Nga Drini Hakorja
Që prej qershorit 2016, çdo punëmarrës, që trajtohet në bazë të kodit të punës dhe që ka më shumë se një vit pune të pandërprerë tek i njëjti punëdhënës, ka të drejtë për një leje të papagueshme, jo më pak se 4 muaj, derisa fëmija që ka në ngarkim të arrijë moshën 6 vjeç. E drejta për të kërkuar lejen prindërore është individuale për secilin prind dhe nuk mund të jetë më pak se një javë në vit.
Kjo është e drejta ligjore që buron nga Kodi i Punës, i ndryshuar, që prej Dhjetorit 2015 dhe që mundohet të përmirësojë cilësinë e jetës së punëmarrësve, kur ata janë prindër të rinj.
Nevoja për të shkruajtur këtë artikull lind nga perceptimi i pamundësisë për të zbatuar këtë dispozitë ligjore që parashikohet në Kod.
Nga kuvendi, si pushtet ligjvënës, bëhen ndryshime të herëpashershme, me qëllim përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të bashkimit europian. Në këtë mënyrë, ligjërisht dhe kulturalisht (për sa kohë edhe ligji është pjesë thelbësore e kulturës, në mos kryesorja), shoqëria shqiptare përpiqet të afrohet në koncepte dhe të drejta e detyrime me shoqëritë e përparuara të Europës perëndimore.
Përmirësimi i Kodit të Punës, dhe dispozitave preferuese të tij në favor të punëmarrësve, është një nga këto përpjekje.
Në këtë artikull, përkundër tërësisë së ndryshmeve, do doja të ndaleshim tek një pikë, që mua personalisht më ka tërhequr vëmendjen, për shkak të impaktit të madh social që mund të luajë, nëse zbatimi i saj bëhet në mënyrën e duhur.
Për herë të parë, është parashikuar leja prindërore, si një risi që vjen në legjislacionin shqiptar, në përputhje me legjislacionin e B.E., konkretisht Direktivës 2010/18.
Qëllimi i lejes prindërore, sipas kësaj direktive, është të mundësojë dhe rrisë zhvillimin social të mardhënieve prindërore, midis prindërve në mardhënie pune dhe fëmijëve të tyre, në fazën e parë të jetës, që lidhet me fëmijërinë, ose në rastin e prindërve birësues, që lidhet me periudhën direkt pas birësimit. Qëllimi i direktivës, është gjithashtu të marrë në konsideratë rritjen e diversitetit të strukturës familjare, rritjen e diversitetit të mardhënies ndërfamiljare e sidomos të mardhënies midis prindërve dhe fëmijëve.
Pra Bashkimi Europian, si shoqëri, mendon së prindërve në mardhënie pune, në përputhje edhe me legjislacionin e brendshëm, u duhet dhënë më shumë kohë për të kaluar me fëmijët e tyre. Në një kohë që përditshmëria, trysnia e përfitimeve ekonomike dhe nevojave për t’ju përgjigjur sfidave në rritje për shoqërinë, burrat dhe gratë që punojnë, nuk duhet që të anashkalojnë detyrimet familjare në raport të paktën me fëmijët e tyre të mitur ose të sapobirësuar. Lidhja e fortë që herët në familje, e konsolidon raportin dhe strukturën e familjes, sjell harmoninë në të, komunikimin e brendshëm si tipar kryesor në një familje funksionale, të cilat në tërësi përkthehen në ulje të stresit, përballimit më të mirë të problemeve dhe si rrjedhim një cilësi shumë herë më të mirë të jetës.
Ligjvënësi, parashikon që kjo leje është individuale, pra që ajo ti jepet secilit prind në mënyrë të pavarur, dhe nuk është e transferueshme. Kjo përpjekje bëhet me qëllim të shpërndarjes sa më të barabartë të përgjegjësisë prindërore, tek të dy prindërit, dhe se të dy prindërit duhet të lidhen emocionalisht me fëmijët e tyre. Kjo është edhe arsyeja përse leja, perveç në rast të vdekjes së njërit nga bashkëshortët, nuk është e transferueshme. Sepse ajo lidhet me një detyrim prindëror individual, një detyrim për forcimin shpirtëror të një mardhënie njerëzore dhe ku secili nga prindërit ka përgjegjësinë e vet në mënyrë të barabartë.
