“Ahmet Zogu është djalë i ri, 31- vjeçar, por serioz, që flet me zë të ulët dhe në një mënyrë modeste. Asnjë person që e takon atë nuk mendon se ai është nga ata njerëz që kanë luftuar dhe kanë qenë prijës që në moshën 18-vjeçare. Ai i priste vizitorët e tij mjaft thjesht. Një sekretar i veshur me uniformë i drejtonte ata sipër një palë shkallëve të larta druri me një rrip të kuq dhe i shoqëronte ata drejt një dhome me mure blu, me gjatësinë e shtëpisë. Ajo ishte e mbuluar kryesisht me rrugica orientale, të pasura. Në njërin cep të dhomës varej portreti i spikatur i Presidentit me një mbretërim të plotë, ndërsa në tjetrin, prapa një tryeze pune, lartohet figura e një njeriu energjik dhe të sjellshëm, me një kostum gri të mrekullueshëm e me një kollare të kombinuar, çorape mëndafshi dhe këpucë të sheshta, një shami të vendosur me mjaft kujdes në xhepin e sipërm të xhaketës.”
Kështu e portretizon Presidentin Ahmet Zogu, Anne O’Hare Mçormick, korrespondente e “Nju Jork Times” në artikullin e 20 marsit 1927. Gazetarja duket e impresionuar dhe mbase nuk ka faj. Në Europën e atyre viteve një president 31- vjeçar nuk ishte gjë e zakonshme. Aq më tepër një President që kishte qenë anëtar i Kuvendit të Pavarësisë së vendit në moshën 17 vjeç, ministër i Brendshëm 25 dhe Kryeministër, 27. Por të portretizoje liderin e një vendi oriental që sapo kishte nisur të hidhte bazat e shtetit nuk duket e thjeshtë. As për një gazetare të një të përditshjme prestigjioze si “Nju Jork Time”! Gjithsesi, ajo që i bashkon ata që kanë përshkruar takimin e parë me të, është befasimi. Pothuajse për të gjithë, përballja ka qenë e ndryshme nga ajo që ata prisnin. Zhysten Godar, deputet francez dhe mjaft i lidhur me Shqipërinë, e takoi së pari në vitin 1921. Ja si e përshkruan në ditarin e tij këtë takim:
“1 Prill 1921, e premte
Erdhi Ahmet Bej Zogu, deputet i Matit, një djalë i ri shumë aristokrat, që duket se respektohet. Me siguri ky njeri do të luajë një rol në të ardhmen. Dyshoj nëse ai e ka idenë e interesit të përgjithshëm. Tek ai pashë vetëm ambicie të ftohtë. Ishte shumë i sjellshëm në bisedë.”
Pietro Kuarone, një diplomat italian që ka shkruajtur padyshim portretin më interesant të tij, e rrëfen kështu takimin e tyre të parë:
“E kisha parë shpesh mbretin në fotografi me një uniformë të bukur të bardhë, pak teatrale, prandaj po provoja njëfarë habie kur u ndodha përballë një njeriu krejt të ndryshëm. Flokët biondë, të çelët pak të rrallë mbi ballë, një hundë shqiponje, mustaqe të vogla bionde, sy te kaltër të mrekullueshëm të tejpashëm, dhëmbë të bardhë e të rregullt, një buzëqeshje dhe ëmbëlsi e skajshme, një zë i hollë e tingëllues,me ndryshime çuditërisht rinore, një qafë e gjatë, e hollë në tërësi, pamje e një burri të ri mjaft timid.
Shumë i hequr,trupmadh e mjaft i përpjestuar, e mbante bukur uniformën fushore ngjyrë kaki me prerje pak si austriake. Asgjë tek ai nuk dëshmonte një sovran të pakkohshëm. Pamja e tij e përgjithshme ishte jo vetëm e stërholluar, por pothuaj dekadente.”
