U luajtën këtë fundjavë ndeshjet e dyta të Kupës së Shqipërisë për vajza.
Apolonia mposhti Gramshin në sfidën e grupit A me rezultatin 3-0.
Fieraket dominuan takimin, duke shënuar tre gola që në pjesën e parë.
Gjithçka është ende e hapur në grupin A, teksa Apolonia dhe Gramshi renditen me nga tre pikë ndërsa Partizani në vendin e tretë me 0 pikë.
Sfida e fundit e grupit do të luhet mes Apolonisë dhe Partizanit.
Në grupin B, Egnatia mori gjithashtu fitoren e parë në grup duke mundur Kinostudion me shifrat 4-2. Një fitore që i ngjit rrogozhinaset në vendin e parë me 3 pikë, po aq sa Kinostudio. Edhe në këtë grup gjithçka mbetet ende e hapur, teksa ndeshja e fundit do të luhet mes Egnatias dhe Laçit.
Sakaq, në grupin C, Tirana siguroi biletën për në gjysmëfinale pasi fitoi ndaj Teutës me shifrat 4-3. Ndeshja e fundit e grupit do të luhet mes Teutës dhe Lushnjes.
Në gjysmëfinale do të kalojnë tre ekipet e renditura në vendet e para të çdo grupi dhe vendi i dytë më i mirë.