Shkarkimi i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo nga institucionet e vettingut ka detyruar Kuvendin e Shqipërisë të rihapë garën për një vend tjetër vakant në këtë institucion. Pas kërkesës së Këshillit të Emërimeve më 9 gusht, Kuvendi ka shpallur hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant të krijuar në Gjykatën Kushtetuese.
Aktualisht Gjykata Kushtetuese nuk funksionon dhe pritet emërimi i anëtarëve të saj. Në total nga 9 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, 3 anëtarë i propozon Kuvendi, 3 Presidenti i Republikës dhe 3 të tjerë i cakton Gjykata e Lartë. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi po bën vlerësimin e 6 kandidaturave që janë përzgjedhur deri tani. Nga këto vetëm 4 do të zgjidhen si anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese.
Procedura mund të kthehet në problematike pasi përjashtimi nga gara i disa kandidatëve për GJK ka lënë pa kandidatë një vakancë të Presidentit dhe një të Kuvendit. Nëqoftëse këto dy institucioni nuk koordinohen dhe përzgjedhin të njëjtët emra nga lista me 4 kandidatë, procedura duhet të nisë nga e para. /Opinion.al