Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi kërkoi angazhim maksimal nga strukturat dhe anëtarët e partisë së saj, pasi nuk ka më kohë. Sipas saj në qershor bashkë me zgjedhjet lokale mund të mbahen dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Strukturat e LSI kanë misionin e tyre, situata është e qartë, është flagrante kapja e segmenteve të shtetit, na duhet zgjimi i anëtarëve të LSI e duhet të jemi shumë të hapur ndaj një fluksi të jashtëzakonshëm që vijnë nga PS, që ndihen të zemëruar për shkak të mashtrimit. Shpjegimet e kryetarit të Kuvendit, janë larje e ndërgjegjes së tij se kemi kapje të kuvendit, kur ndalohet fjala e opozitës. Por, ky nuk është shkak që të protestojmë se nuk na u dha fjala, por një nga qindra elementët e kapjes së shtetit”.
Kryemadhi ka thënë se të gjithë duhet të jenë në rrugë për rrëzimin dhe largimin e Ramës.
“Detyra juaj është e qartë, nuk ka më kohë për të pritur, bëhuni gati për zgjedhje lokale, të përgjithshme, protesta, revolucion, koncerte për cfarë të doni ju, nuk ka asnjë sekondë për të pritur”- tha ajo.