Lëvizja e votave mes kandidatëve, Celibashi: S’duket gabim njerëzor!

Edhe pse procesi i rinumërimit të votave për katër qarqet e kërkuara nga PD u mbyll, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mendon se analiza për të gjitha problematikat e konstatuara nuk mund të zhvillohet pa përfunduar procesi ankimor në KAS.

Në intervistën për Tv Klan, Celibashi pranon se ajo që u pa, veçanërisht tek votat e pamerituara për kandidatët, mund të mos jetë thjesht një gabim njerëzor. Në këtë rast, sanksionet nuk do të kursehen.

“Për të vendosur nëse do të ketë sanksione administrative, apo do të ketë edhe sanksione penale”.

Celibashi, në përgjithësi, mendon se zgjedhjet e 11 majit ishin ashtu siç përshkruhen në mënyrë realiste, thotë ai, në raportin paraprak të vëzhguesve të ODIHR-it.

“Mendoj që gjithsecili prej aktorëve politikë dhe institucionale do duhet ta pranojnë atë raport”.

Sa i përket kontratës për shërbimin postar për votën e emigrantëve, ai shpjegon se komunikimi me kompaninë DHL vijon dhe garanton se deri tani nuk është paguar asnjë qindarkë.

“Akoma nuk është rasti për të folur në mënyrë publike se çfarë qëndrimi do të mbajë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, jemi në proces të diskutimit”.

Pavarësisht akuzave për shkeljen e protokollit për shpërndarjen e fletëve të votimit nga DHL apo çdo pretendimi tjetër nga ana e subjekteve politike, Celibashi mbetet i bindur se votimi nga jashtë ishte një sukses.

“Realisht nuk di të të them se çfarë do të duhet të kishim bërë më mirë. Por ka një diskutim jo të bazuar mbi fakte konkrete. Mendoni çfarë do të duhet të thonë ata në Kosovë, kur fletët e votimit të të gjithë lagjes i marrin i fusin në një zarf. As nuk ka protokoll të dorëzimit të fletëve të votimit…”

Komisioneri shtetëror i zgjedhjeve kërkon nga Parlamenti i ri të nisë me urgjencë reformën zgjedhore. Sipas tij, i gjithë kodi duhet riparë, por domosdoshmëri mbetet heqja e privilegjit absolut të partive nga komisionet e niveleve të dyta dhe të treta.

“Mendoj që edhe partitë politike vetë janë ndërgjegjësuar. Fakti që ti kërkon që të rinumërohen, do të thotë që t’i shikon probleme në mënyrën sesi komisionerët politikë e administrojnë procesin. Ata janë njerëz që marrin thuajse zero trajnim. Dhe shumë gabime aty ndodhin, për shkak të mungesës së dijeve”.

Çështje të tjera që Celibashi i konsideron të rëndësishme për ndërhyrje janë financimi i fushatave dhe përdorimi i administratës publike gjatë zgjedhjeve.

“Do duhet ta kemi të qartë ku është kufiri i qeverisë dhe i funksionarëve publikë”.

Për kreun e KQZ-së, nuk duhet të jetë tabu as rishikimi i vetë strukturës me tre nivele të institucionit që ai drejton.

Tv Klan




Ju sugjerojmë

Para















TE FUNDIT