-Kulturë

Letër publike: Arrestoni autorin e krimit, Pilo Shanto!


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 12:34 - 29/07/21 |
Opi Nion

Drejtuar:  Prokurorit të çështjes z. Bajram Breçani, Prokuroria e Tiranës

Prokurorit të Përgjithshëm z. Olsian Çela

Inspektorit të Lartë të Drejtësisë

Këshilli të Lartë të Prokurorisë

Avokatit të Popullit znj. Erinda Ballanca

Komisionit të Pavarur i Kualifikimit për Reformën në Drejtësi

Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit për Reformën në Drejtësi

Ambasadores së SHBA në Shqipëri  SH.S. z. Yuri Kim

Ambasadorit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, SH.T. z. Luigi Soreca

Pilo Shanto

Të nderuar zonja dhe zotërinj!

Që në datën 18 shkurt 2018, Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, që unë përfaqësoj, dhe familjarët e martirëve kemi depozituar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë një kallëzim penal për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid lidhur me masakrën komuniste, të njohur si “Masakra e Bombës në Ambasadën Sovjetike”, ku në vitin 1951 në mënyrën më të paligjshme të mundshme, u rrëmbyen nga banesat e tyre në Tiranë dhe u pushkatuan pa gjyq 22 qytetarë të pafajshëm, ndërkohë që familjet e tyre u internuan. Që prej asaj dite çështja është ende në prokurori pa përfunduar hetimi.

Nga informacioni ynë hetimi i kësaj çështje është bllokuar për arsye jo ligjore nga akuza shqiptare në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, derisa ajo funksiononte, hetimi as nuk nisi kurrë. Tetë prokurorë të saj, përfshi edhe Prokurorin e Përgjithshëm aktual z. Olsian Çela, kanë dhënë dorëheqjen pa e nisur fare hetimin.

Aktualisht, kallëzimi i ka kaluar prokurorisë së Tiranës dhe hetimi i është ngarkuar Prokurorit Bajram Breçani. Nga komunikimi ynë, një nga pretendimet e bllokimit të këtij hetimi nga prokuroria është: “autorët e krimit nuk janë më gjallë”, gjë që nuk është e vërtetë. Në kallëzimin tonë ne kemi shkruar edhe emra të autorëve të krimit që janë gjallë, njëri prej të cilëve është edhe ish-drejtuesi  i lartë i Sigurimit të Shtetit, Pilo Shanto. Ai ka hartuar listat dhe ka urdhëruar drejtpërdrejtë arrestimin e 22 viktimave të këtij gjenocidi dhe shumë të tjerëve që i shpëtuan pushkatimit, por u burgosën e u internuan. Nga informacionet tona Shanto është i gjallë dhe jeton në SHBA dhe i kemi kërkuar prokurorisë ta ekstradojë e ta hetojë si një nga autorët kryesorë të krimit gjë që nuk ka ndodhur deri sot. Ditët e fundit media po i bën jehonë një libri të tij kushtuar “fitoreve” të Sigurimi i Shtetit ndaj shërbimeve sekrete amerikane e britanike gjatë Luftës së Ftohtë, të botuar pak ditë më parë duke konfirmuar botërisht qenien gjallë dhe të aftë mendërisht të Pilo Shantos. Mendoj që ky fakt publik e detyron prokurorinë të nisë procedurat e ekstradimit dhe arrestimit te tij si autor i krimit, gjë kjo e faktuar me prova shkresore të firmosura prej tij.

Prandaj, në këto kushte i kërkojmë Prokurorit Breçani të nisë menjëherë procedurat ligjore për vendosjen e tij përpara drejtësisë për krimin e kryer.

I kërkojmë institucioneve të tjera që u drejtohemi me këtë letër publike të ndërmarrin çdo akt të zbatimit te ligjit që detyron hetimin dhe dënimin e krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit, sipas ligjit shqiptar dhe konventave ndërkombëtare.

I kërkojmë ne mënyrë të veçantë Ambasadores së SHBA, Shkëlqesisë së Saj, zonjës Yuri Kim të bëjë çdo përpjekje diplomatike që ky autor i krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit që jeton në SHBA të kthehet në Shqipëri dhe të vihet para drejtësisë për krimet e kryera. Duke përfituar nga rasti i përsëris Shkëlqesisë së Saj kërkesën time të vazhdueshme që SHBA të mos strehojë e përkrahë autorët shqiptarë të krimeve të komunizmit, krime kundër njerizimit dhe gjenocid.

Si përfundim, dua të theksoj se bërja gjallë publikisht e autorit të masakrës së “bombës” në Ambasadën Sovjetike i heq akuzës shqiptare çdo mundësi për të justifikuar moshetimin dhe ndëshkimin e këtij krimi të komunizmit.

Mbetemi në pritje të veprimeve konkrete ligjore nga prokuroria. Çdo justifikim apo zvarritje, si deri tani, do të konsiderohet nga ne si shpërdorim detyre dhe përpjekje për të përkrahur autorët e krimeve të komunizmit, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Kryetari i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë

Nebil Çika

Pas