Kuvendi ka miratuar me 97 vota pro projekt-rezolutën për shmangien e krizës Kushtetuese.
Kjo rezolutë me titull “Mbi nevojën e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese” parashikon rishikimin e legjislacionit për të penguar krijimin e situatave bllokuese në të ardhmen si edhe një thirrje ndaj të gjitha institucioneve për të mos zbatuar dekretin e Presidentit për emërimin në Gjykatën kushtetuese të Marsela Xhaferllarit.
Emërimi i kësaj të fundit në të njëjtin vend të zënë më parë nga gjykatësja Arta Vorpsi ka sjellë një krizë kushtetuese sipas rezolutës së Kuvendit.
“Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se Dekreti i Presidentit nr.11350, datë 13.11.2019 është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në mungesë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë. Presidenti ka kryer një akt të paprecedent duke tentuar të pezullojë një proces kushtetues me procedura ligjore administrative. Duke vepruar në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit, Presidenti ka tentuar të bllokojë emërimin/zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që sjell zvarritjen e rifillimit të funksionimit të kësaj Gjykate”, shkruhet ndër të tjera në projekt rezolutë. /Opinion.al