Botuesi i MAPO, Henri Çili i shkruan letër të hapur shkrimtarit Ismail Kadare, në të cilën i thotë mes të tjerash të kërkojë hapjen e dosjeve, duke nisur nga gjyqi i Lubonjave!
I dashur Kadare!
Është koha të bësh zyrtarisht hapjen e dosjes së ndjekjes tënde nga Sigurimi i Shtetit dhe dosjen e proceseve politikë ku është dëshmuar për ty, duke filluar nga procesi i Todi dhe Fatos Lubonjës.
Çështja ka ardhur përsëri në vëmendjen e opinionit publik. Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme të kohës së diktaturës, Qemal Lame, ka evokuar një dokument, një dëshmi publike ditët e fundit mbi një urdhër të autoriteteve komuniste për arrestimin e shkrimtarit Ismail Kadare në vitet 1981 dhe 1982.
Ish-kryeministri Sali Berisha në emisionin “Opinion” ka dhënë një dëshmi se ka pasur një moment kur regjimi komunist ishte përgatitur për të arrestuar shkrimtarin Ismail Kadare mbi veprën “Pallati i Ëndrrave” dhe pati një ndërhyrje nga presidenti francez François Miterrand pranë regjimit komunist për ndalimin e këtij arrestimi.
Në gjashtë muajt e fundit me rastin e botimit të librit të Dashnor Kaloçit “Kadare në dokumentet e pallatit të Ëndrrave”, autori dhe unë si botues i UET PRESS jemi përfshirë në një polemikë me Fatos Lubonjën, në lidhje me të vërtetën e raportit të regjimit komunist me shkrimtarin Ismail Kadare, të mbështetur mbi dokumente dhe fakte.
Ditët e fundit morëm një përgjigje negative nga Ministria e Brendshme mbi kërkesën që depozituam për vënien në dispozicion të dokumenteve arkivore në lidhje me deponimin e Lubonjës në hetuesi.
Për shkak të një kufizimi të ligjit të ri mbi dokumentet e diktaturës autorit të librit, Dashnor Kaloçi, i ndalohet aksesi i dokumenteve për të vërtetuar, ose më saktë për të plotësuar dhe për të thënë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën rreth raporteve të diktaturës, të regjimit komunist, proceseve politike të viteve ’70 – ’80 për shkrimtarin Ismail Kadare.
Në raportin e tij veçanërisht të komplikuar, shpesh nga dashakeqësia e aktorëve publike dhe mediatikë në Shqipëri, me regjimin komunist në këtë vend.
Historia është jashtëzakonisht e thjeshtë; në vitin 2015 gazetari dhe studiuesi Dashnor Kaloçi, duke kërkuar në arkiva, vit pas viti kishte mbledhur një numër dokumentesh autentikë me të gjithë aparatin komunist mbi shkrimtarin Ismail Kadare.
Dhe aty për aty vendosëm së bashku t’i bënim një surprizë shkrimtarit Ismail Kadare përpara panairit duke i çuar paraprakisht një kopje të librit me 31 dokumente mbi raportet e regjimit komunist me Kadarenë. Ajo që më bëri përshtypje nga ideja e Kaloçit ishte jo vetëm puna e tij mitikuloze për të mbledhur këto dokumente nga arkivat më të ndryshëm e më të shpartalluar të regjimit komunist në Shqipëri, përfshirë edhe ato të Ministrisë së Brendshme, por jo ato të Sigurimit të shtetit. Ishte një fjalë që më tha z.Kaloçi: “Gjithmonë Ismail Kadare është ndjekur për veprimtari pro perëndimore, pro liberale dhe le të themi në ndihmë të njerëzve dhe nuk gjeta askund në këto dokumente diçka vërtet të sikletshme për Kadarenë”.
Kadare erdhi si gjithnjë në fund tetorin e atij viti dhe bashkë shkuam të pinim një kafe duke i lënë në dorë kopjen e parë të librit. Pas falënderimeve të shkrimtarit morëm nga ai vetëm një porosi: “Mos censuroni asgjë! Botoni gjithçka, pro apo kundër meje, rëndësi ka të dalë e vërteta e diktaturës dhe raporti i tij i komplikuar me këtë regjim”.
Raport i komplikuar edhe shumë më tepër nga strategji, dashakeqësi, zili apo të tjera elementë, sidomos pas viteve ’90 . Të aktivizuar herë pas herë në atë që dikush e quante “Stina e sharjeve” për Kadarenë. Botimi i librit shkoi mjaft mirë dhe për ta plotësuar këtë projekt Universiteti Europian i Tiranës mbështeti autorin Kaloçi në një botim të dytë, që përfshinte të gjithë periudhën, nga dokumenti i parë deri te i fundit në dijeninë e autorit Kaloçi, pra nga viti 1957 kur Komiteti Qendror jep autorizimin që Kadare të kryejë studimet në Moskë e deri në dokumentin e fundit, mbledhjet e fundit të Byrosë Politike ’90 –’91 .