Zogu ishte i sjellshëm. Ai dinte të prezantohej me të huajë dhe me gjasë, në këtë drejtim ka luajtur rol shkollimi në Stamboll. Mbi të gjitha dy vjetët e rëndësishme të jetës që kaloi në Vjenë. Biografët kanë shënuar se gjatë gjithë jetës, ai pati pamjen e një oficeri austriak dhe i imitonte ata në veshje dhe sjellje. Në Shqipërinë e atyre viteve, Zogu nuk ishte as ndër më të kulturuarit e të rafinuarit, si Faik Konica, Eqrem Bej Vlora, Fan Noli, por as ndër më oriantalët siç ishte shumica e politikanëve shqiptarë. Ai ishte çuditërisht një miksim i orientit me perëndimin. Një miskim i Perandorisë Osmane me atë Austro – Hungareze. Është befasuese, se si tek ky njeri, ngjizeshin e mishëroheshin dy modele dhe dy filozofi politike që nuk u miksuan dot kurrë në 200 vjetët e fundit. Gazetarja e “Nju Jork Time”, e përshkruan kështu dyzimin e tij:
“Përveç një dukje orientale në përkujdesin e tij dhe syve të përqëndruar, ai ngjante më shumë me perëndimorët. Ai ishte një njeri i qytetërua,; me dinjitet dhe që nuk mbante qëndrim. Nëse ai shfaqej pak i shqetësuar dhe nervoz në mënyrën e tij, ishte pa dyshim ,sepse ai nuk ishte mësuar me intervistat, e aq më tepër me gazetaret femra.”
Vështirë që në historinë e Shqipërisë të gjesh një figurë më të vështirë për t’u përkufizuar. Si gjithë gjërat e papërcaktuara mirë, ai nuk mund të përmblidhet në një fjali. Një paragraf i tërë po ashtu nuk mjafton për t’i dhënë formë karakterit të tij. Për Orientalët ai ishte shumë oksidental, për oksidentalët, ai zbatonte stilet më bizantine të Orientit. Asnjëra palë nuk e pranonte edhe pse kjo nuk e pengoi që në jetë t’u imponohej të dyja palëve. Afronte herë njërën e herë tjetrën. Dukej sikur njëherë ecte para dhe njëherë kthehej mbrapsht. Një personazh mjaft i denjë për psikologët, siç e quante Faik Konica, por që fatkeqësisht pak prej tyre janë marrë me të.
“…duam a nuk duam ne, ai mbetet një karakter interesant dhe enigmatik, një përzierje pa kriter kontradiktash të ndryshme, gjysmë hero dhe gjysmë bufon, për të cilin do të interesohen si grumbulluesi i fakteve historike të çuditshme, ashtu dhe studiuesi i psikologjisë”.
Kujtimet reale dhe të zhveshura nga mëritë e momentit thuajse nuk ekzistojnë. Të gjithë ata që e kanë përkufizuar, për mirë apo për keq, e kanë bërë këtë në momente lajkatimi apo zemërimi. Të qenit objektiv thuajse nuk ka lidhje me përshkrimet që i bëjnë. Kuarone është ndoshta i vetmi që ka lënë një lloj dëshmie, edhe pse, në të ndihet tërheqja që ushtron një njeri me pushtet. Po përmbledh diçka nga përshkrimi i tij me bindjen që askush tjetër nuk do ta bënte më mirë:
“ Zogu dinte, me raste, të shpaloste një joshje fort të stërholluar dhe të përdorte një buzëqeshje të mrekullueshme, të mbuluar sapak me një vello melankolie krejt romantike. Ju vështronte krejt në sy me një shprehje simpatike! Toni i zërit të tij ishte i ngrohtë, tinzar dhe si i vulosur me një rezervë prej adoleshenti, të folurit e tij, i thjështë, i qartë, nganjëherë me aluzione të shkurtra për problemet politike e personale. Përnjëherësh, të jepte bile përshtypjen se po të linte të depertoje në intimitetin e vet: këndej andej, një gjysmë konfidencë, duke arritur të japë ndjenjën e një sinqeriteti të madh, që në njëfarë kuptimi nuk ishte mashtrues. Shkurt, një personalitet fort kompleks. Dhe e pyesje veten menjehere:-Si dreqin ka mundur të bëhet zot absolut i një vendi kaq të trazuar dhe t’i mbajë gjithë këta lloj njerëzish në një gjendje të shquar…?
