Kryesore

Kriza politike, Ilir Meta bën lëvizjen e radhës për zgjedhjet


               Publikuar në : 13:25 - 12/06/19 |
geliano fataj

Kur kriza politike ka hyrë në një tjetër stad, burime nga Presidenca thonë se kreu i shtetit do të nis sot konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së re të zgjedhjeve.

Takimet e para do të nisin sot në ora 19:00 me krerët e partive të Grupimit të Qendrës së Djathtë.

Të martën, në një konferencë për mediat, presidenti ripërsëriti se zgjedhjet për pushtetin vendor do të mbahen në një datë tjetër dhe jo më 30 Qershor, duke ju kundërpërgjigjur në këtë mënyrë qëndrimit të shumicës por dhe vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i cili nuk mori në konsideratë dekretin e tij për anulimin e datës. Kreu i shtetit u shpreh vendimet e tij mund t’i interpretojë vetëm Gjykata Kushtetuese.

Kreu i Shtetit, i bëri thirrje palëve që “ta lexojnë bashkarisht dhe me seriozitet Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të thellohen dhe të shfrytëzojnë këtë hapësirë kohore që u kam ofruar për gjetjen një zgjidhjeje urgjente për krizën, përfshirë dakordësimin e një date të re për pjesëmarrjen e të gjithëve në zgjedhjet vendore”.

Meta tha se vendimi i tij ishte ndikuar nga informacione të besueshme se të shtunën e kaluar, protesta e opozitës mund të shfrytëzohej nga grupe të caktuar “për akte që rrezikonin një konflikt destabilizues me pasoja për jetën, dhe shëndetin e qytetarëve, sigurinë publike dhe rendin kushtetues në vend”.

Ndaj Presidentit të vendit shumica e majtë ka nisur procedurat për shkarkim duke mbledhur firmat e nevojshme të të paktën 35 deputetëve, ndërkohë që të enjten në sallë do të ketë një seancë të gjatë debati për dekretin e tij të djeshëm.  Sipas projekt rezolutës së hartuar nga socialistët, vendimi i presidentit përbën “një akt të paprecedent”./ Opinion.al

 

Pas