Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Kush dhe çfarë e mbron Radoiçiçin në Serbi?

2024/09/24 at 8:14 AM
në Rajoni, Te Fundit
Kohë leximi: 9 min
A A
Kush dhe çfarë e mbron Radoiçiçin në Serbi?

Konfiskim i pasaportës, ndalim i largimit nga Serbia dhe detyrim për t’u paraqitur në policinë e Beogradit dy herë në muaj.

Për gati një vit, këto janë masat e vetme që kanë ndërmarrë autoritetet shtetërore të Serbisë kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiç, i cili publikisht ka pranuar përgjegjësinë për sulmin e armatosur kundër policisë së Kosovës në Banjskë.


Autoritetet në Serbi refuzojnë ta ekstradojnë Radoiçiçin në Kosovë dhe thonë se ai do të gjykohet nga “gjykatat serbe”, ndërsa zyrtarët në Kosovë thonë se ato i kanë ofruar mbrojtje atij.

“Radoiçiç paraqitet rregullisht në polici”

Nga Gjykata e Lartë në Beograd, e cila i ka vendosur masat kundër Radoiçiçit, thonë për Radion Evropa e Lirë se ai i respekton ato dhe se paraqitet rregullisht në stacionin kompetent policor.

Masat, sipas gjykatës, zgjaten çdo tre muaj dhe hera e fundit kur janë zgjatur, ka qenë fillimi i korrikut.

Pavarësisht kësaj, vendbanimi i Radoiçiçitaktualisht në Serbi nuk është i qartë.

Policia nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë për këtë çështje, e ngjashëm as avokati i Radoiçiçit, Goran Petronijeviq.

Predrag Petroviq, nga Qendra joqeveritare e Beogradit për Politikë të Sigurisë (BCBP), e përshkruan Radoiçiçit si “të preferuarin” e Qeverisë së presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

“Fakti që nuk kemi ende një rast serioz gjyqësor kundër Radoiçiçit në Serbi, tregon se ai është nën mbrojtjen e shtetit”, thotë Petroviq për Radion Evropa e Lirë.

Me vendim të gjykatës në Beograd, Radoiçiçit i është ndaluar kthimi në Kosovë, ku, sipas fjalëve të tij, më 24 shtator të vitit 2023 ka organizuar një sulm të armatosur.

Një polic i Kosovës është vrarë në këtë sulm, ndërsa në shkëmbimin e zjarrit që ka pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Në Kosovë, autoritetet kanë ngritur tashmë aktakuzë kundër Radoiçiçit dhe 44 personave të tjerë.
Ai akuzohet për terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit kushtetues të Kosovës.

Në aktakuzë, ai përshkruhet si udhëheqës i “një grupi terrorist”, që ka tentuar ta aneksonte veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – dhe t’ia bashkonte atë Serbisë.

Seanca e parë dëgjimore është paralajmëruar për datën 25 shtator.

Beogradi zyrtar e injoron këtë proces në Kosovë, ndërsa vetë nuk ka ngritur asnjë aktakuzë për Banjskën, edhe pse ka gati një vit që ka nisur hetime.

Serbia, e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës apo institucionet e saj, i cilëson edhe veprat penale ndryshe nga Prishtina zyrtare.

“Hetimet vazhdojnë”
Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd i tha Radios Evropa e Lirë se hetimet janë në vazhdim e sipër.

Ajo tha se në bashkëpunim me organet e tjera shtetërore, po i vërteton të gjitha faktet dhe rrethanat “në lidhje me ngjarjen kritike në Banjskë”.

“Pas përfundimit të hetimeve, opinioni do të njoftohet për vendimin e prokurorit”, thanë nga kjo zyrë.

Radoiçiç, sipas tyre, ka statusin e të dyshuarit.
Ai akuzohet për disa vepra penale, përfshirë prodhim, mbajtje dhe trafikim pa leje të armëve të zjarrit dhe të lëndëve plasëse, si dhe vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.

Të dyshuarit e tjerë janë persona të panjohur.

Gjatë dëshmisë së tij në Prokurori më 3 tetor të vitit të kaluar, Radoiçiç e ka mohuar fajësinë.

Megjithatë, në një letër publike të lexuar më herët nga avokati i tij, Goran Petronijeviq, ai e ka pranuar përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.

Ai ka thënë se e ka organizuar personalisht atë dhe e ka mohuar përfshirjen e shtetit serb.

