Gjykata Kushtetuese ka vendosur mos-kalim për shqyrtim në seancë plenare, të kerkesës së Dritan Rexhepit për shfuqizim të vendimit të Gjykatës së Lartë të 27 nëntor 2020, që kishte lënë në fuqi dënimin me 25 vite burg dhënë ndaj tij nga Gjykata për Krimet e Rënda për akuzën e “vrasjes me paramendim”.
Rexhepi argumentonte se në kohën e shpalljes së vendimit të Gjykatës së Lartë kishte qenë duke vuajtur një dënim me burg në Ekuador, si dhe vonesat postare për prokurën e lëshuar në Ekuador për avokatë e rinj në Shqipëri.
Pavarsisht pretendimeve trupa gjykuese e “Kushtetueses”, vendosi njëzëri moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare.
VENDIMI I KUSHTETUESES
Rrethanat e çështjes
- Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, pas përfundimit të hetimeve paraprake, ka dërguar për gjykim çështjen penale nr. 13 të vitit 2006 në ngarkim të të tre të pandehurve, konkretisht kërkuesit Dritan (Gramoz) Rexhepi (Rexhepaj) dhe shtetasve Sh.S. e S.H., për akuzën e kryerjes së veprave penale “Vrasja për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, në bashkëpunim, “Vrasja për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, në bashkëpunim, “Vrasja me dashje”, në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”, të parashikuara nga nenet 79/c-25, 79/c-25, 76-25 dhe 278/2 të Kodit Penal (KP).
- Pas shqyrtimit të çështjes, me vendimin nr. 13, datë 20.02.2009, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, ndër të tjera, ka vendosur deklarimin fajtor të kërkuesit për veprat penale për të cilat akuzohej, duke e dënuar përfundimisht me burgim të përjetshëm. Pas ankimimit të tij nga tre të pandehurit dhe Prokuroria për Krime të Rënda, ky vendim është prishur dhe çështja është kthyer për rigjykim me vendimin nr. 30, datë 28.05.2009 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila ka konstatuar se në gjykimin në shkallë të parë ishin lejuar shkelje të rënda procedurale lidhur me njoftimin e kërkuesit dhe zhvillimin e gjykimit në mungesë të tij.M e vendimin nr. 00-2009-194 (465), datë 25.09.2009, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur mospranimin e rekursit të paraqitur nga Prokuroria.
- Në rigjykimin e çështjes, ndërsa kërkuesi nuk ka qenë i pranishëm, gjykata e shkallës së parë ka bërë ndarjen e procedimit penal. Fillimisht është gjykuar çështja penale në ngarkim të shtetasve Sh.S. dhe S.H., të cilët, me vendimin nr. 53, datë 29.12.2010, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda i ka deklaruar fajtorë dhe dënuar me burgim. Mbi
ankimin e tyre, me vendimin nr. 33, datë 31.05.2011, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka prishur vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe ka pushuar çështjen penale, me arsyetimin se nuk vërtetohej fajësia e tyre për veprat penale që akuzoheshin. Kundër këtij vendimi ka ushtruar rekurs Prokuroria, për të cilin, me vendimin nr. 00-2012-1543, datë
06.12.2012, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur mospranimin. - Në lidhje me çështjen penale në ngarkim të kërkuesit, rigjykimi është zhvilluar në mungesë të tij dhe në prani të një mbrojtësi të caktuar kryesisht. Me vendimin nr. 51, datë 06.06.2013, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka vendosur deklarimin e tij fajtor për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, në bashkëpunim, “Plagosja e rëndë me dashje me pasojë vdekjen” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, dhe në bazë të neneve 78-25, 88/2-25 dhe 278/2 të KP-së, sipas përmbajtjes së tyre në kohën e kryerjes së veprave penale, si dhe të nenit 55 të këtij kodi, e ka dënuar përfundimisht me 25 vjet burgim. Kundër këtij vendimi kanë ushtruar ankim prokurori i çështjes dhe mbrojtësi i kërkuesit.
