Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka reaguar pas publikimit të 16 përgjimeve të reja nga gazeta gjermane ‘Bild’.
Sipas Kryemadhit dorëheqja e Ramës si Kryeministër është e pashmangshme. Sipas saj tashmë është provuar se në krye të masakrës zgjedhore është vetë Edi Rama.
“U provua hapur se Rama është kryeministër ilegjitim. U provua totalisht se zgjedhjet janë ilegjitime. U provua 100% vjedhja dhe manipulimi i zgjedhjeve dhe se Edi Rama personalisht është në krye të masakrës zgjedhore. Dorëheqja e menjëhershme e Ramës e pashmangshme”, tha ajo.
Në vazhdim të fjalët së saj Kryemadhi theksoi se largimi i Ramës është detyrim për të shpëtuar vendin nga kaosi.
“Largimi i Ramës detyrim për të shpëtuar Shqipërinë nga kaosi. Përçarja dhe konflikti i egër është synimi i vetëm i Edi Ramës. Opozita është me e vendosur se kurrë që të mos bëjë asnjë hap pas në luftën e saj për rikthimin e votës se lirë dhe për te pastruar rrënjësisht vendin nga krimi i organizuar, trafikantet dhe korrupsioni pa fre. Qëndresa e opozitës është shpëtimi i vetëm përballë qeverisë dhe Parlamentit të kriminalizuar”./Opinion.al/