Në atë letër, Radoiçiç ka deklaruar se ka shkuar në Banjskë“për t’iu bërë rezistencë autoriteteve të Kosovës dhe për të mbrojtur popullin serb”.

A bashkëpunon Serbia me Kosovën në rastin e Banjskës?

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se, përmes Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, i është drejtuar Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX.

Ajo kërkoi që t’i dorëzohet dokumentacioni i plotë për rastin Banjska.

“Për dhënien e ndihmës juridike është kërkuar të dorëzohet procesverbali i hetimeve, foto-dokumentacioni, procesverbalet e autopsisë së të gjithë personave të vdekur, raportet mjekësore të të gjithë të lënduarve”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Aty thuhet, po ashtu, se janë kërkuar procesverbalet e ekspertimit të armëve dhe municionit e mjeteve shpërthyese, si dhe procesverbalet e marrjes në pyetje të të pandehurve dhe marrjes në pyetje të dëshmitarëve.

“Deri më sot nuk është dorëzuar dokumentacioni në Prokurori dhe as nuk ka pasur ndonjë përgjigje nga EULEX-i”, tha Prokuroria serbe.

Ministria e Drejtësisë e Kosovës më herët ka deklaruar se kjo kërkesë e Serbisë është në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

Ajo ka thënë, gjithashtu, se Kosova asnjëherë nuk ka marrë përgjigje nga Serbia “për dorëzimin e kriminelëve”.

Beogradi zyrtar ka vendosur që të mos veprojë sipas fletarrestimit të Interpol-it, i cili, me kërkesë të Prishtinës, është lëshuar në dhjetor të vitit 2023.

Udhëheqësit e Serbisë kanë thënë se ekstradimi i tij është “i pamundur” dhe se të gjitha proceset gjyqësore do të zhvillohen “para gjykatave vendase”.

I pyetur për aktakuzën e Kosovës për Banjskën, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë më 13 shtator se autoritetet serbe janë duke i kryer hetimet e tyre.

Për Serbinë, ka shtuar Vuçiç, rasti Banjska “nuk është terrorizëm në asnjë mënyrë”.

Në një deklaratë të mëhershme për Radion Evropa e Lirë, Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se sa i përket aktakuzës së ngritur në Kosovë, SHBA-ja inkurajon respektimin e procesit gjyqësor dhe sundimin e ligjit, si dhe durim, derisa ky rast kompleks tëzgjidhet në gjykata.

A e mbron BIA Radoiçiçin?

Zyrtarë të Kosovës, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, kanë deklaruar gjatë vitit të kaluar se Millan Radoiçiq ka mbajtur takime me anëtarë të Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë – BIA.

BIA nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për t’i komentuar këto pretendime.

Pyetjes se “a po e mbron” Serbia Radoiçiçin, nuk iu përgjigjen as Qeveria e Serbisë e as kabineti i presidentit Aleksandar Vuçiç.

Predrag Petroviq, nga Qendra e Beogradit për Politikë të Sigurisë, thotë se, marrë parasysh shtrirjen e operacionit, numrin e njerëzve, sasinë dhe llojin e armëve të përdorura në Banjskë, do të ishte “shumë e vështirë të konstatohej ose të besohej” se shërbimet serbe të sigurisë nuk kishin informacione për atë operacion.

“… sidomos për faktin se një veprim i tillë do të kishte, edhe siç ka, rëndësi dhe pasoja të mëdha sigurie dhe politike për Serbinë dhe për Qeverinë e Aleksandar Vuçiçit”, thotë Petroviq.

Ai shton se “sikur të kishte një sistem demokratik”, prokuroria dhe autoritetet gjyqësore të Serbisë do ta hetonin Banjskën në detaje.

Sipas tij, hetimet duhet t’i udhëheqë edhe Parlamenti serb, përkatësisht komisionet për kontrollin e shërbimeve të sigurisë dhe të punëve të brendshme.

I pyetur se përse Radoiçiç nuk është ndjekur penalisht deri më tani, Petroviq thotë se “Qeveria, e udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe dhe Aleksandar Vuçiç, padyshim se i detyrohet atij për shërbime të ndryshme”.

“Është sekret i hapur se ai ka qenë personi kryesor për disiplinimin e serbëve në veri të Kosovës dhe për një lloj menaxhimi joinstitucional të atij territori, në emër të Qeverisë së Aleksandar Vuçiçit”, thotë Petroviq.

