Një delegacion i kongresit amerikan ka mbërritur në Tiranë dhe prej paradites së sotme po zhvillon takime me krerë të lartë të shtetit dhe politikës.
Delegacioni i përbërë nga shtatë kongresmenë amerikanë, kryesohet nga kryetari i Komisionit të Drejtësisë, Bob Goodlatte dhe i perber nga z. Steve King, z. Dave Trott, z. Matt Gaetz, z. Peter DeFazio, z. David N. Cicilline si dhe prej Ambasadorit të SHBA në Tiranë z. Donald Lu.
Rreth orës 17: 20 minuta, delegacioni mbërriti në selinë e Partisë Demokratike për të zhvilluar një takim më shumë se një orë me kreun e kësaj partie Lulzim Basha.
Në takim mësohet se u diskutua mbi zhvillimet e fundit politike në vend me fokus të veçantë në mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, avancimin e reformës zgjedhore, zbatimin e reformës në sistemin e drejtësisë, etj.
Më herët ata takuan me Presidentin në detyrë Bujar Nishani dhe Presidentin e zgjedhur Ilir Meta që shoqërohej prej Nënkryetares së Kuvendit, Valentina Leskaj, Nënkryetarit të Kuvendit, Shpëtim Idrizi, Kryetares së Komisionit të Jashtëm, Arta Dade, Kryetares së Komisionit të Ligjeve, Vasilika Hysi si dhe prej Ambasadores së Shqipërisë në SHBA, Floreta Faber./opinion.al