- Me vendimin nr. 69, datë 07.10.2013, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, si dhe mospranimin e rekursit të paraqitur nga mbrojtësi i kërkuesit. Kundër këtij vendimi ka paraqitur rekurs Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, si dhe mbrojtësi i
kërkuesit. - Ndërkohë, mbrojtësi i zgjedhur nga kërkuesi me prokurën e posaçme nr. 1016 rep., nr. 954 kol., datë 19.11.2013i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda me kërkesë për rivendosjen në afat të së drejtës së ankimit ndaj vendimit nr. 51, datë 06.06.2013 të kësaj gjykate. Me vendimin nr. 1, datë 09.01.2014, gjykata ka pranuar kërkesën, për shkak se kërkuesi ishte gjykuar në mungesë në gjykatën e shkallës së parë, ishte mbrojtur nga një mbrojtës i caktuar kryesisht dhe ndonëse ky mbrojtëska paraqitur ankim ndaj vendimit të saj nr. 51, datë 06.06.2013, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka vendosur mospranimin e tij, ndër të tjera, edhe me arsyetimin se mbrojtësi nuk legjitimohej në paraqitjen e ankimit, pasi kërkuesi nuk ia kishte dhënë në mënyrë të shprehur këtë të drejtë.
- Pas rivendosjes në afat të së drejtës së ankimit, çështja penale në ngarkim të kërkuesit është regjistruar në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Kjo e fundit, pasi ka ardhur në dijeni të faktit që çështja njëkohësisht ndodhej për shqyrtim edhe në Gjykatën e Lartë, ka vendosur pezullimin e gjykimit të çështjes deri në përfundim të gjykimit nga kjo
gjykatë. - Në vijim, me vendimin nr. 00-2015-653, datë 02.04.2015, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur mospranimin e rekurseve të paraqitura nga prokurori dhe mbrojtësi i të gjykuarit kundër vendimit nr. 69, datë 07.10.2013 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda. Për sa i përket rekursit të paraqitur nga mbrojtësi i caktuar kryesisht për kërkuesin, Gjykata e Lartë ka vlerësuar se ai ishte bërë nga një person i palegjitimuar.
- Pas rënies së shkakut të pezullimit, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka revokuar vendimin e pezullimit dhe ka vijuar shqyrtimin e çështjes mbi ankimin e paraqitur nga mbrojtësi i zgjedhur nga kërkuesi. Në përfundim të gjykimit, me vendimin nr. 59, datë 18.05.2015, ajo ka vendosur lënien në fuqi të vendimit nr. 51, datë 06.06.2013 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Kundër këtij vendimi mbrojtësi i zgjedhur nga kërkuesi ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë, Kolegji Penal i së cilës, me vendimin nr. 00-2017- 578, datë 22.06.2017, ka vendosur mospranimin.
- Kërkuesi i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese (Gjykata) me kërkesë për shfuqizimin si të papajtueshme me Kushtetutën të vendimit nr. 59, datë 18.05.2015 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda dhe të vendimit nr. 00-2017-578, datë 22.06.2017 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Me vendimin nr. 8, datë 19.03.2018, Gjykata ka pranuar kërkesën duke shfuqizuar vendimin nr. 00-2017-578, datë 22.06.2017 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe duke ia dërguar asaj çështjen për rishqyrtim.
- Në rishqyrtimin e çështjes, me vendimin nr. 00-2020-490, datë 27.11.2020, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, ka vendosur mospranimin e rekursit të kërkuesit.
- Në datën 04.08.2023 kërkuesi i është drejtuar sërish Gjykatës me kërkesë për shfuqizimin e vendimit nr. 00-2020-490, datë 27.11.2020 të Gjykatës së Lartë. Me vendimin e datës 30.10.2023, Kolegji i Gjykatës, në bazë të nenit 31, pika 2, të ligjit nr. 8577/2000 ka vendosur kthimin e kërkesës për plotësim të metash, brenda 15 ditëve nga marrja dijeni e vendimit, me qëllim të paraqitjes nga kërkuesi të provave dhe argumenteve në drejtim të plotësimit të kriterit rationetemporis. Në datën 22.11.2023 kërkuesi ka paraqitur argumente shtesë në mbështetje të pretendimeve të tij. Në vijim, në datën 01.12.2023, Kolegji i Gjykatës ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim paraprak në Mbledhjen e Gjyqtarëve.