Nga ndonjëherë, por mjaft rrallë, një gjest, një qëndrim, ju zbulonin fytyrën tjetër të tij. Në raste të rralla, JO e tij dilte si një e shtënë. Burri atëherë transformohej: bëhej dyllë i verdhë, tiparet e tij tendoseshin, buzët i bëheshin më të holla, vështrimi i ngulët, i ftohtë, plot me një dritë të keqe. Befas ai plakej nja 20 vjet. Me dorën e tij të djathtë, pak nervoze, përdridhte mustaqet, ose më shpesh, kreshpëronte grushtet mbi brrylësat e kolltukut.”
Zogu ndërmori disa reforma të rëndësishme emancipuese, por stili i punës i ngjante shumë atij të një sunduesi oriental.
Ai nuk thoshte kurrë atë që mendonte. Ai priste që ministrat e tij, bashkëpunëtorët, ta merrnin vetë me mend mendimin e tij dhe pastaj t’ia impononin atij vetë. Atëhere, përfundimisht, ai nënshtrohej…meqënese ju po ngulni këmbë! Dhe këta fatkeqë të shkretë shtrydhnin trutë për të zbuluar qëllimet e tij, duke e ditur përndryshe se, nëse nuk arrinin t’ia merrnin me mend saktë idetë, atëhere prania e tyre nëe qeveri nuk kishte për të zgjatur shumë.
Stili i komunikimit me vartësit ishte i panjohur për çdo vend të Europës së emancipuar. Kjo sjellje i vononte mjaft marrjet e vendimeve. Asnjë nuk e dinte me saktësi se cili ishte opinioni i vërtetë dhe çfarë donte të thoshte Zogu. Tentativa për të zbuluar se çfarë kishte në kokë ishte një ndërmarrje sfilitëse ,si për diplomatët e huaj ashtu edhe për vartësit. Ugo Sola e përshkruante kështu atë:
“Të supozojmë se do të ishte shtruar në tavolinë një çështje e rëndësishme. Zogu jepte urdhër të vinte njeri nga ministrat e tij dhe, me kusht që të mos ia tregonte askujt, i “ zbulonte” atij thelbin e mendimit te vet, pastaj thërriste një tjetër dhe i thoshte saktësisht krejt të kundërtën. Pastaj thërriste për këtë një të tretë dhe i thoshte fjalë analoge. Djajtë e shkretë mblidheshin , bashkëpërrallisnin, diskutonin, krahasonin të fshehtat e mbretit dhe përpiqeshin kësisoj që të nxirrnin prej tyre qëllimet e mbretit.
Në këtë mënyrë, për të zgjidhur edhe çështjen më të vogël, duhej një kohë e pakufishme, ndoshta ky ishte sistemi më i mirë për të qeverisur shtetasit e tij, ndoshta kjo i jepte kënaqësi. Sidoqoftë, kjo lojë fort e hollë shtrigash dhe ndryshueshmërish i përgjigjej si s’ka më mirë disa anëve të karakterit të tij.”
Në karrierën politike ai premtoi dhe i ktheu premtimet me lehtësinë më të madhe. Në politikën e jashtme u përpoq të ishte me të gjithë dhe po të gjithëve u ktheu fjalën. Përpara vdekjes, Kryeministri i Jugosllavisë, Pashiç që e kishte takuar disa herë, deklaroi se Zogu ishte njeriu që e kishte gënjyer në mënyrën më të pacipë. Diplomatët e tjerë e konfirmojnë po ashtu këtë gjë:
Zogu dinte të gënjente për mrekulli. Ai nuk kënaqej me dredhi dhe me mohime të thjeshta , edhe kur e dinte që ne ishim shumë mirë në dijeni të rrethanave real,; ai bile nuk kënaqej ta zbukuronte versionin e tij me detaje të imta, ai ju ngulte ata dy sytë e mrekullueshëm bojëqielli, mbushur tej e tej me një pafajësi të tillë , saqë sytë e një të porsalinduri, do t’ju dukeshin , në krahasim me të tijtë, plot dashakeqësi. Kaq fort e kaq mirë, saqë ai, fundi i fjalës, arrinte t’u vinte në një pozitë të vështirë .”