“Ai funksion politik dhe i para-sigurisë, së bashku me bashkëpunimin në biznes, tregojnë se lidhjet e tij me njerëz të afërt me Qeverinë, janë të forta dhe se ato mund të jenë shumë komprometuese për udhëheqjen dhe Aleksandar Vuçiçin”, shton ai.

Radoiçiç ka dhënë dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – në ditën kur ka pranuar përgjegjësinë për Banjskën.

Më herët, zyrtarët e Kosovës e kanë lidhur atë me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, një politikan serb nga veriu i Kosovës.

Megjithatë, autoritetet në Serbi e kanë mohuar përfshirjen e Radoiçiçit.

“Millan Radoiçiç nuk është i shenjtë… por ai, në asnjë mënyrë, nuk ka marrë pjesë në likuidimin e Oliver Ivanoviqit”, ka thënë atëkohë Vuçiç.

Derisa autoritetet e Kosovës e kanë kërkuar Radoiçiçin edhe para Banjskës, nën dyshimet për disa vepra kriminale, ai është parë në takimet zyrtare të Vuçiçit në Beograd me përfaqësues të serbëve nga Kosova, si dhe në Parlamentin e Serbisë.

Biznesmen pa kompani
Radoiçiç, më herët, i është prezantuar publikut si biznesmen, por, sipas të dhënave zyrtare të regjistrit tregtar, ai aktualisht nuk ka asnjë kompani në emër të tij në Serbi.

Ai ka dalë nga pronësia e kompanisë “Inkop” dhe kompanive simotra të saj në tetor të vitit 2023, pasi ka pranuar publikisht se ka qenë organizator i sulmit të armatosur në Banjskë.

Pjesën e tij në “Inkop” dhe në kompanitë e lidhura me të, ai ua ka dhënë partnerëve të tij të biznesit, vëllezërve Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq.

Sikurse Radoiçiç, edhe ata janë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak të krimit të organizuar ndërkombëtar.

Serbia, megjithatë, nuk u kushton shumë vëmendje sanksioneve ndaj tyre, si dhe ndaj kompanive të lidhura me ta.

Në vitet e fundit, këto kompani kanë marrë punë fitimprurëse në ndërtim, të cilat janë paguar nga buxheti i shtetit, ka treguar një hulumtim i Radios Evropa e Lirë.

Redaktori i së përjavshmes serbe Radar, Millan Qullibërk, i cili gjithashtu ka hulumtuar aferat e Radoiçiçit dhe të vëllezërve Vesellinoviq, beson se struktura e pronësisë së kompanisë ka ndryshuar “vetëm formalisht”.

“Jam absolutisht i sigurt se asgjë tjetër nuk ka ndryshuar. Nuk ka ndryshuar as shpërndarja e fitimit që realizohet, e që është dhjetëra miliona euro”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Dhurata për partnerët e biznesit
Dyzet për qind të pjesës së tij në “Inkop”, Radoiçiç ua ka ndarë vëllezërve Vesellinoviq në pjesë të barabarta – nga 20 për qind.

Kërkesa në Agjencinë për Regjistrat e Bizneseve të Serbisë për fshirjen e Radoiçiçit nga pronësia, është dorëzuar më 3 tetor të vitit 2023 – ditën kur ai është ndaluar nga policia në Beograd dhe kur ka dhënë deklaratë në Prokurorinë e Lartë Publike.

Tani, Zvonko Vesellinoviç ka 60 për qind të pronësisë në “Inkop” dhe në kompanitë e ndërlidhura, ndërsa vëllai i tij, Zharko, ka 40 për qind.

Puna e tyre me shtetin, ndërkohë, ka vazhduar.

“Kjo ka filluar disa vite më parë dhe ka vazhduar edhe pas Banjskës. Të gjitha ato kompani që janë pjesë e perandorisë së tyre, po ecin gjithnjë e më mirë. Biznesi po lulëzon”, thotë Qullibërk.

Sipas tij, bumi i biznesit “vështirë mund të shpjegohet me aftësitë biznesore” të pronarëve.

“Natyrisht se bëhet fjalë për një aranzhim tjetër, shumë fitimprurës, i cili u ka siguruar këtyre njerëzve dhjetëra miliona euro fitime të ligjshme, që janë raportuar zyrtarisht, janë tatuar dhe tani u takojnë atyre”, shton ai.

Punët e shtetit

Kompania “Inkop” dhe dy kompanitë simotra, “Novi Pazar-put” dhe “Betonjerka”, tashmë në pronësi të vëllezërve Vesellinoviq, kanë fituar në fund të vitit 2023 mbi 23.5 milionë euro.

