Vendi ynë do të marrë pjesë në “ITB Berlin 2023”, panairin më të rëndësishëm në botë për turizmin.
Në datat 7-9 mars, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, nën sloganin “Albania-All you need is here”, do të promovojë ofertat turistike që synojnë turizmin gjithëvjetor dhe të qëndrueshëm.
Kështu, ditën e nesërme kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro do të priten nga kancelari gjerman Olaf Scholz, për të vijuar me takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashivili në mjediset e ITB Berlin.
Më tej, aktiviteti do të vazhdojë me tryeza pune e takime me përfaqësues të industrisë gjermane të turizmit, donatorë, përfaqësues të sektorit privat dhe konferencë për shtyp për mediat gjermane.
Shqipëria përfaqësohet në këtë panair me stendën e saj zyrtare, ndërsa shumë shoqata dhe turoperatorë shqiptarë marrin pjesë po ashtu.
Gjatë vitit 2022, Shqipëria arriti 7.5 milionë vizitorë të huaj dhe synimi i radhës është turizmi i nivelit të lartë në standarde, i qëndrueshëm dhe gjithëvjetor./Opinion.al