Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi i ka bërë thirrje Prokurores së Përgjithshme të fillojë një procedim penal për “shpërdorim detyre” ndaj anëtarëve të KQZ.
Vendimi që është marrë sot nga Gjykata e Durrësit sipas Kryemadhit tregon se “KQZ ka shkelur hapur Kodin Zgjedhor dhe ligjin për partitë politike” që në fillim të procesit administrativ kështu që “gjithë veprimtaria e vendimmarrja e saj rezulton në shkelje të hapur të Kodit të Procedurave Administrative” shkruan ajo në Facebook.
Në të njëjtën linjë me aleatin e saj në opozitë, numri 1 i LSI shkruan se duke qenë se akti i parë administrativ rezulton i pavlefshëm atëherë kjo rrëzon të gjithë procesin.
“Pavlefshmëria absolute e aktit administrativ sjell pavlefshmëri absolute të të gjithë procesit në vijim” shprehet Kryemadhi.
Ajo më tej shtron pyetjen se kush do të mbajë përgjegjësi “për të gjithë dëmin ekonomik, juridik, moral, të krijuar nga veprimtaria e paligjshme e KQZ” dhe shton se Prokurorja e Përgjithshme duhet të veprojë duke filluar “menjëherë çështjen penale”. /Opinion.al