Kështu sistemuam librin “Kadare në dokumentet e pallatit të Ëndrrave” duke bërë të mundur botimin e këtyre 101 dokumenteve të plota apo të pjesshme pajisur me nga një shënim të vogël komentues të autorit.
Surpriza; dokumenti numër 65, i cili u bë edhe shkas i një polemike, ku Universiteti Europian i Tiranës, UET PRESS, unë si botues dhe autori Dashnor Kaloçi u përfshimë fort në debat me Fatos Lubonjën.
Surpriza; dëshmia e datës 25 janar 1975 e Fatos Lubonjës në gjyqin e babait të tij, Todi Lubonjës-ish-hierark i lartë i regjimit komunist i dënuar për prirje liberale- në të cilin ka një pasazh “problematik” në lidhje me Kadarenë ku Lubonja thotë: “Ay, babaj, tim, më ka folur se kishte simpati si shkrimtar për Ismail Kadarenë, kurse për të tjerët thoshte se ata janë të paaftë dhe këto shkrime i bëjnë nga frika. Mua më lejonte babaj që të lexoja dhe libra dekadentë…
…Babai më ka thënë se përveç Ismail Kadaresë, shkrimtarët e tjerë shkruajnë sa për të qenë brenda, se kanë frikë dhe maten shumë kur shkruajnë se i futin brenda”.
Pra nënteksti apo interpretimi për atë kohë ishte: “Armiku Todi Lubonja pëlqente dhe vlerësonte Ismail Kadarenë”. Vështruar në premisat e kohës kaq pak, por edhe për më pak, do të quhej implikim në grup, potencial për të dëshmuar dhe shkuar më tej.
Sigurisht erdhi reagimi i parë i Fatos Lubonjës duke na akuzuar për manipulim, mungesë të së vërtetës , për interpretim, etj., etj. Duke tentuar jo vetëm korrektësinë akademike, por edhe moralin publik, për të kërkuar të vërtetën dhe vetëm të vërtetën i kërkuam zyrtarisht Ministrisë së Brendshme dosjen e plotë të dokumenteve gjyqësore të procesit të Todi dhe Fatos Lubonjës, për të kuptuar gjerësinë e kontekstit ose pohime të tjera në lidhje me Ismail Kadarenë dhe aty morëm përgjigje negative.
Ndaj, i dashur Ismail jemi të detyruar të ndalemi këtu. Por ka një zgjidhje: Ju t’i kërkoni në të drejtën tuaj si person i prekur, të gjitha dokumentet e arkivave, sekrete deri tani apo gjysmë sekrete apo të ndaluara, nëpër të cilat flitet për ju, duke shfrytëzuar prerogativat që jep ligji i ri për hapjen e dosjeve.
Por, paraprakisht derisa të vijmë të këto dokumente të plota, në këtë të vërtetë të plotë –ku ne si shtëpi botuese vihemi plotësisht në dispozicion për t’i trajtuar më korrektesën profesionale historike e akademike –personalisht dhe subjektivisht më ka bërë përshtypje diçka; patosi, vendosmëria, ngulmi, palodhshmëria e luftës së Fatos Lubonjës ndaj jush ndoshta e paska një shpjegim dhe shpjegimi qenka në këto dokumente.
Si gazetar dhe vëzhgues i jetës publike e kam ndjekur këtë debat qysh prej fillimeve të viteve ’90 me skenat dhe prapaskenat e tij, por sidomos me një seri të pafundme shkrimesh, denoncimesh dhe akuzash të Lubonjës ndaj jush , përfshi edhe të fundit.
Rasti e deshi që për shkak se u mora me botimin e kësaj vepre të përfshihesha në këtë debat. Por nga këqyrja e këtij dokumenti –të botuar në librin e Dashnor Kaloçit dhe që po e ribotojmë në këtë rast –dhe vendosja e tij në kontekstin e kohës, më bëjnë të kuptoj së paku dy gjëra.
Së pari, kuptoj shkakun bazë se pse Fatos Lubonja është vendosur kundër jush publikisht qysh prej fillimeve të demokracisë shqiptare. Lubonja ka bërë në gjyqin e babait të tij një dëshmi, që sipas të gjitha kodeve juridike apo morale të kohës mund t’ju çonte pas hekurave, mund t’ju bënte grup me Todi Lubonjën, ose mund të bënte diçka më shumë. Morali i fabulës; Todi Lubonja (lexo: armiku) pëlqen shkrimtarin Ismail Kadare. Pra lidhja është e qartë. Por më e rëndësishme se kaq, për të kuptuar më tej personazhin e Lubonjës, shpeshherë kam qenë vetë viktimë e shkrimeve të tij të ndyra, të pavërteta, etiketuese, etj., etj.