Pretendimet e kërkuesit
- Kërkuesi, në mënyrë të përmbledhur, ka pretenduar se i janë cenuar:
13.1. Standardi kushtetues për zbatimin e vendimeve të Gjykatës, pasi Gjykata e Lartë e ka rishqyrtuar çështjen vetëm formalisht, duke mos iu përmbajtur vendimit nr. 8/2018 të Gjykatës ose rekursit të tij.13.2. E drejta për proces të rregullt ligjor, në drejtim të:
13.2.1. Së drejtës së aksesit dhe ankimit substancialnë lidhje me detyrimin për zbatimin e vendimeve të Gjykatës, për shkak të marrjes së vendimit nga Gjykata e Lartë në dhomën e këshillimit. Arsyetimi i vendimit nr. 8/2018 të Gjykatës e bënte të domosdoshëm kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë gjyqësore.
13.2.2. Standardit të arsyetimit të vendimit gjyqësor në lidhje me detyrimin për zbatimin e vendimeve të Gjykatës, në drejtim edhe të së drejtës për t’u dëgjuar, pasi Gjykata e Lartë ka lënë pa trajtuar pretendimet e tij, pavarësisht se ato janë vlerësuar të një natyre kushtetuese nga Gjykata.
Ajo nuk ka trajtuar pretendimet e parashtruara në rekurs në lidhje me dëshmitë e dhëna nga shtetas të tjerë, të cilët referojnë për fakte të mësuara nga persona të tretë që kanë ndërruar jetë, të përdorura në gjykim në bazë të nenit 154/2 të Kodit të Procedurës Penale (KPP).
Këto pretendime nuk kishin të bënin me vlerësimin e provave, por me ligjshmërinë dhe përdorshmërinë e tyre në gjykim. Po kështu, ajo nuk ka arsyetuar për pretendimet e tij se është dënuar në bazë të provave të marra në kundërshtim me ligjin ose për ekzistencën e dy vendimeve diametralisht të kundërta për të njëjtin fakt penal. Referenca e kësaj gjykate në ligj nuk zëvendëson arsyetimin.
13.3. Parimi i mosdeklarimit fajtor mbi bazën e provave të mbledhura në mënyrë të paligjshme, pasi deklarimet e shtetasit Sh.S., si provat bazë mbi të cilat është mbështetur deklarimi i fajësisë së tij, janë konsideruar të papërdorshme nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, sepse janë marrë në shkelje të dispozitave të KPP-së. Sipas gjykatave, veprat penale për të cilat ai është deklaruar fajtor janë kryer në bashkëpunim me shtetasit Sh.S. dhe S.H., të cilët, me vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda janë liruar nga akuza, për shkak se fajësia e tyre nuk është provuar. Pra, pavarësisht se bëhet fjalë për të njëjtën ngjarje e të njëjtat prova, ato janë vlerësuar në mënyrë të ndryshme nga e njëjta gjykatë.
13.4. Parimi i sigurisë juridike, pasi gjykatat kanë trajtuar të njëjtën provë në mënyra të ndryshme brenda të njëjtit proces, duke dhënë vendime diametralisht të kundërta. Pavarësisht se është ndarë për shkaqe procedurale, substancialisht çështja vazhdon të mbetet një e vetme. Gjykatat a zakonshme janë kontradiktore, pasi, nga njëra anë, i referohen vendimit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, që i ka konsideruar të pavlefshme deklarimet e bashkëpandehurit Sh.S., nga ana tjetër, nuk marrin parasysh përfundimet e arritura prej tij në lidhje me provat kryesore të procesit të zhvilluar ndaj tij.
13.5. Parimi i prezumimit të pafajësisë dhe parimi i barazisë së armëve, pasi, pa asnjë arsyetim, gjykatat e faktit kanë refuzuar administrimin e provave kyçe të kërkuara, që vërtetonin pafajësinë e tij, ndërsa kanë pranuar çdo provë të organit të akuzës, duke e vënë kërkuesin në kushte pabarazie me këtë organ.
Po kështu, procesverbalet e njohjes me fotografi, si një ndër provat kryesore mbi bazë të të cilave ai është deklaruar fajtor, janë mbajtur, pasi fotot e tij si i dyshuar për kryerjen e veprës penale, ishin publikuar në televizion dhe në shtypin e shkruar,për rrjedhojë këto procesverbale duhej të ishin shpallur të pavlefshme e të papërdorshme nga gjykatat.
