Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov paralajmëroi sot NATO-n dhe Bashkimin Evropian se çdo agresion kundër vendit të tij do të përballet me një përgjigje vendimtare. Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Lavrov tha se Rusia akuzohet se pothuajse po planifikon të sulmojë Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe vendet e Bashkimit Evropian, ndërkohë që Vladimir Putin i ka hedhur poshtë vazhdimisht këto provokime.
“Rusia nuk ka dhe nuk ka pasur kurrë qëllime të tilla (për të sulmuar Aleancën e Atlantikut të Veriut). Por çdo agresion kundër vendit tim do të përballet me një përgjigje vendimtare. Nuk duhet të ketë dyshim për këtë”, shtoi Ministri i Jashtëm rus.
Kërcënimet e Lavrov vijnë në një kohë kur shumë vende evropiane si Danimarka , Norvegjia dhe Gjermania kanë ngritur alarmin për fluturimet e dronëve mbi bazat ushtarake.
Sipas një raporti të Guardian, dronë u panë duke fluturuar mbi instalimet ushtarake daneze të premten në mbrëmje, përfshirë Karup, bazën më të madhe të vendit, ndërsa Norvegjia fqinje po hetonte gjithashtu “prezencë të mundshme të dronëve” të shtunën herët pranë bazës së saj më të madhe ushtarake, Orland.