Bota

Kryeministri suedez takohet sot me Erdoganin, synon ta bindë për anëtarësimin në NATO



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 13:08 - 08/11/22 |
Opi Nion

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, pritet të takohet me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, në Ankara të martën, në një tentim për ta bindur Turqinë t’i japë fund kundërshtimit për anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Pasi Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës, Suedia dhe Finlanda i dhanë fund politikës së tyre të kahershme të neutralitetit dhe aplikuan për anëtarësim në aleancën ushtarake.

Por, Turqia e ka penguar ratifikimin e kërkesës së tyre, duke i akuzuar se po strehojnë militantë të jashtëligjshëm kurdë.

Erdogan, i cili synon të rizgjidhet president vitin e ardhshëm, është në një pozitë të mirë, pasi e ka bindur homologun e tij rus, Vladimir Putin, të mos i bllokojë më eksportet e drithërave nga Ukraina.

Ai dhe Kristersson do të takohen në pallatin presidencial në orën 15:15 dhe pastaj do të mbajnë konferencë për media.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e vizitoi Ankaranë javën e kaluar për ta shtyrë përpara kërkesën e Suedisë dhe Finlandës.

“Anëtarësimi i tyre do ta bëjë aleancën tonë më të fuqishme dhe popujt tanë më të sigurt”, tha ai, duke shtuar se anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO “do t’ia dërgonte Rusisë një mesazh të qartë”.

Stoltenberg theksoi se dy vendet kishin pranuar t’i bëjnë disa koncesione ndaj Turqisë qysh në qershor, përfshirë këtu kërkesën e Turqisë që “të dyshuarit për terrorizëm” të deportohen ose ekstradohen.

“Optimizëm i matur”

Në një shkrim për gazetën suedeze, Aftonbladet, të hënën këshilltari i Erdoganit, Fahrettin Altun, e shprehi “optimizmin e matur” që qeveria e re e krahut të djathtë në Stokholm do të ndërmerrte “hapa konkretë” për t’i adresuar shqetësimet e Turqisë.

Turqia e akuzon Suedinë, në veçanti, për qëndrime të lehta ndaj Partisë militante të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe degës së saj siriane, Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG).

Ankaraja ka thënë se në qershor u kishte dërguar Suedisë dhe Finlandës një listë të njerëzve për ekstradim.

Që nga atëherë, Stokholmi e ka autorizuar një ekstradim për mashtrim. Edhe Suedia, edhe Finlanda thonë se vendimet për ekstradime bëhen nga gjykatat.

PKK-ja është futur në listë të zezë nga Ankaraja dhe shumica e aleateve të saj perëndimore. Por, YPG-ja ka qenë kyçe në aleancën ushtarake të drejtuar nga SHBA-ja për luftimin e grupit të Shtetit Islamik (IS) në Siri.

Përderisa Suedia në të kaluarën ka shprehur përkrahje për YPG-në dhe kahun e tyre politik, qeveria e Kristersson duket se po distancohet nga ta.

“Ka një lidhje shumë të ngushtë mes këtyre organizatave dhe PKK-së, që është një organizatë terroriste e listuar nga Bashkimi Evropian”, tha ministri i Punëve të Jashtme, Tobias Billstrom, të shtunën.

Karta e zgjerimit të NATO-s

Në tetor, Billstrom kishte thënë për agjencinë e lajmeve AFP se ishte i bindur se Suedia mund t’i realizojë kërkesat e Turqisë. Ndërsa, presidenti finlandez, Sauli Niinisto, u tha gazetarëve të hënën se ai priste që anëtarësimi në NATO “të ndodhë në një afat të arsyeshëm kohor”.

Megjithatë, disa analistë besojnë se zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Turqisë në qershor të vitit 2023 mund t’i vonojnë kërkesat e vendeve nordike.

“Turqia do ta ratifikojë anëtarësimin e tyre kur të besojë se është momenti më i mirë për ta luajtur atë kartë”, thotë Ilke Toygur, profesoreshë e gjeopolitikës evropiane në Universitetin Carlos III në Madrid, Spanjë.

“Unë kam përshtypjen se shumë vende në NATO tashmë supozojnë se zgjerimi do të ndodhë vitin tjetër, madje ndoshta edhe në gjysmën e dytë të vitin të ardhshëm”, tha ajo për AFP.

“Supozohet se Turqia është gjithashtu duke tentuar të negoviojë për gjëra të tjera. Mund të bëhet fjalë për [avionët] F16. Mund të bëhet fjalë për marrëdhëniet e tyre me Rusinë”.

Senatorë amerikanë kanë kërcënuar me bllokimin e shitjes së avionëve luftarakë F16 për Ankaranë nëse Turqia nuk i jep fund mosmarrëveshjeve kufitare detare me Greqinë.

Turqia, që synon të mbajë marrëdhënie të mira edhe me Ukrainën, edhe me Rusinë, nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Moskës dhe ka marrë një sistem rus të mbrojtjes raketore, ndërkohë që e furnizon Kievin me dronë luftarakë.

“Mbetet të shihet nëse Erdogani mendon se ai ka mjaftueshëm shenja vullneti të mirë nga Suedia dhe nëse është në interesin e tij politik dhe ushtarak të shpallë fitoren, ose nëse mendon që vazhdimi në linjën e deritanishme do t’i shërbejë më mirë fushatës së tij elektorale”, tha një burim diplomatik evropian.

Ka ende “mundësi të arsyeshme” që Turqia t’i ratifikojë kërkesat për anëtarësim në NATO para zgjedhjeve të vitit 2023, tha burimi./REL

Pas