Me të ardhurat në llogaritë e tyre lidhen punë që paguhen nga arka e shtetit.

Këtë e kanë treguar raportet e fundit financiare, të publikuara në regjistrin komercial të Serbisë, tenderët dhe dokumentacioni tjetër i analizuar nga Radio Evropa e Lirë, më herët këtë vit.

Ndërtimi i autostradave me shpejtësi të madhe, mirëmbajtja e rrugëve lokale apo ndërtimi i shtyllave për linjat e transmetimit janë disa nga punët prej miliona eurosh, që kanë kryer këto kompani.

Për shembull, puna e fundit që kompania ndërtimore “Novi Pazar-put” ka marrë nga shteti, ka qenë në gusht të këtij viti.

Rekonstruksionin e seksionit të autostradës ndërkombëtare në jug të Serbisë, drejt kufirit me Maqedoninë e Veriut, shteti ia ka dhënë konsorciumit në pronësi të kompanisë “Novi Pazar-put” dhe tri kompanive të tjera.

Puna në këtë projekt, përfshirë taksat, kap vlerën e mbi 14 milionë eurove.

Gjatë vitit 2024, “Novi Pazar-put” ka marrë punime rrugore edhe në komunat në jugperëndim të Serbisë, me vlerë prej qindra mijëra eurosh.

Pasuria dhe pajisjet e kompanisë së vëllezërve Vesellinoviq, përfshirë një vilë në lagjen elitare të Beogradit, Dedinje, dhe një hotel luksoz në Kopaonik, kapin vlerën e 39 milionë eurove, sipas raporteve financiare për vitin 2023 të analizuara nga REL-i.

Restoranti i gruas së Radoiçiçit i konfiskuar në Kosovë

Derisa Radoiçiç zyrtarisht nuk është pronar i ndonjë biznesi, në emër të gruas së tij, Ema, në regjistrin komercial të Serbisë është restoranti me emrin “Grey”.

Vendndodhja e tij, megjithatë, është në Mitrovicën e Veriut në Kosovë.

Edhe pse firma është aktive në regjistrin komercial të Serbisë, restoranti është konfiskuar nga policia e Kosovës në prill të vitit 2024, së bashku me pjesën tjetër të pronave të Radoiçiç në Kosovë.

Parcela në lagjen e vilave dhe ambasadave shtetërore

Radio Evropa e Lirë nuk është në dijeni se çfarë pasurie të paluajtshme posedojnë në Serbi Millan Radoiçiç dhe gruaja e tij.

Rrjeti Ballkanik i Kërkimeve – BIRN ka njoftuar në maj të këtij viti se Radoiçiç po ndërton një vilë prej mbi 1.500 metrash katrorë në një lokacion prestigjioz në lagjen e Beogradit, Dedinje.

REL-i nuk është në dijeni se si kanë ecur këto punime dhe nëse objekti ka përfunduar.

Vlera e parashikuar e punimeve, sipas BIRN-it, është gati 2.7 milionë euro.

Kjo do të thotë se në vilën e re në parcelën e Radoiçiçit janë investuar së paku 2.7 milionë euro, ndërsa vlera reale e saj përcaktohet pasi të përfundojnë punimet.

Pas qasjes në kadastër, REL-i ka konfirmuar se Ema dhe Millan Radoiçiç janë pronarë të rreth 40 arëve tokë në Dedinje.

Siç mund të shihet në kadastër, fqinja e tyre e parë është gruaja e Zvonko Vesellinoviqit, ndërsa afër gjenden edhe pallate shtetërore dhe përfaqësi diplomatike, siç është Ambasada kineze në Serbi./REL



Ju sugjerojmë

Shqipëria në Eurovizion, kënga “Zjerm” kualifikohet për natën finale
-Kulturë

Shqipëria në Eurovizion, kënga “Zjerm” kualifikohet për natën finale

13 Maj, 2025 11:45 pm
Diaspora në zgjedhje/ Fevziu merr mesazh live nga hasjani: Si u vodh vota në Londër
-U tha në Opinion

Diaspora në zgjedhje/ Fevziu merr mesazh live nga hasjani: Si u vodh vota në Londër

13 Maj, 2025 11:41 pm
Urimet për fitore nga Zelensky dhe Starmer, Rama falenderon homologët
Politikë

Urimet për fitore nga Zelensky dhe Starmer, Rama falenderon homologët

13 Maj, 2025 11:37 pm
Vota e diasporës, Bozdo në ‘Opinion’: U kap dhe postieri i lagjes!
-U tha në Opinion

Vota e diasporës, Bozdo në ‘Opinion’: U kap dhe postieri i lagjes!

