Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të takohen pasditen e së hënës në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Sakaq, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak, pritet të takohet me Kryeministrin Albin Kurti në orën 15:00. Ndërsa, në orën 16:15 Borrell pritet të zhvillojë takim me Vuçiç.
Në orën 17:15, Josep Borrell do të zhvillojë takim të përbashkët me Kryeministrin, Albin Kurti dhe Presidentin Vuçiç.
Fokusi i këtij takimi do të jetë mbi propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Blloku evropian e konsideron takimin e gjashtë mes dy liderëve si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve./Opinion.al