Është me rëndësi të theksojmë, se leja prindërore nuk është leja vjetore që çdo punëmarrësi i takon me ligj. Leja prindërore është një e drejtë vetjake, por që është konceptuar si mundësi e prindit për t’iu përkushtuar në kohë fëmijës që rritet.
Leja vjetore, është një leje që i përket punëmarrësit dhe që është e pagueshme, ndryshe nga leja prindërore që është e papaguar.
Megjithëse në parim leja prindërore është tashmë një e drejtë e sanksionuar në legjislacionin shqiptar, në këndvështrimin tim, zbatimi i saj paraqet disa të meta.
Ligji parashikon mënyrën se si leja mund të arrihet me marrveshje midis punëmarrësit dhe punëdhënësit, ose rastin e kërkimit të njëanshëm nga ana e punëmarrësit, duke njoftuar punëdhënësin me shkrim, sipas dispozitës vijuese: “Punëmarrësi duhet të lajmërojë, me shkrim, punëdhënësin, të paktën dy javë përpara fillimit të lejes prindërore. Punëdhënësi ka të drejtë, pas konsultimit me punëmarrësin, të shtyjë datën e fillimit të lejes, deri në gjashtë muaj, për arsye të cilat kanë të bëjnë me nevojat operacionale të ndërmarrjes, kur punëmarrësi nuk mund të zëvendësohet përkohësisht, kur kjo leje kërkohet njëkohësisht nga shumë punëmarrës ose kur pozicioni i punës është i një rëndësie të veçantë”
Por pikëpyetja ngrihet në rastet kur midis palëve nuk ka dakortësi, ose kur më keq akoma, punëdhënësi ja ndalon punëmarrësit gëzimin e kësaj të drejtë. Cila do të ishte mënyra që punëmarrësi, si palë vulnerabël e kësaj mardhënie, të mundet të gëzojë një të drejtë që ja jep ligji?
Direktiva 2010/18 e B.E.-së, udhëzon shtetet e komunitetit, që në përputhje me legjislacionin dhe rregullimet e brendshme, të bëjnë të mundur zbatimin e të drejtës materiale që sillet me këtë direktivë.
Pra B.E., kërkon nga shtetet pjesmarrëse, që jo vetëm ta inkorporojnë të drejtën e parashikuar në legjislacionin e brendshëm, por edhe efektivisht të bëjnë të mundur realizimin e plotë të së drejtës, me qëllim që ajo mos mbetet diçka e papërdorshme.
Referuar tabelës së përputhshmërisë me legjislacionin e B.E.-së, që shoqëron projektligjin nga Kuvendi i Shqipërisë në kohën e miratimit të ligjit, seksioni për zbatimin e Marrëveshjes të rishikuar për lejen prindërore, pika c, shprehet në mënyrë eksplicite për përputhshmëri të plotë me legjislacionin e B.E.-së.
Në dukje, përputhshmëria egziston, por në analizë të zbatimit të së drejtës për leje prindërore në legjislacionin shqiptar, shohim që nuk ka mekanizëm ligjor, i cili të detyrojë apo të ndëshkojë punëdhënësin në rast së ky i fundit refuzon të japë konsentin për lejen prindërore.
Kodi i punës, por as ndonjë ligj tjetër, nuk parashikojnë dispozita detyruese për punëdhënësin. Nuk parashikohet asnjë lloj mundësie e punëmarrësit për tu ankuar në ndonjë organ administrativ, për moszbatimin e lejes prindërore. Nuk parashikohet asnjëlloj dëmshpërblimi financiar ose në rast të refuzimit të dhënies së lejes prindërore. Nuk parashikohet asnjë masë disiplinore ose administrative kundër punëdhënësit që refuzon dhënien e lejes prindërore.
Kuptohet, që në një treg pune si Shqipëria, e cila lufton në mënyrë të vazhdueshme me informalitetin dhe mundësinë për punë, është e vështirë, tej mase e vështirë për punëmarrësit të kërkojnë lehtësisht zbatimin e të drejtave të tyre. Ndaj lind nevoja konstante, që shteti si mbrojtës legjitim i qytetarëve, të luajë këtë rol. Jo vetëm të parashikojë të drejtat materiale, por njëkohësisht të bëhet edhe garanti për zbatimin e tyre. Edhe pse mardhënia e punës është një mardhënie kontraktore, ndër juristë dihet mirë që ajo nuk është një mardhënie që gëzon paritet të palëve, pasi thuajse në çdo rast punëmarrësi është palë vulnerabël.