13 Maj, 2025 11:27 pm
Incidenti në KZAZ/ Shehaj:Ngrita zërin dhe u dorëzuan!Fevziu: Pse kështu zgjidhet?!
-U tha në Opinion

Incidenti në KZAZ/ Shehaj:Ngrita zërin dhe u dorëzuan!Fevziu: Pse kështu zgjidhet?!

13 Maj, 2025 11:16 pm
4 me 1 s’ka bër vaki/A u zhgënjye PS për mosarritjen e mandatit të katërt në Dibër?
-U tha në Opinion

4 me 1 s’ka bër vaki/A u zhgënjye PS për mosarritjen e mandatit të katërt në Dibër?

13 Maj, 2025 11:04 pm
Fitorja e PS me 12 mandate në Fier, thyen heshtjen Gazment Bardhi
Kryesore

Fitorja e PS me 12 mandate në Fier, thyen heshtjen Gazment Bardhi

13 Maj, 2025 10:53 pm
Starmer uron Ramën për zgjedhjet parlamentare: Fitore historike!
Politikë

Starmer uron Ramën për zgjedhjet parlamentare: Fitore historike!

13 Maj, 2025 10:38 pm
Berisha dhe  Rama/ Nga lëvizjet për liri deri në “armiqësinë” e pakthyeshme
Politikë

Berisha dhe Rama/ Nga lëvizjet për liri deri në “armiqësinë” e pakthyeshme

13 Maj, 2025 10:15 pm
Mungesa e bashkëpunimit mes mazhorancës dhe opozitës, Rama: Nëse nuk ka dyshe për tango, do luhet muzika e BE-së!
Politikë

Zgjedhjet në Shqipëri, liderët e Spanjës dhe Kroacisë urojnë kryeministrin Rama

13 Maj, 2025 9:59 pm
Para
Bie nga pallati, ndërron jetë punëtori në Vlorë

Berat/ Makina përplaset me mjetin bujqësor, humbin jetën burrë e grua, plagoset vajza

Rama ndan pamjet nga projekti i shkollës në Shkodër: Në mbështetje të arsimit profesional

Rama ndan pamjet nga projekti i shkollës në Shkodër: Në mbështetje të arsimit profesional

Zbulimi amerikan: Rusia e para në përdorimin e inteligjencës artificiale për të ndikuar zgjedhjet në SHBA

Zbulimi amerikan: Rusia e para në përdorimin e inteligjencës artificiale për të ndikuar zgjedhjet në SHBA
















TE FUNDIT

Shqipëria në Eurovizion, kënga “Zjerm” kualifikohet për natën finale

Shqipëria në Eurovizion, kënga “Zjerm” kualifikohet për natën finale
13 Maj, 2025

Shqipëria është kualifikuar në natën finale të "Eurovision 2025". “Shkodra Elektronike” me këngën “Zjerm” u kualifikua mes 10 shteteve fituese...

Lexo më shumë

Diaspora në zgjedhje/ Fevziu merr mesazh live nga hasjani: Si u vodh vota në Londër

Diaspora në zgjedhje/ Fevziu merr mesazh live nga hasjani: Si u vodh vota në Londër
13 Maj, 2025

Në transmetim live të emisionit “Opinion”, moderatori Blendi Fevziu mori një mesazh në telefon nga një shqiptar, i cili jetonte...

Lexo më shumë

Urimet për fitore nga Zelensky dhe Starmer, Rama falenderon homologët

Urimet për fitore nga Zelensky dhe Starmer, Rama falenderon homologët
13 Maj, 2025

Fitorja e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare, ka sjellë urime të shumta nga liderët evropianë për kryeministrin Rama. Përmes reagimeve...

Lexo më shumë

Vota e diasporës, Bozdo në ‘Opinion’: U kap dhe postieri i lagjes!

Vota e diasporës, Bozdo në ‘Opinion’: U kap dhe postieri i lagjes!
13 Maj, 2025

Vota e diasporës dhe rezultati i saj i deritanishëm, ka sjellë ‘revoltë’ nga ana e Partisë Demokratike. Demokrati Eno Bpzdo...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com