Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 2 Gusht 2018
Gazeta kulturore franceze, “Comoedia”, ka botuar, të enjten e 18 shkurtit 1929, në ballinë, një shkrim në lidhje me sulmet e simpatizantëve të Adolf Hitlerit ndaj aktorit të famshëm me origjinë shqiptare, Z. Aleksandër Moisiut.
Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, ka sjellë, në vijim, tekstin e plotë për publikun shqiptar :
Ngacmim grotesk, por hitlerian.
“Komediani i famshëm Aleksandër Moisiu, më i duartrokituri deri tani në vendet gjermanofolëse, është pre e ngacmimeve të mbështetësve të Hitlerit. Dhe pse ? Sepse gushtin e kaluar, duke dashur të shkruajë një roman në të cilin do të ndodhte një lindje, ai dëshiroi të studionte këtë ngjarje në vend dhe veshi bluzën e bardhë me autorizimin e drejtorit të një spitali në Salzburg. Është reagim i zakonshëm për një shkrimtar. Kush është ai autor që nuk ka shkuar për të vizituar një spital, një azil, i fshehur mes pacientëve ? E gjitha kjo për të përshkruar realen.
Por një praktikant i spitalit të Salzburgut, i shkarkuar nga puna, për t’u hakmarrë ndaj drejtorit, zbuloi këtë fakt në një gazetë të partisë së Hitlerit.
Shqetësimi i Aleksandër Moisut për ndërgjegjësinë profesionale u tansformua si “përdhosje nga një ndërhyrës i besdisshëm gjatë lindjes së një gruaje gjermane”.
“Henaurme!” – apo jo ? Megjithatë, artikulli i gazetës lokale ishte riprodhuar, kështu Moisiu u vu në listën e zezë të hitlerianëve (nazistëve).
Dhe natën tjetër, në Deutsches Volkstheater të Vjenës, gjatë një shfaqjeje në të cilën ai luante rolin kryesor, aktori u prit mes sharjeve dhe topave me aromë të keqe të shpërndara nëpër sallë, diçka mjaft besdisëse.
Policia vëzhgonte për fat të mirë dhe ndërhyrësit u dërguan në burgun më të afërt…
Nëse tallja mund të vriste, partia e Hitlerit nuk do të fitonte asgjë nga kjo ngjarje.”
Horatio
* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/comoedia-1929-kur-simpatizantet-e-hitlerit-sulmonin-aleksander-moisiun/. Në rast të kundërt mos e publiko këtë shkrim.