Në këtë këndvështrim, nevojitet që shteti të miratojë mjete ligjore në favor të punëmarrësit, me qëllim që të bëjë të mundshëm efektivisht kërkimin dhe zbatimin e së drejtës për lejen prindërore sikurse parashikon ligji. Mjetet ligjore mund të parashikojnë sikur u përmend mësipër, sanksione administrative ndaj punëdhënësit, detyrimin për përcaktimin me shkrim në kontratën e punës për detajimin e lejes prindërore, dhe mendoj si më të rëndësishëm dëmshpërblim në favor të punëmarrësit në rast të refuzimit të marrjes së lejes prindërore. Dëmshpërblimi në favor të punëmarrësit, sjell së pari interesimin individual të punëdhënësit, i cili me gjasë nuk kërkon të jetë objekt i penalitetit nga ligji. Gjithashtu dëmshpërblimi si mjet ligjor, zgjon interesin e punëmarrësit në kërkimet kundrejtuar punëdhënësit dhe nga ana tjetër minimizohet roli i shtetit si rregullator, duke e bërë kontratën e punës më të zbatueshme përmes ligjit nga vetë palët e interesuara.
Ndryshimet ligjore mund të bëhen dhe duhet të bëhen, pasi në thelb, mos harrojmë është shteti ai që ka detyrimin të garantojë zbatimin e ligjit.
Po ashtu një tjetër element që personalisht mendoj se duhet të rregullohet, është koha për të cilën jepet leja.
Ligji shqiptar parashikon jo më pak se katër muaj, derisa fëmija të mbushë moshën 6 vjeçare, ndërsa direktiva parashikon jo më pak se katër4 muaj, derisa fëmija të mbushë një moshë deri 8 vjeçare (klauzola numër dy e direktivës).
Mendoj se periudha e dhënë nga direktiva, edhe pse shteteve antare u lihet diskrecion për moshën e fëmijës, ka më tepër sens, sepse të njëjtën periudhë leje, e shtrin në një periudhë kohe më të gjerë, e cila e bën më të lehtë aplikimin e lejes.
Në rastin e direktivës, aplikimi i lejes realizohet mesatarisht me dy javë në vit, ndërsa në legjislacionin shqiptar, aplikimi i lejes realizohet mesatarisht me dy javë dhe pesë ditë në vit. Mendoj se koha e shtuar e lejes, e bën disi jo të pëlqyeshme për punëdhënësin, i cili sigurisht do të ndihej më pak komod nëse leja e kërkuar kërkon më tepër ditë.
Praktikisht, periudha e lejes nuk ndryshon, ajo është e njëjtë dhe se punëmarrësi mundet të mungojë njësoj në punë, atëherë të paktën edhe punëdhënësi të mos vihet në vështirësi për aplikimin e kësaj leje nga mungesa e punëmarrësit.
Nëse pajtohemi me këtë këndvështrim, atëherë duhet që kodit ti bëhet edhe ky lloj rregullimi, me qëllim shpërndarjen e lejes prindërore në një fashë më të gjerë kohore.
Në përmbyllje të këtij artikulli, shpresoj të kem sjellë në vëmendje të lexuesit, një të drejtë materiale, e cila sot mundësohet me ligj, por që në pikëpamjen time ka nevojë për rregullim me qëllim mundësimin e zbatimit të saj.
Theksoj, se kjo e drejtë parashikohet për të gjithë ata, mardhëniet e punës së të cilëve parashikohen në kodin e punës, por jo për ata që gëzojnë statusin e nëpunësit civil.
Konsideroj se nëse ligji nuk është i aplikueshëm sot dhe nëse nuk ka vullnet dhe përpjekje për ta ndryshuar, atëherë nuk do të jetë i aplikueshëm as nesër dhe se sa më shpejt të bëhen ndryshimet përkatëse, aq më shpejt kjo do të ndikojë në cilësinë e jetës sonë, si komunitet dhe shoqëri e cila përpiqet në mënyrë të vazhduar të përmirësojë cilësinë e jetës së saj dhe që përpiqet të ndërtojë një të ardhme më të begatë.