Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me prokurorë dhe drejtues të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Mësohet se, në fokus të këtij takimi kanë qenë problemet të cilat lidhen me funksionimin e policisë gjyqësore, duke nisur që nga vlerësimi i performancës së saj deri tek parandalimi dhe goditjen e krimit të organizuar.
Po ashtu, bëhet me dije se në këtë takim u fol dhe për procedimet të cilat lidhen me dëmet që u shkaktuan nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit.
“Në fokus të veçantë të takimit ishte mbështetja që Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela i ofroi drejtuesve dhe prokurorëve të kësaj prokurorie për procedimet që lidhen me dëmet e shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor, përmes sigurimit të asistencës teknike dhe ekspertizës që do të ndihmojnë në hetimin e shpejtë dhe të plotë të rasteve”, deklaron Prokuroria e Përgjithshme.
Çela ka inkurajuar prokurorët që të nisin hetime gjithëpërfshirëse, për të individualizuar autorët e veprave penale dhe për t’i vënë ata para drejtësisë./ Opinion.al