyrë në një koalicion kjo do duhet të argumentohet, por ne nuk kemi asnjë gjë të përbashkët me partitë në parlament.
Po me partë jashtë parlamentit?
Nuk kemi kristalizuar ide për tu bashkuar me forca jashtë parlamentit dhe sigurisht në ditët që vijnë mund të ketë zhvillime. Shqiptarët na shohin si klasë politike kundër këtij sistemi dhe këtë përfaqësojmë, një model të ri politik. Ne nuk kemi asgjë të përbashkët në vizon me këto parti.
Si qëndron Libra në Shkodër duke marrë parasysh që Shkodra është një nga të vetmet qarqe që nuk ka dominim të një partie?
Në 5 bashkitë e Shkodrës janë ngritur bërthamat e Libra-s . Libra është forcë e re dhe një freski në mjedisin politik shqiptar. Një fytyrë shumë të bukur ka marrë edhe në Shkodër. Ka burra dhe gra që mbështesin këtë forcë. Është ngritur një zyrë ku secili me forcat e veta kontribuon. Kjo parti financohet nga anëtarët. Gjithçka është vullnetare dhe bëhet me zemër.
Ju vetë do kandidoni në Shkodër?
Shkodra dhe Tirana janë qytet e mia, në Shkodër kam lindur ndërsa në Tiranë jam rritur. Mandati i parë më çoi në Shkodër dhe kisha një ëndërr për atë qytet që është më shumë vlera dhe histori. Që në muajt e parë të mandatit jam penguar të ushtroj detyrën time në Shkodër. Jam munduar maksimalisht të zgjedh problemet e elektoratit por ishte e pamundur sepse gjithçka ka funksionuar mbrapsht. Nuk jam ndjerë mirë përgjatë këtij 4-vjeçari sepse dola me fytyrën time para shkodranëve. Në 2013 ishte entuziaste dhe kam dalë me besim e idealizëm që do të mbaja premtimet por që në muajt e parë e kisha të pamundur të realizoja premtimet, jam ndjerë shumë keq para shkodranëve dhe ndoshta edhe kjo ndjenjë fajësie më drejtoi te Libra. Doja të bëja një lëvizja për t’iu treguar atyre qytetarëve se ka mënyra të tjera për të ndryshuar realitetin. Nuk e kemi vendosur por Shkodra dhe Tirana janë për mua shumë të barabarta. Do ta shohim se di do të jetë më e përshtatshme . Besoj se Shkodra ka shumë rini dhe intelektualë që mund ta përfaqësojnë në parlament.
PD ka një protestë shumë shpejt, a ka kauzë dhe nëse po, do t’i bashkoheni?
Çdo forcë opozitare ka një kauzë shumë të madhe për t’iu kundërvënë qeverisë. PD objektivat për të cilat ngrihet duhet ti realizonte më parë vetë. Kauza ekziston në ajër por mbartësit e saj nuk janë të duhurit. Ne jemi opozitë por nuk do të jemi pjesë e kësaj proteste.
Përplasja mes prokurorit dhe ambasadorit, në një sondazh të bërë nga ne rezulton se qytetarët mbi 90% janë me ambasadorin, kush ka të drejtë Lu apo prokurori?
Ne kemi mbështetur reformën në drejtësi se është inkurajuar nga ndërkombëtarët por klasa politike ka dështuar për t’i dhënë shoqërisë drejtësi. Kjo klasë politike nuk e ka vullnetin t’i kundërvihet ndërkombëtarëve. Unë besoj se edhe faktori ndërkombëtar, SHBA dhe BE janë koshientë që reforma në drejtësi do të pengohet nga qeveria, opozita dhe forcat e tjera sepse kjo reformë shkon kundër interesave te tyre. Kjo që ndodhi është vetëm shprehje e një rezistence.
Kush e bën këtë rezistencë?
Nuk dua të hy në detaje se nuk ia vlejnë. Kjo që ndodhi është një ngjarje e parashikueshme sepse përderisa ne u detyruam të impononim një reforme të drejtuar nga ndërkombëtarët sistemi do reagojë.
Ju keni mbështetur reformën po a keni pasur negociata me ndërkombëtarët për votën?
Nuk pasur nevojë unë kam qenë nga të parat që kam votuar dhe nuk ka pasur asnjë here hezitim.
Kemi një kujtim të mirë nga PS apo Rama ka bërë vetëm gabime?
Nuk është momenti për kujtime. Ne jemi në betejë politike.
Kjo betejë politike do të jetë më e ashpër ndaj PD, PS apo LSI? Çfarë fushate do të bëni?
Ne nuk kemi bërë mitingje të mëdha po kemi takuar njerëz. Para pak ditësh më ftuan në Lezhë ku takova dhjetar njerëz. Beteja jonë do të jetë me mënyrën e të qeverisurit që ka marrë forma të ngjashme në dy qeverisjes e fundit.
Çfarë po ndodh me Durrësin?
Rilindja po betonizon historinë. Në hyrjen e Portit të Durrësit është importuar një objekt i çuditshëm prej betoni që i kushton financave tona rreth 6 milionë dollarë ku këmbët e saj futen thellë në trashëgiminë tonë historike. Duket e qartë se aty duan të mbulojën gjithçka. Arkeologët dhe shkencëtarët kanë mbyllur gojën.
Si është e mundur që një arkeolog nuk flet?
Në komision erdhi arkeologu që me 4 shkurt ka asistuar për herë të parë. Ai më shumë heshtte sesa fliste dhe pranë tij ishte kryetari i Bashkisë dhe ministrja e kulturës që bënin zhurmë me dokumente. Aty dëshmohet se është zonë arkeologjike, zona A që është prekur pa mëshirë. Ka pasur gjetje që mund të jenë hedhur dhe janë shkelur një serë ligjesh. U bë dëgjesa në komisionin parlamentar por ndjehemi të pafuqishëm për të vepruar më tutje. Bëhet fjalë për 6 milionë euro që do t’i shkojnë një kompanie betoni. A do të jemi ne në gjendje të ndalojmë këtë betonizim që biznesi ia bën historisë sonë?
Si e shpjegoni këtë heshtje të arkeologëve?
Ju jeni shumë i ndjeshëm unë jam edhe më e ndjeshme sepse jam një politikane që kam dalë nga mazhoranca në opozitë që të jem e lirë dhe nuk ia fal një arkeologu që preferon të heshtë për të ruajtur vendin e punës. Jam njeri i shkencës dhe një njeri i shkencës është i edukuar në aksin e tij që të mos bëjë kompromis me të pavërtetën dhe nuk e di se si një njëri mund të bëjë një kompromis të tillë.