Pak ditë më parë qeveris deklaroi se më 3 janar të gjithë banorët të cilët u prekën nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit dhe u strehuan në hotele, duhet të largoheshin.
Por, duke parë situatën e krijuar, teksa disa prej banorëve që janë prekur nuk kanë marrë ende bonusin e qirasë, bashkia e Durrësit ka shtyrë vendimin e largimit të banorëve nga hotelet, por vetëm për disa kategori.
Bashkia e Durrësit sqaroi se 480 familjet që kanë qenë në banesa me qira kur ra tërmeti i 26 nëntorit, duhet të dalin nga hotelet që janë vendosur dhe ku kaluan festat e fundvitit.
Sipas bashkisë edhe 25 familje që aktualisht janë në hotel, por që kanë përfituar bonusin duhet të largohen për të gjetur banesat me qira. Ndërkohë që familjet që u është shembur shtëpia apo është bërë e pabanueshme, por që janë në proces të marrjes së bonusit të qirasë do të vijojnë që të qëndrojnë në hotelet e Durrësit deri në një urdhër të dytë.
Po ashtu, dhe për banorët e Thumanës është shtyrë vendimi për t’u larguar nga hotelet ku u strehuan pas tërmetit të 26 nëntorit. Banorët do të largohen nga hotelet në momentin që ata do të kenë gjetur një banesë me qira./ Opinion.al