Detaje të tjera publikohen rreth ngjarjes, ku babai vrau njërën prej vajzave dhe plagosi vajzën tjetër në Tiranë.
Burime nga policia bëjnë me dije se familja kishte konflikte të vazhdueshme dhe se shpesh herë, për shkak të mosmarrëveshjeve, të cilat degjeneronin deri në dhunë fizike, inspektorët e zonës së policisë ndërhynin duke shoqëruar palët në komisariat.
Pavarësisht ngjarjeve të përsëritura, fëmijët, për mëshirë, duke e ditur se babai i tyre ishte i alkoolizuar, refuzonin të bënin denoncim ndaj tij.
Prej më shumë se shtatë vitesh, megjithëse ndanin të njëjtin oborr, Kujtimi jetonte i vetëm, në një prej dhomave të shtëpisë, ndërsa ish – gruaja me 6 fëmijët, në pjesën tjetër.
Motra e madhe ka treguar në polici se 17 –vjeçarja Elidona, që mbeti e vrarë nga goditjet me thikë, ishte ajo që gjithmonë ndërhynte që të qetësonte gjaknxehtësinë e babait, i cili ishte agresiv dhe fyente për shkak të përdorimit të alkoolit.
22 – vjeçarja e plagour Esmeralda ndodhet në familje dhe nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve.
Kujtim Ibraj, 57 – vjeçari nga Puka, që pas krimit u shpreh se nuk mbante mend çfarë kishte bërë dhe që shfaqi pendesë, pritet të dalë të mërkurën para gjykatës, për t’u njohur me masën e sigurisë. /Tv Klan/
*Në foto: viktima Ediona Ibraj