Më shumë se gjithçka tjetër e paska përcaktuar kjo dëshmi në gjyq kundër babait të tij, që do të thotë: vërtetimi i veprimtarisë armiqësore të babait të tij, Todi Lubonja, është me siguri një nga pengjet morale dhe një nga gjërat më të tmerrshme që mund të ndodhë të jetë i detyruar të bëjë një njeri, por për të cilin minimalisht ai ka nevojë të flasë, të dëshmojë, të bëjë katarsis.
Fatos Lubonja flet vetëm për gjyqin e tij, për ridënimin, duke na ndërtuar një figurë morale të pashembullt, e cila nuk ka asnjë dyshim që është e vërtetë, por nuk flet asnjëherë për procesin e parë apo dëshminë e tij në gjyqin e babait.
Prova ndaj familjarëve të tu është një nga provat më themelore në jetën e njeriut, ajo ndodh për të shkuar më tej, tek humanët e tjerë. Ndodh që ajo të humbet. Por rrethanat e humbjes së kësaj prove, siç e ka humbur Lubonja me dëshminë kundër të atit, me siguri ka përcaktuar një pjesë shumë të madhe të personazhit Fatos Lubonja ashtu siç e njohim sot, një moralist laik që i kërkon llogari gjithkujt me ose pa të drejtë, kur ka humbur një provë thelbësore, morale të jetës së vet: ka dëshmuar kundër babait.
Mitologjia na mëson një shembull. Po, është e vërtetë. Mund të vritet babai, siç i ndodhi Edipit, pa e ditur. Mund të shkohet edhe më tej, por kur Edipi mori vesh të vërtetën, braktisi fronin, qytetin, qorroi sytë dhe jetoi i vetmuar. Fatos Lubonja nuk ka bërë asnjë nga këto dhe askush nuk kërkon të bëjë diçka të tillë, por na ka nxjerrë sytë të gjithëve. Ty të parit Ismail, për 26 vjet. Ky pozicionim ose ky shpjegim i etosit idhnak të Fatos Lubonjës, të cilin e vërteton ky dokument, më ka ndihmuar vërtet ta kuptoj mjaft mirë dhe kjo nuk do të thotë se e ndëshkoj, dënoj apo etiketoj siç do të bënte ai me këdo tjetër, për çështje edhe më të vogla se kaq.
Ky dokument na bën të kuptojmë personazhin, kontekstin, ndoshta ka qenë i detyruar, ndoshta ka qenë në marrëveshje, ndoshta nuk e ka përballuar provën morale të atij regjimi të vështirë e të poshtër, por kjo do të na kishte dhënë në jetën publike një të penduar më shumë dhe një prokuror publik më pak.
Ndaj Ismail, ne të kërkojmë publikisht të na ndihmosh me të drejtën që të takon nga ligji i shtetit shqiptar për hapjen e të gjitha arkivave të tua. Në intervistën që i ke dhënë Stephane Courtois, një nga studiuesit më të mëdhenj të komunizmit ke thënë “ …një proces dhe një dënim i krimeve komuniste në Shqipëri do të kishin qenë më se të domosdoshme. Jam një nga ata që kam kërkuar me këmbëngulje dy gjëra: e para, hapjen e arkivave sekrete, dosjeve të spiunëve etj., dhe, e dyta, dënimin e krimit”
Është koha që këtë ta vësh në veprim këtë, me një letër e me një shkresë zyrtare. Të paktën ndaj dy objekteve bazë, të cilat do të shpjegonin shumë më mirë misterin e raportit tënd me diktaturën ose të diktaturës me ty. Së pari dosjen e ndjekjes nga ana e Sigurimit të shteti të personit tënd, sigurisht sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi dhe së dyti dosjet gjyqësore e hetimore të proceseve të mëdha politike të kohës që potencialisht lidhen me ju, duke nisur nga dosja e procesit ndaj Todi dhe Fatos Lubonjës, për të përfunduar te dosjet e gjyqeve politike që pasuan procesin e Mehmet Shehut, një numër figurash dhe kontekste të kohës që ju i njihni më shumë sesa ne.
Rasti i dokumentit të dëshmisë së Fatos Lubonjës në gjyqin e të atit, Todi Lubonja më jep shkas të them që të kërkosh hapjen e të gjitha dosjeve për të cilat ligji kërkon formalisht autorizimin tënd. Ne, duke ngritur një ekip studiuesish dhe historianësh në kuadrin e një projekti kërkimor në Universitetin Europian të Tiranës jemi gati të kontribuojmë në respekt të ligjit dhe pozitës sonë si studiues profesionalë dhe neutralë përmes këtyre dokumenteve të ndihmojmë në zbardhjen e ngjarjes. Besoj se shtjellimi i plotë dhe i qartë i këtyre arkivave, i dosjeve të Sigurimit të shtetit apo proceseve politike të viteve ’70 –’80 , duke nisur nga gjyqi i Lubonjave do të ishte me vlerë të përkthehej dhe t’i jepej publikut ndërkombëtar për të sqaruar një nga të vërtetat dashakeqe që davaritet në mjedisin kulturor europian rreth kandidatit tonë për çmimin Nobel, Ismail Kadare.
Marre nga MAPO