Agjencia federale amerikane që ka për detyrë mbikëqyrjen dhe modernizimin e arsenalit bërthamor të Shteteve të Bashkuara do të dërgojë në pushim të detyruar nga puna pjesën më të madhe të stafit të saj që nga e hëna, për shkak të vazhdimit të bllokimit të qeverisë amerikane, ka njoftuar Departamenti i Energjisë.
Rreth 1400 punonjës të Administratës Kombëtare për Sigurinë Bërthamore (NNSA) do të marrin njoftime për pushim të detyruar, ndërsa më pak se 400 punonjës do të mbeten në detyrë për të garantuar sigurinë e arsenalit bërthamor, tha për CNN zëdhënësi i Departamentit të Energjisë, Ben Dietderich, përcjell A2. “Që nga krijimi i saj në vitin 2000, NNSA nuk ka pushuar kurrë punonjës federalë gjatë mungesave të financimit”, tha Dietderich. “Këtë herë, nuk kemi më zgjidhje tjetër. E kemi zgjatur financimin sa më shumë që kemi mundur”.
Pushimet do të prekin fillimisht qendrat ku montohen armët bërthamore, si Pantex në Teksas dhe Y-12 në Tenesi. Këto impiante kërkojnë ekipe të mëdha për prodhimin e armëve, ndaj mungesa e stafit do t’i detyrojë ato të hyjnë në një regjim “mbylljeje të sigurt”.
Sipas burimeve të brendshme të agjencisë, kontraktorët do të vazhdojnë punën vetëm në mënyrë minimale derisa të përfundojnë fondet e tyre. “Ritmi ditor i mbikëqyrjes federale, miratimet, monitorimi dhe kontrolli i kontraktorëve, do të ndalet plotësisht, sepse njerëzit përgjegjës do të jenë në pushim”, tha një burim tjetër i NNSA-së.
Faza e parë e ndërprerjeve do të nisë të hënën, por ndikimi më i rëndë pritet pas datës 28 tetor, kur pritet të mbarojnë fondet edhe për kontraktorët. Në atë moment, agjencia nuk do të jetë më në gjendje t’i dorëzojë armët Departamentit të Mbrojtjes. “Gjithçka do të bllokohet”, paralajmëroi një nga burimet e CNN.
Ndërprerja e operacioneve në mes të procesit të ndërtimit apo çmontimit të një arme bërthamore përbën rrezik të lartë teknik. “Ka disa hapa që duhen ndjekur për ta mbyllur në mënyrë të sigurt, dhe pastaj përsëri për ta rihapur”, shpjegoi burimi. “Nuk është si të ndezësh një dritë, kërkon kohë dhe kujdes”.
Për momentin, sipas burimeve të NNSA-së, nuk ka ndonjë kërcënim të menjëhershëm për sigurinë kombëtare. “Arsenali bërthamor është i besueshëm dhe mund të përmbushë funksionin e tij”, u shpreh njëri prej tyre. “Por nëse nuk mund të vazhdojmë modernizimin dhe mirëmbajtjen, besueshmëria e tij do të cenohet me kalimin e kohës”.
Ndërkohë, personeli i sigurisë që ruan impiantet dhe materialet bërthamore do të vazhdojë punën normalisht. Megjithatë, ndalimi i operacioneve në Pantex dhe Y-12 do të vonojë ndjeshëm projektet e modernizimit të armëve bërthamore të SHBA-së, një prioritet i rëndësishëm për Departamentin e Mbrojtjes. “Sa më gjatë të zgjasë mbyllja e qeverisë, aq më të rënda do të jenë pasojat për mbajtjen e stafit dhe për përpjekjet e modernizimit të armëve, të cilat janë thelbësore për sigurinë kombëtare”, shtoi Dietderich.
Në radhët e stafit të NNSA-së mbizotëron zhgënjim i thellë. “Ka shumë pakënaqësi dhe zhgënjim që Kongresi nuk ka arritur ende një marrëveshje”, tha një prej punonjësve. “Sidomos kur në lojë është siguria kombëtare e vendit”.