Lirohet ish drejtori i Burgjeve të Durrësit Astrit Kote i cili u akuzua se favorizoi lirimin e Lulzim Berishës.
Gjykata e Lartë caktoi ‘detyrim paraqitje’ për Koten. Në muajin shkurt, Gjykata e Apelit në Durrës kishte vendosur “arrest me burg” për drejtorin e burgut të Durrësit, pas lirimit me kusht të të dënuarit Lulëzim Berisha. Ai akuzohet për “Shpërdorim të detyrës” dhe “Falsifikim të dokumenteve”.
Nga hetimet e Prokurorisë së Durrësit, rezultoi se Drejtori i Institutit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (burgut) dhe juristi i këtij institucioni (i shpallur në kërkim), kanë llogaritur në mënyrë të kundërligjshme kohën e qëndrimit të burgim të të dënuarit Lulëzim Berisha.
Në bazë të shqyrtimit të dosjeve përkatëse të burgut Durrës, Prokuroria ka arritur në konkluzionin se Lulëzim Berisha duhej të kryente edhe të paktën 2 vjet e 7 muaj burgim, para se të mund të përfitonte nga parashikimet ligjore për lirimin me kusht.