Në rini kishte lexuar “Princin” e Makiavelit dhe deri në moshë të thyer ishte ende i magjepsur nga ky libër. Ai po ashtu kishte bindjen se qëllimi justifikon mjetin. Luftoi mjaft kundërshtarë, por s’pati asnjë vështirësi të ulej dhe të gjente gjuhën me ta kur ia kërkonte nevoja. Parimet morale s’kishin asnjë vlerë për të, madje i përbuzte. Në një shkrim të vitit 1940, pasi la detyrën si ambasador i Shqipërisë në Uashington, Faik Konica, miku, armiku, miku dhe në fund sërish armiku i tij, e përshkruan kështu Ahmet Zogun:
“E përbuz mbretin për këto arsye: e kam ndjekur që kur ishte tetëmbëdhjetëvjeçar, por s’e kam dëgjuar një herë të thotë të vërtetën. S’e ka mbajtur kurrë fjalën e dhënë. Nuk ka kurrfarë ndjenje përgjegjësie. Është i pangopur, egoist, zemërgur, i pandershëm. I urren të gjithë ata që kanë diçka, qoftë kjo kulturë, prejardhje familjare, pasuri, ndonjë aftësi në çfarëdo fushe, ose vetëm e vetëm pse janë atdhetarë të ndershëm”.
Emocionet qenë të huaja për të, si dhe gjithë pasionet që njeriu ka në jetë. Pushteti dhe komandimi qenë lumturia, mjerimi dhe droga e tij e vetme. Kuarone kujton se një mbrëmje, pas bisedave të punës, e ftoi për një pije në verandën e vilës së Durrësit, prej nga dukej deti që zhytej në errësirë. Ishte në qejf dhe filloi të rrëfente ngjarjet e jetës,- kujton ai. Në fakt Zogu e bënte këtë gjë shumë shpesh dhe me gjithë të huajtë që takonte. Duke e parë ashtu në qejf dhe të qetë, ndërsa gjerbnim me ngadalë një çaj të zi, kuturisa t’i bëja një pyetje që e kisha në mendje prej kohe, -kujton Kuarone:
-“Madhëri, përse ju shërben kjo, që jeni mbret?Ju punoni si një i dënuar nga mëngjesi në darkë. Kurrë nuk merrni një ditë pushim. Përse të mos zgjidhni një Kryeministër të aftë t’u japë rrugë punëve të përditshme? Kjo mund të bëhet. Ju do të keni kështu kohë të udhëtoni, të studioni…A mund një njeri kaq i ri sa ju të mos ketë kurrë dëshirë ta gëzoje pak jetën?
Zogu qëndroi mendueshëm, vështronte në boshllëk, sipër kokës sime, në drejtim të detit, pastaj, sikur po dilte nga një meditim i thellë u përgjigj ngadalë:
-Padyshim ju keni të drejtë, por a e dini ju se çfarë është përvoja e pushtetit, çdo të thotë të komandosh?”
Zogu e dinte ç‘do të thoshte të komandonte. E kishte mësuar këtë që kur ishte 15 vjeç dhe karizma ishte aftësia e tij kryesore. Ai nuk ishte kandidati ideal për të drejtuar Shqipërinë, por kush mund të ishte ideali në rrethanat e asaj kohe. Zogu ishte thjesht më i përshtatshmi. Edhe pse, karizma, ambiciet dhe vendimet erdhën duke u bjerrur në një dehje vaniteti pa kuptim. Pas vitit 1931, tentoi kinse të dukej si një familje e vërtetë mbretërore ose e besoi këtë. Në ato vite s’kishte asnjë lloj opozite dhe ambienti rreth tij dominohej nga një ton servil, i pabesueshëm. Për këtë mjafton të lexosh shtypin e kohës.
Gazetat perëndimore shpeshherë i kanë kritikuar stilin luksoz të jetës dhe idenë e një oborri mbretëror në një vend që vunte nga varfëria e thellë. Halla e Geraldinës Antuanetë shkruante në ditarin e saj për ditën e fejesës së Mbretit me mbesën e saj:
“Vlera e dhuratave të Mbretit ishte e pallogaritshme: diamante të mëdha, diadema, perla, byzylykë, gjerdanë në një sasi që ne nuk e kishim parë kurrë. Princesha u dhuroi gjithashtu kunatave të saj të ardhshme stoli të zgjedhura nga vetë Mbreti.”