Vlerësimi i Mbledhjes së Gjyqtarëve
- Çështja e legjitimimit (locusstandi) është vlerësuar nga Gjykata si një ndër aspektet kryesore që lidhet me nisjen e një procesi kushtetues. Sipas neneve 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pikat 1, shkronja “i” dhe 2, të Kushtetutës, si dhe nenit 71 të ligjit nr. 8577/2000, çdo individ, person fizik ose juridik, subjekt i së drejtës private dhe publike, mund të vërë në lëvizje Gjykatën për gjykimin përfundimtar të ankesave kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor, që cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë. Ankimi kushtetues individual, në çdo rast, duhet të plotësojë kriteret e nenit 71/a të ligjit nr. 8577/2000, që lidhen me shterimin e mjeteve juridike efektive, afatin e paraqitjes së kërkesës, pasojat negative të pësuara në mënyrë të drejtpërdrejtë e reale, mundësinë për rivendosjen e së drejtës së shkelur, si dhe rregullimet e veçanta ligjore të shqyrtimit paraprak të kërkesës. Kriteret për pranueshmërinë e kërkesës janë kumulative, në kuptimin që mjafton mosplotësimi i njërit prej tyre që kërkuesi të mos legjitimohet për vënien në lëvizje të gjykimit kushtetues.
- Kërkuesi, si individ, legjitimohet rationepersonae, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pika 1, shkronja “i”, të Kushtetutës, pasi ka qenë palë në procesin gjyqësor ndaj të cilit ka ngritur pretendime në këtë Gjykatë dhe ka interes të drejtpërdrejtë në çështjen e parashtruar.
- Për sa i përket kriterit të shterimit të mjeteve juridike efektive, në kuptim të nenit 131, pika 1, shkronja “f”, të Kushtetutës, Gjykata vendos për gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike efektive për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese, që individi pretendon se i janë cenuar nga akti i pushtetit publik. Qëllimi i këtij neni të Kushtetutës është, ndër të tjera, të mundësojë, brenda sistemit gjyqësor të zakonshëm, parandalimin ose riparimin e shkeljeve të pretenduara, përpara se të tilla pretendime të paraqiten në Gjykatë (shih vendimet nr. 12, datë 24.05.2022; nr. 5, datë 22.02.2022 të Gjykatës Kushtetuese).
17. Në rastin konkret, Mbledhja e Gjyqtarëve vëren se kërkuesi i është drejtuar Gjykatës me ankim kushtetues individual pas përfundimit të procesit gjyqësor në të tria shkallët e gjyqësorit të zakonshëm pasi ka shteruar mjetet e ankimit ndaj vendimeve të gjykatave më të ulëta, përfshirë edhe gjykimin në këtë Gjykatë, ndërkohë që për pretendimet për procesin gjyqësor të zhvilluar në Gjykatën e Lartë ai nuk ka mjet tjetër juridik në dispozicion për mbrojtjen e të drejtave të tij kushtetuese, përveç ankimit kushtetues individual.
18. Mbledhja e Gjyqtarëve thekson se një ndër kriteret për të ushtruar ankim kushtetues individual është edhe ai i parashikuar në nenin 71/a, pika 1, shkronja “b”, të ligjit nr. 8577/2000, i cili përcakton afatin ligjor 4-mujor për paraqitjen e kërkesës në Gjykatë nga konstatimi i cenimit.
- Në rastet e kundërshtimit të vendimeve gjyqësore, Gjykata e ka llogaritur afatin ligjor 4-mujor, duke filluar nga data e shpalljes së vendimit nga gjykata që ka përfunduar procesin gjyqësor, pra nga organi gjyqësor që përbën mjetin e fundit ankimor, nëse kërkuesi nuk provon në nivel kushtetues se ka marrë dijeni në një datë të ndryshme. Në rastin kur ankimi ka të bëjë me një vendim të Gjykatës së Lartë, Gjykata ka vlerësuar se si datë e fillimit të afatit ligjor për paraqitjen e ankimit kushtetues individual, që i korrespondon momentit të konstatimit të cenimit, në kuptim të nenit 71/a, pika 1, shkronja “b”, të ligjit nr. 8577/2000, është data në të cilën vendimi i arsyetuar i Gjykatës së Lartë bëhet i disponueshëm për palët përmes depozitimit të tij në sekretarinë gjyqësore dhe publikimit në faqen zyrtare ose me njoftimin elektronik të tij, në rast se palët kanë lënë të dhënat elektronike të kontaktit (shih vendimin nr. 42, datë 19.09.2023 të Gjykatës Kushtetuese).
