Rajoni

Kryeministrja e Serbisë: BE-ja po lejon Kurtin që të mos zbatojë marrëveshjet



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 19:37 - 03/11/22 |
Opi Nion

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, shprehu pakënaqësi që Bashkimi Evropian, siç tha ajo, toleron veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe nuk e detyron atë që të zbatojë marrëveshjet e Brukselit, që janë arritur vite më parë.

Pas samitit të Procesit të Berlinit që u mbajt më 3 nëntor, Bërnabiç u tha gazetarëve se ka pasur një bisedë të ndarë me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe me të dërguarin e posaçëm të bllokut për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Me dy zyrtarët e BE-së, Bërnabiç tha se ka biseduar për çështjen e riregjistrimit të makinave në Kosovë që kanë targa të lëshuara nga Serbia.

“Kurti ka shkelur të gjitha marrëveshjet e arritura sa i përket targave, ato të vitit 2011 dhe 2016, por edhe atë të shtatorit të vitit 2021, dhe njëanshëm ka hequr nga përdorimi targat me status neutral [KS]. Ata thonë se pajtohen që targat KS duhet të ekzistojnë, por shtojnë se nuk mund të bëjnë asgjë për këtë temë, dhe kjo për mua është shkatërruese”, tha Bërnabiç.

Bërnabiç tha se gjatë një dreke pune, “kërkova nga përfaqësuesit e BE-së që të kuptojnë” se besueshmëria e bllokut evropian po vihet në pikëpyetje, për shkak se BE-ja, sipas saj, nuk po mund të sigurojë zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit të arritura që nga viti 2013.

“BE-ja toleron Kurtin kur ai thotë se nuk do të zbatojë marrëveshjet e Brukselit. Në anën tjetër, ata na bëjnë presion ne që të nënshkruajmë marrëveshje të tjera, marrëveshjen finale. U thash atyre se BE-ja është garantuese e marrëveshjeve të Brukselit dhe ata duhet t’i zbatojnë ato, dhe më pas mund të vazhdojmë bisedimet. I pyeta se si mund të flasim për marrëveshje të tjera kur ata nuk mund të garantojnë zbatimin e marrëveshjes së parë për normalizim të raporteve të vitit 2013”, shtoi ajo.

Bërnabiç tha se gjatë qëndrimit në Berlin bisedoi edhe me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, “për shumë gjëra”, por jo për propozimin franko-gjerman.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë një konference për media, më 3 nëntor konfirmoi se ka një propozim të Berlinit dhe Parisit, për Kosovën dhe Serbinë, që mediat kanë raportuar se synon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.

“Sa u përket Kosovës dhe Serbisë, atje duhet të gjendet një mirëkuptim. Ne dhe Qeveria franceze jemi duke u munduar që ta bëjmë të arritshme, të realizueshme dhe shpresoj që shumë shpejt të kemi një proces ku të dy qeveritë do të ecin përpara dhe do të arrijnë një marrëveshje”, tha Scholz.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të japë detaje mbi planin franko-gjerman, duke insistuar se “është respekt ndaj ndërmjetësit të ruhet konfidencialiteti i bisedimeve konkrete”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më 8 tetor, tha se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Mediat në Kosovë kanë raportuar se propozimi nuk parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia, por parasheh njohjen e Kosovës nga pesë anëtarët e Bashkimit Evropian që nuk e kanë bërë këtë – Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.

Faktori ndërkombëtar po inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të intensifikojnë bisedimet nën ndërmjetësimin e BE-së, që kanë për synim normalizimin e plotë të raporteve.

Përderisa Kosova synon që dialogu të përmbyllet me një marrëveshje që do të përfshinte edhe njohjen reciproke, Serbia kërkon një “zgjidhje kompromisi”, pa saktësuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë./ REL

Pas