Për vizitën në Vjenë ai harxhoi shuma kolosale që llogariteshin gati sa 1/5 e buxhetit vjetor të Shqipërisë. Planifikoi fonde të mëdha për ngritjen e Pallatit Mbretëror dhe mobilimin e tij. Geraldina kujton se kur i shkoi me një listë kërkesash për pajisjen më të mirë të Pallatit Mbretëror me sende luksi, ai as nuk e pa listën.
- – E para,- i tha,- trefishoji sasitë për të gjitha sendet që do sjellësh.
Siç dëshmon Geraldina, jeta e tij deri atë ditë në Pallat ishte e rrëmujshme dhe ndihej mungesa e dorës së një gruaje. Këtë e dëshmon edhe një mik e më pas armik i tij, Çatin Saraçi:
“Në shtëpinë e Zogut nuk kishte shërbyer kurrë më parë ndonjë grua deri ditën që ai u martua. Për një hark kohor 20-vjeçar nuk kam parë as edhe një lule të vetme në shtëpinë e tij”
Kostumet i qepte me porosi në rrobaqepsinë e famshme Norton & Sons në nr. 16 Saville Roë në Londër. Një kërkim i thjeshtë në internet sqaron se kostumet e kësaj rrobaqepësie që ka nisur punën në 1821 kushtojnë sot duke nisur nga 4700 paund, ose 7600 dollarë. Por ky është çmimi bazik dhe askush nuk mund të thotë që Mbreti nuk merrte cilësinë më të mirë, çmimi i së cilës nuk afishohet.
Këmishat dhe kravatat i porosiste në dyqanin Sulka në Paris e më pas në një tjetër emër të madh të luksit, në Charvet, në Place Vendome, po në Paris. Ai ishte një klient i çmuar. Të afërmit thoshin se kishte një garderobë prej 60 kostumesh, secili prej tyre i kombinuar me 5 këmisha dhe 5 kravata. Këpucët përgatiteshin me dorë në Itali, në një firmë që sot nuk ekziston më në Firenze. Çatin Saraçi deklaron sërish:
“Kravatat ishin me qindra si dhe një numër i pafund këmishësh të të gjitha ngjyrave, nga bluja e errët tek e kuqja dhe nuanca portokallie të ndezur, por as edhe një të bardhë. Kur e pyeta se ku i mbante këmishët e bardha, m’u përgjigj se e bardha ishte demode, çka më bëri të vë buzën në gaz duke i thënë se këmishtari i tij duhej t’i dinte këto punë më mirë se kolegët e tij në Londër. Të nesërmen mbreti porositi dy duzina këmishësh të bardha në Vjenë”
Pasioni i Zogut për uniformat ishte edhe më i njohur. Miku i tij i vjetër kujton se ai kishte një koleksion të mrekullueshëm të tyre. Uniformat ushtarake që mbante, qepeshin fillimisht në Vjenë dhe më pas në Romë. Çmimi i tyre ishte shumë i lartë, por kjo nuk e pengonte që çdo vit të porosiste disa të tilla.
Pasioni për armët po ashtu i kushtoi shtrenjtë arkës së shtetit. Në fillimet e veta porositi një revolver prej floriri që e mbajti pranë deri në fund të jetës, ndërsa më pas, edhe një të dytë më të vogël për Geraldinën. Shpata e kolonelit të ushtrisë u prodhua në Itali. Nuk dihet çmimi i saj, por në 2008-ën, kur u shit në një ankand në Londër, ajo u ble për 10800 paund ose afro 14 mijë Euro.
Zogu nuk ishte i apasionuar pas librave, por kishte një bibliotekë prej afro 10 mijë titujsh. Një pjesë, që i bleu gjatë viteve të mërgimit, janë kthyer në Tiranë bashkë me trashgimtarët dhe kanë zënë sallën e bibliotekës në Pallatin e Princeshës. Në vitet e fundit të jetës, -siç dëshmon Leka,- filloi të lexojë frëngjisht dhe kishte një pasion të dukshëm për librat me dedektivë e sidomos për Agata Kristin. Pasionin për Agata Kristin e ndante edhe me armikun kryesor, Enver Hoxhën.
Në vitet e mbretërisë u bë amator i apasionuar i kinemasë. Filmat me Çarli Çaplinin dhe Shirli Tempëll qenë pasioni i madh.
