Kumbaro i dorëzon nënsekretares së Përgjithshme të OKB-së ratifikimin e Konventës…

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro i dorëzoi nënsekretares së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Elinor Jane Britt Hammarskjöld, ratifikimin e Konventës së OKB për të Drejtën e Detit, mbi ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të diversitetit biologjik detar të zonave përtej juridiksionit kombëtar.

Kumbaro e dorëzoi ratifikimin e kësaj konvente në konferencën e Oqeaneve, të organizuar në Francë, në prani edhe të kryeministrit francez Emmanuel Macron.

“Me ratifikimin në Kuvendin e Shqipërisë javën e kaluar, e rreshtuam vendin tonë krah 60 vendeve që i kanë dhënë fuqi ligjore kësaj Konvente”, tha Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.

Kumbaro u shpreh se “në ceremoninë e hapjes së Konferencës së Oqeaneve, me prezencën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB António Guterres, Presidentit të Francës Emmanuel Macron, liderëve botërore dhe homologëve ministra të mjedisit, konfirmuam edhe një herë modelin e Shqipërisë në ruajtje të biodiversitetit, siç e kemi treguar edhe me rritjen e sipërfaqes së zonave të mbrojtura, dhe angazhimin e përhershëm për të dhënë modele ndoshta të vogla në shkallë globale, por kuptimplota për çfarë përfaqësojnë”.

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 71 vota pro javën që kaloi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtën e detit mbi ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të diversitetit biologjik detar të zonave përtej juridiksionit kombëtar”.

Nëpërmjet ratifikimit të kësaj marrëveshje ajo që përfiton drejtpërsëdrejti Shqipëria në kapacitetet e veta është ndërtimi dhe përmirësimi i kapaciteteve dhe transferimi i teknologjisë detare, që konsiston në dhënien e mbështetjes për përforcimin e angazhimeve. /ATSH




Ju sugjerojmë

Para















TE FUNDIT