Kryesore

Kuvendi hedh poshtë argumentat e presidentit, rrëzohen 3 dekretet e Metës


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 17:05 - 18/06/20 |
Al Do

Kuvendi votoi sot për rrëzimin e tre dekreteve të Presidentit Ilir Meta i cili kishte kërkuara rishikimin e tre ligjeve. Shumica e socialistëve, sëbashku me disa deputetë të opozitës në parlament rrëzuan dekretet për kthimin e ligjit për aktivitetet e turizmit detar, heqjen e TVSH-së për jahtet dhe për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

Kuvendi kishte miratuar rreth një muaj më parë ligjin që përjashton nga TVSH “importimin e jahteve dhe mjeteve të tjera ujore, që përdoren për qëllime turistike, kënaqësie dhe argëtimi, jo më të vjetra se 20 vjet, që përfshihen në kodin 8903, të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave”.

Presidenti Meta argumentoi se ky ligj nuk ishte në harmoni me nevojat emergjente të vendit, si dhe me parashikimet e Institucioneve Financiare, të cilat raportojnë për përkeqësimin e situatës ekonomike në vendin tonë. Por Kuvendi votoi sot me 83 vota kundër, 16 pro dhe 7 abstenim duke e rrëzuar dekretin e presidentit.

Me 84 vota u rrëzua edhe ligji për aktivitetin e turizmit detar. Presidenti Meta kishte argumentuar kundër gjobave të parashikuara, certifikimit nga ministri për subjektet dhe që ligji kishte terma që nuk ishin në gjuhën shqipe.

Dekreti i tretë që u rrëzua lidhet me prokurimet në fushën e mbrojtjes. Sipas Presidentit, ky ligj që ka në thelb procedurën për furnizimin me pajisje ushtarake, të klasifikuara, mallra apo shërbime cenon parimet e rëndësishme kushtetuese. Meta vijon më tej duke theksuar se ky ligj shmang procedurat e hapura për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë dhe ul ndjeshëm mundësia e biznesit vendas për pjesëmarrje, por edhe këto pretendime socialistët i rrëzuan me 81 vota kundër, 17 pro e 8 abstenim /Opinion.al

Pas