Por të gjitha këto qenë vetëm detaje në jetë. Pushteti ishte pasioni i tij i vetëm dhe për këtë punonte pa pushim. Ugo Sola kujton:
“Zogu punonte si një i dënuar me punë të detyruar. Nga zyra e tij, nga ora tetë e mëngjesit ai nuk dilte veçse në orën 10 të mbrëmjes, ai mbikëqyrte dhe kontrollonte edhe gjënë më të vogël. Dhe për këtë duhej, me metodat e tij, jo pak kohë.”
Këtë gjë e vërteton edhe “Nju Jork Time” në vitin 1931:
“Mbreti Zog është një nga njerëzit që punon më shumë se çdokush tjetër në botë. Ai deklaron se punon 18 orë në ditë dhe se bën gjatë të gjithë ditës vetëm dy pushime nga dhjetë minuta”.
Punën e shoqëronte me cigare dhe kafe. Sipas dëshmitarëve pinte afro 150 cigare në ditë, ose 7 paketa e gjysmë me llogarinë e sotme. Cigaret e markës “Makedonia” i vinin me konfeksione të mëdha dhe i mbante me kujdes në një kuti ari, që kishte mësuar ta hapte me mjaft shkathtësi.
Sipas portaleve të sotme informative, më 1929, një shoqatë e luftës kundër duhanit, këshilloi mbretin Zog të ulte konsumin e cigareve, sepse ajo sakaq i kishte shkaktuar humbjen e zërit. Në perëndim qarkullonin zëra se konsumonte 55 mijë cigare në vit.
Zogu kishte një rrogë prej 35 mijë paund Britanikë. E konvertuar me vlerën e sotme (Viti 2014) ajo llogaritet afro 480 mijë USD në vit, ose afro 375 mijë Euro. Por të gjitha këto janë kalkulime të përafërta. Por përfitimet e paligjshme, ose rryshfetet duhet të kenë qenë shumë më të mëdha. Çatin Saraçi në librin e tij shkruajtur pas ikjes nga Shqipëria të Mbretit deklaron:
“Ahmet Zogu jo vetëm që ka marre mite (ryshfet), por në çdo rast ishte ai vete që përcaktonte sasinë që i duhej. I pajisur me pasaporte diplomatike dhe dokumente extra, tutori i moshuar i Zogut largohej nga vendi me kamionë të ngarkuar me valute, i shoqëruar nga roje të armatosura. Këto udhëtime kryheshin rregullisht kurdoherë që Zogu kishte hedhur nënshkrimin mbi ndonjë akt të ri, ndërsa itinerari i rëndomtë ishte: Durrës-Bari, e prej andej në Gjeneve të Zvicrës. Sapo paratë siguroheshin në një banke të huaj, përcillej urdhër me shkrim që të transferoheshin në një vend edhe më të sigurte se i pari.”
Më pas ai shprehet:
“Për rrjedhoje, pjesa me e madhe e këtyre parave gjendet në Lloyd’s Bankë të Londrës. Unë vete me dorën time, kam shkruar një sere urdhrash të kësaj natyre si dhe i kam ardhur në ndihme tutorit analfabet për të mbërritur në kufi në Zvicrën”,
Nuk dihet se sa të besueshme janë dëshmitë e Saraçit. Ato janë bërë në një moment kur ky i fundit kishte hapur edhe një proces legal në britani për t’i kërkuar një shumë parash që pretendonte. Madje libri u përdor edhe si formë presioni, por citimet e Saraçit janë shumë të detajuara. Dhe përfitimet e paligjshme të Mbretit dhe njerëzve të tij, dëshmohen edhe nga protagonistë të tjerë.
Shumë dëshmitarë kujtojnë se ai flinte shumë pak. Binte në orët e para të mëngjesit dhe ngrihej të hante mëngjes në orën 8. Çatin Saraçi kujton se këtë gjë ja kanë dëshmuar edhe atij shumë vetë. Madje ai kujton se pyetjes se përse flinte kaq pak, Mbreti i përgjigjej:
“Kur e pyesje Zogun se kur bie për të fjetur, kurdoherë merrja të njëjtën përgjigje lakonike: Napoloni nuk ka fjetur më shumë se pesë orë gjatë gjithë jetës së tij”
Zogu nuk i besonte askujt, madje as njerëzve të afërt që ishin me të prej vitesh. Dëshmitarë njoftojnë se kur mori në punë shofer Vlash Ramën ai i bëri vetëm një pyetje: A je i aftë të shkelësh një njeri nëse ai del përpara makinës për ta na bërë atentat?
