Kreu i LSI, Ilir Meta ka takuar sot Koço Kokëdhimën, i cili ka krijuar një lëvizje me emrin “Zgjidhja” brenda PS-së. Ish- shoku i ngushtë i Edi Ramës takon Metën në kohën kur vendi është përfshirë nga kriza politike ç’ka rrezikon edhe shtyrjen e zgjedhjeve. Takimi ka qenë kokë më kokë dhe sipas bashkëpunëtorëve të tyre, është folur për gjetjen e rrugës për ndaljen e situatës së krijuar nga protesta opozitës. Si Meta ashtu edhe Kokëdhima janë shprehur më parë se nuk shkohet në zgjedhje pa PD-në, duke i bërë presion kështu Ramës që të ulet në bisedime me Bashën.
Ky takim zhvillohet në kohën kur po përfundon marrëveshja 4- vjeçare Rama-Meta, ose siç njihet ndryshe koalicioni i 1 Prillit 2013. Siç është përfolur në media kumbari i koalicionit dhe pajtimit mes Ramës dhe Metës ka qenë Koço Kokëdhima, 4 vite më parë. Por tashmë gjërat janë ndryshe, Rama është ndarë me Koçon, të cilin e përjashtuan nga Parlamenti dhe nga PS-ja. Po tani çfarë po kurdis Koço Kokëdhima dhe Ilir Meta në prag të zgjedhjeve të 18 Qershorit 2017?!
/Opinion.al