Ndonëse kanë kaluar dy vjet qëkur përfituesit e ankandit publik, të shpallur nga Komuna e Skenderajt për dhënie të tokës komunale në shfrytëzim për 99 vjet Leonora Jakupit dhe Drilon Malajt, ende nuk kanë filluar me ndërtimin. Derisa Leonora ua lë fajin procedurave e Malaj-Leonorës, në Komunë thonë se problemet me familjen boshnjake Radonçiq, që kanë qenë pengesë, tashmë janë zgjidhur dhe se pritet shpejt të fillojë ndërtimi
Këngëtarja Leonora Jakupi kishte fituar në një ankand publik, të shpallur nga Komuna e Skenderajt, për dhënie në shfrytëzim të tokës së Komunës për 99 vjet për ndërtime të larta banesore-afariste. Ankandi, i cili ishte kundërshtuar nga subjektet politike opozitare në Skenderaj, në të cilin fitues kishin dalë pos Leonora Jakupit edhe Drilon Malaj dhe kompania “Rukolli”, ishte përkrahur nga pozita në Kuvendin e Skenderajt, shkruan gazeta ‘Zeri’.
Këshilltarët komunalë të Skenderajt kishin votuar që Leonora Jakupi, Drilon Malaj dhe kompania “Rukolli” të marrin në shfrytëzim afatgjatë pronën komunale. Derisa Leonora Jakupi dhe Drilon Malaj kishin marrë nga Komuna nga 10 ari, kompania “Rukolli” kishte marrë në shfrytëzim pjesën e tokës komunale, në të cilën ndodhej objekti i vjetër i komunave dhe sipërfaqja e asaj toke është 360 metra katrorë.