Lëvizja e tij shoqërohej me masa sigurie ekstreme dhe asnjëherë nuk ishte e paralajmëruar. Kristo Frashëri, gjimnazist ishte nisur për një ekskursion me shokët e shkollës, kur befas dalluan Mbretin:
“Njëherë u nisëm për ekskursion në Petrelë. Rrugës aty te ura e Mulletit pamë Zogun në makinë. Ne thoshim -“Është apo nuk është Zogu ky?” Zogu kishte vajtur gjer në Ibë të pinte kafe. Ai bënte ndonjëherë dalje të tilla, të paplanifikuara sigurisht”
Zyra ku punonte ishte po kaq e mbrojtur, siç dëshmon Geraldina, vizitën e saj të parë aty më 1 janar 1938:
“Hyra përmes dyerve prej xhami antiplumb, të ruajtura nga dy roje, që ecnin lart e poshtë, në një zyrë të madhe ku ishin shtruar tapete mëndafshi, që shkëlqenin si stoli në rrezet e diellit të pasdites. Mbreti mu afrua, dhe më drejtoi në një kthinë, ku ndodhej një divan i madh me disa kolltukë, si dhe një ekran që e mbronte kthinën nga vështrimet e rojave.”
Ata që e kanë njohur dhe vëzhgues të huaj e vizatojnë atë gjithnjë si një njeri mosbesues. Pietro Kuarone, kujton se mënyra më e mirë për t’i marrë diçka atij ishte t’i thoshe ekzaktësisht të kundërtën. Ai kujton se në një moment intimiteti gjatë bisedimeve e pyeti Mbretin se përse i zgjaste bisedimet?
“Sepse nëse unë ju jap sot një gjë, ju do të kërkoni nesër një tjetër. E kështu me radhë, ju përgjigj Mbreti!”
Sejfi Vllamasi, një prej miqve e më pas i kundërshtarëve të tij të mëdhenj, në fund të jetës, në kujtime e përshkruan kështu Ahmet Zogun:
“Zogu ka qenë një tip realist, për të cilin si ndjenja, ashtu edhe ana morale e çështjes s’ka patur kuptim. Shoqëria, miqësia dhe intimiteti kishin një farë vlere për të kur këto i shërbenin interesit të tij. Ai vrasjen e pranonte si një mjet jo të keq kur shtrëngohej ta përdorte atë kundër rivalëve të rrezikshëm që pengonin qëllimet e tij…”
Për fatin e tij të keq, vitet e gjata në pushtet dhe dëshira për t’u rrethuar nga servilë e shkëputën atë nga realiteti në vend. Siç dëshmon sërish Vllamasi:
“Zogu ndjente kënaqësi të madhe kur lavdërohej e brohoritej prej veglave e dallkaukëve të tij, por nga ana tjetër, gjatë katër vjetëve bashkëpunimi asnjëherë s’kam dëgjuar nga goja e tij fjalë mburrjeje ose lavdrimi për veten e tij…”
Në prag të vdekjes, një prej njerëzve që e ka njohur mirë, Eqrem bej Vlora, e portretizon atë kështu:
“Inteligjenca natyrore e këtij njeriu ishte e mahnitshme. Edhe kur ia donte puna të gjykonte dhe zgjidhte probleme shumë të vështira dhe të huaja për të, ai rrallë gabonte. Sikundër edhe në shoqëri me njerëz shumë më të kulturuar ai nuk bënte kurrë figurë të keqe. Por përveç inteligjencës, ajo që i jepte atij epërsi të padiskutueshme mbi gjithë të tjerët ishte mungesa e çdo ndjesie. Ahmet Zogu as ka dashuruar, as ka urryer kurrë. Veprimi dhe sjellja e tij i nënshtroheshin gjithnjë kontrollit të një mendjeje të ftohtë dhe praktike, udhëhiqeshin gjithnjë dhe vetëm prej interesave të tij…”
(Marre nga libri “Ahmet Zogu” i Blendi Fevziu)