Teksa mbështeti veprimet e Presidentit Ilir Meta, për Gjykatën Kushtetuese, ish kryeministri Sali Berisha tregoi se çfarë nuk do të bënte ai po të ishte në krye të shtetit.
“Në fakt unë për sa i përket emërimeve absolutisht nuk kisha pranuar kurrë 4 kandidatë për 12. Unë këtë nuk e bëja. Kushtetuta e detyron KED-në të sjellë 12. Kjo është një shkelje shumë, shumë e rëndë”, deklaroi Berisha.
Por sipas tij edhe pse Presidenti e di shumë mirë këtë, ka vepruar vetëm me dëshirën e mirë për të ngritur sa më parë Gjykatën Kushtetuese.
“Presidenti ka një presion, presioni i presidentit e shtyn atë që të bëjë veprime që ta plotësojë sa më parë Gjykatën Kushtetuese”, theksoi Berisha.
Një koment e pati edhe për ata që mbështesin kryeministrin Rama, në këtë debat.
“Reforma ka përfunduar e tërë e kapur nga mafia e Edi Ramës. Unë i shpreha solidaritetin tim Presidentit, rëndësi të madhe ka që shqiptarët ta dinë se janë disa momente kritike. Marrin deklarata mbështetjeje, por asnjë nga këto veprime nuk përtypet nga ato vende që marrin vendimin për hapjen e negociatave”, tha Berisha. / Opinion.al