20. Në rastin konkret, Mbledhja e Gjyqtarëve vëren se në ankimin kushtetues individual kërkuesi ka kundërshtuar vendimin nr. 00-2020-490, datë 27.11.2020 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Kërkesa është depozituar në shërbimin postar në datën 04.08.2023, pra prima faciehaptazi jashtë afatit ligjor 4-mujor të përcaktuar nga neni 71/a, pika 1, shkronja “b”, i ligjit nr. 8577/2000.
21. Në lidhje me përmbushjen e këtij kriteri, kërkuesi ka pretenduar se në kohën e dhënies së vendimit të kundërshtuar nga Gjykata e Lartë ka qenë duke vuajtur dënimin me burgim në një institucion penitenciar në Ekuador. Një muaj përpara dhënies së këtij vendimi, konkretisht në datën 19.10.2020, për shkak të pamundësisë së mbrojtësit S.D. për të vijuar me realizimin e mbrojtjes, përmes një akti noterial ka revokuar prokurën e posaçme nr. 1016 rep., nr. 954 kol., datë 19.11.2013 të lëshuar ndaj tij. Pavarësisht se nuk ka njoftuar Gjykatën e Lartë për revokimin e kësaj prokure, vendimi nuk i është komunikuar as mbrojtësit S.D.
22. Po sipas kërkuesit, pas revokimit në datën 19.10.2020 të prokurës së posaçme të lëshuar ndaj avokatit S.D., në datën 30.11.2022, me prokurë të posaçme të hartuar përpara një noteri në Ekuador, ka emëruar si përfaqësues të tij avokatët Bledar Dumani dhe Joana Qeleshi.
Kjo prokurë, e dërguar përmes shërbimit postar, është marrë në dorëzim nga këta të fundit në dhjetor të vitit 2022. Në vijim, bazuar në nenin 43 të Kodit të Etikës së Avokatit, këta mbrojtës kanë bërë përpjekje për të kontaktuar me avokatin e mëparshëm S.D., aktiviteti i të cilit rezultonte “i çregjistruar” nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Pasi kanë arritur të kontaktojnë me familjarët e tij, janë vënë në dijeni për gjendjen jo të mirë shëndetësore të S.D. Vetëm në mars të vitit 2023 ky i fundit ka qenë në kushte të tilla shëndetësore për t’u takuar dhe për të diskutuar me mbrojtësit Bledar Dumani dhe Joana Qeleshi në lidhje me çështjen penale në ngarkim të tij. Në vijim, pas nënshkrimit në datën 20.03.2023 të deklaratës për heqjen dorë nga mbrojtja të avokatit S.D. dhe dorëzimin e akteve avokatëve të rinj, përfaqësuesja ligjore JoanaQeleshi i është drejtuar Gjykatës së Lartë me kërkesë për informacion në lidhje me çështjen penale në ngarkim të tij, së cilës kancelari i kësaj gjykate i është përgjigjur përmes shkresës nr. 1816/1 prot., datë 03.04.2023, të njoftuar kësaj përfaqësueseje në datën 04.04.2023.
23. Mbledhja e Gjyqtarëve vëren se, sipas informacionit të marrë me shkresën nr. 5733/1 prot., datë 10.11.2023 të kancelarit të Gjykatës së Lartë, vendimi nr. 00-2020-490, datë 27.11.2020 i Kolegjit Penal të kësaj gjykate është publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë në datën 16.02.2021, datë kur palët mund ta dispononin atë.
