Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dhe Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, kanë informuar nga Kuvendi për marrëveshjen që Shqipëria ka arritur me Republikën e Maqedonisë së Veriut, për bashkëpunim ndërkufitar.
Xhaçka tha se marrëveshja synon zhvillim social-ekonomik në zonat ndërkufitare. Ndërsa ministri i Brendshëm tha se në gjashtë pikat e kontrollit kufitar që na lidhin me fqinjin tonë do të ketë vetëm një sportel kontrolli dhe kjo i shërben edhe përpjekjeve të përbashkëta të të dy vendeve për në BE dhe nismës për Ballkanin e Hapur.
“Do ketë vetëm një sportel kontrolli. Janë 6 pika ku do të zbatohet kjo marrëveshje. Marrëveshja është e bazuar në modele të tjera që ne kemi edhe me shtete të tjera që e kemi përgatitur me konsultimin e misionit PAMEKA në vendin tonë.
Objektivat kryesorë janë lehtësimi i qarkullimit të shtetasve dhe mallrave, rritje e bashkëpunimit për përmbushjen e interesave të përbashkëta të sigurisë dhe shkëmbimin e shpejtë të informacionit, forcimi i kapaciteteve profesionale të oficerëve të policisë kufitare dhe kontrolli i cilësisë së zbatimit të ligjit për kontrollin e kufirit.
Besoj se çdokush e ka të qartë se kjo marrëveshje synon edhe forcimin e lidhjeve me fqinjin tonë dhe besojmë se kjo i shërben përpjekjeve tona të përbashkëta për në BE dhe nismës për Ballkanin e Hapur,”-tha Çuçi./Opinion.al