Çdo anije që dërgon armë në Ukrainë do të jetë një objektiv “legjitim” për Rusinë, tha të premten ministri i Jashtëm Sergej Lavrov, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.
“Ne e kemi bërë shumë të qartë se çdo ngarkesë që do të hyjë në territorin e Ukrainës, për të cilën do të ketë të dhëna se janë armë, do të jenë një objektiv i yni”, tha Lavrov mes të tjerash.
Një numër vendesh të NATO-s kanë premtuar ndihmë ushtarake për Ukrainën, duke filluar nga dronët deri te raketat antitank.
Lavrov tha se sistemet e mbrojtjes raketore sovjetike dhe ruse, të cilat janë në dispozicion të disa vendeve të NATO-s, nuk mund të transferohen ligjërisht në vendet e treta, sipas TASS.