Partia Demokratike kërkon që kryebashkiakut të Matit, Agron Malaj t’i hiqet mandati.
Në një letër drejtuar KQZ-së por që i është dërguar edhe ambasadores amerikane Yuri Kim dhe ambasadorit të BE, Luigi Soreca, PD thekson se Malaj ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për tu zgjedhur në një funksion të lartë publik.
Tre ditë më parë Prokuroria mbylli hetimet për këtë çëshjte. Sipas verifikimeve të tyre doli se Malaj ka qenë i dënuar, gjë të cilën ai e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Por prokuroria thotë se vendimi për heqjen ose jo të mandatit i përket KQZ-së e cila duhet të vendosë nëse vepra për të cilën është dënuar Malaj ja bën atij të pamundur mbajtjen e detyrës së kryebashkiakut.
Kujtojmë se Agron Malaj ka qenë i dënuar për “Armëmbajtje pa leje” në vitin 1999.
Lidhur me këtë, PD i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të mblidhet dhe t’i heqë mandatin kryebashkiakut Malaj, pasi ai është dënuar për një vepër penale e cila sipas ligjit të dekriminalizimit nuk duhet t’i lejonte atij kandidimin në zgjedhje. /Opinion.al