Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas përplasjeve për KZAZ-të, në disa bashki të drejtuara nga opozita, ka ndryshuar vendin. Në mbledhjen e sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me 4 vota”pro” dhe vetëm kryetari Zguri “kundër” kalimin e KZAZ-së nr.11 në Kukës nga palestra e shkollës në një hotel.
Drejtuesit e djathtë të bashkive prej ditësh po këmbëngulin në lirimin e mjediseve të cilat janë vënë në dispozicion të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për procesin e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit.
Sipas tyre, dekreti i Presidentit Ilir Meta për anulimin e 30 Qershorit duhet respektuar, e për pasojë nuk mund të ketë asnjë proces zgjedhor. Ndërkohë që KQZ e ka konsideruar të pavlefshëm vendimin e kreut të Shtetit dhe ka vijuar me përgatitjet e zgjedhjeve.
Tensione të forta u regjistruan dhe në Tropojë, ku mbështetësit e opozitës hynë brenda KZAZ-ës në qendër të qytetit.
Ndërsa në Shkodër përplasjet me policinë përfunduan mbrëmjen e së martës me thyerjen e xhamave në një shkollë të qytetit dhe vënien zjarr në mjediset ku ndodheshin materialet zgjedhore të një prej KZAZ-ve të Shkodrës./ Opinion.al