Kukësi mposhti me lehtësi Tiranën në javën e 30-të të Kategorisë Superiore. Në stadiumin “Zeqir Ymeri” vendasit triumfuan 4-1 përballë një Tirane që u shfaq e mefshtë dhe larg pritshmërive për një skuadër që rrezikon seriozisht mbijetesën.
Pas pjesës të parë përgjithësisht të barabartë por me vendasit më kërkues, e dyta foli tërësisht për ekipin e Ernest Gjokës. Dopieta e Pejiçit dhe golat e Eminit dhe Kariokës likuiduan bardheblutë, të cilët u duk sikur nuk u futën në lojë pas pushimit mes pjesëve.
Kështu Kukësi mbetet i pamposhtur në kampionat dhe e ka të sigurt mbajtjen e kreut edhe pas kësaj jave. Ekipi i Gjokës shkon në kuotën e 62 pikëve, +3 nga Partizani që luan me Teutën dhe po aq nga Skënderbeu që sot shpartalloi 5-1 Laçin në transfertë.