24. Sipas kërkuesit, konstatimi i cenimit të së drejtës lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të pashmangshme me marrjen dijeni për vendimin dhe arsyetimin e gjykatës. Momenti i marrjes dijeni prej tij për vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë është data 04.04.2023 kur kopja e vendimit është vënë në dispozicion të përfaqësuesve ligjorë. Po sipas tij, njoftimi i vendimit të Gjykatës së Lartë në faqen e saj zyrtare paraqet problematika të karakterit kushtetues, të konstatuara si nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në disa çështje kundër Shqipërisë, ashtu edhe nga Gjykata e Lartë, e cila ka parashtruar këtë problematikë në propozimet drejtuar Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvend për ndryshimin e dispozitave procedurale mbi njoftimin e vendimeve të saj.
25. Nga materialet e depozituara nga kërkuesi në plotësim të ankimit kushtetues individual, konkretisht akti “Plotësim i të metave të kërkesës” të datës 17.11.2023, të regjistruar në Gjykatë në datën 22.11.2023, Mbledhja e Gjyqtarëve konstaton se kërkuesi, ndërsa pranon se në fund të vitit 2021 ka përfituar nga regjimi i lirisë së kontrolluar, shprehet, gjithashtu, se deri në datën 06.04.2023, kur është dhënë vendimi i Njësisë Gjyqësore të Specializuar për Garancitë e Vuajtjes së Dënimit me qendër në kantonin Guayaquil, ka qenë duke vuajtur dënimin penal për llogari të autoriteteve të Ekuadorit (shih aktin “Plotësim i të metave të kërkesës”, faqet 7, 9 dhe 11, paragrafët 25, 35 dhe 40, shkronja “a”). 26. Nga ana tjetër, Mbledhja e Gjyqtarëve vëren se kërkuesi i është drejtuar Gjykatës me kërkesë pas mbi 2 vjetësh e 5 muaj nga zbardhja e vendimit të kundërshtuar të Gjykatës së Lartë.
Për sa u përket pretendimeve të tij për momentin e marrjes dijeni për këtë vendim, Mbledhja e Gjyqtarëve i çmon ato të paargumentuara në aspektin kushtetues, pasi kërkuesi nuk ka arritur të provojë pamundësinë e përfaqësuesve ligjorë Bledar Dumani dhe Joana Qeleshi për t’u informuar për fazën e gjykimit të çështjes në Gjykatën e Lartë në momentin e disponimit të prokurës së posaçme të lëshuar ndaj tyre. Po kështu, edhe argumentet e parashtruara në lidhje me veprimet e kryera nga këta mbrojtës, bazuar në nenin 43 të Kodit të Etikës së Avokatit, nuk janë të një natyre të tillë që përligjin paraqitjen e ankimit kushtetues individual jashtë afatit ligjor 4-mujor. Për më tepër, krahas faktit se, ashtu siç pranon edhe vetë, kërkuesi nuk ka njoftuar Gjykatën e Lartë për revokimin e prokurës së lëshuar për mbrojtësin S.D., Mbledhja e Gjyqtarëve vëren edhe se në ankimin kushtetues individual ai nuk ka parashtruar asnjë argument kushtetues për mospërzgjedhjen e përfaqësuesve të tjerë ligjorë në momentin e revokimit të kësaj prokure.
27. Për sa më sipër, në këndvështrim të jurisprudencës kushtetuese, që në rastin e kundërshtimit të vendimit të Gjykatës së Lartë ka përcaktuar si datë të fillimit të afatit ligjor për paraqitjen e ankimit kushtetues individual atë kur vendimi i arsyetuar i kësaj gjykateështë bërë i disponueshëm për palët, Mbledhja e Gjyqtarëve vlerëson se në rastin konkret kërkuesi nuk ka arritur të argumentojë, nga pikëpamja kushtetuese, legjitimimin e tij rationetemporis për kundërshtimin e vendimit nr. 00-2020-490, datë 27.11.2020 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
28. Për rrjedhojë, në këndvështrim të sa më lart,Mbledhja e Gjyqtarëve vlerëson se ankimi kushtetues individual është paraqitur tej afatit ligjor 4-mujor, të parashikuar nga neni 71/a, pika 1, shkronja “b”, i ligjit nr. 8577/2000. 29. Në përfundim, Mbledhja e Gjyqtarëve çmon se kërkesa nuk plotëson kriteret ligjore për kalimin e saj për shqyrtim në seancë plenare.
PËR KËTO ARSYE
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese , në bazë të neneve 31 dhe 31/a, pika 2, shkronja “ç”, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njëzëri,
V E N D O S I:
Moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare.