Kodi zgjedhor dhe ligjet që rregullojnë financimin e partive politike në vend kanë qenë gjatë dy dekadave të fundit produkt i marrëveshjeve dhe mosmarrëveshjeve të partive politike kryesore në vend – Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe pas vitit 2009 edhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Por edhe pse këto grupime politike kanë luajtur një rol kyç në hartimin e ligjeve dhe mbikëqyrjen përmes përfaqësueseve të tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ato mbeten shkelësit më të mëdhenj të procedurave ligjore që rregullojnë aktivitetet e fushatës elektorale dhe deklarimin e burimeve dhe shpenzimeve financiare – rregulla që synojnë të garantojnë një proces zgjedhor me standarte, të pandikuar nga grupet e interesit apo paratë e pista.
Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ishin tre nga shtatë subjektet politike të ndëshkuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me masa administrative që variojnë nga 1 milion deri në 2 milionë lekë, për shkelje të Kodit Zgjedhor ose të ligjit ‘Për Partitë Politike’ gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.
Këto masa administrative u morën pasi KQZ shqyrtoi në fillim të dhjetorit raportet e monitorimit të fushatës elektorale për 18 partitë politike që morën pjesë në zgjedhje. Nga këto 18 parti, vetëm 8 e kanë dorëzuar raportin financiar për fushatën zgjedhore brenda afatit ligjor në KQZ, ndërkohë dy parti politike – Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet si dhe partia Sfida për Shqipërinë nuk kanë bërë transparencë financiare.
Në total, KQZ ndërmori sanksione administrative kundër 7 partive që dështuan të respektonin ligjin nga 18 parti gjithsej që morën pjesë në zgjedhje. Përveç PS, PD dhe LSI, edhe Partia Social Demokrate dhe Aleanca Demokristiane e Shqipërisë morën nga 1 milion lekë gjobë. Një ndëshkim më të rëndë prej 2 milionë lekësh kanë marrë PDIU dhe Sfida për Shqipërinë, të cilat nuk kanë deklaruar fare të ardhurat dhe shpenzimet e fushatës.
Partia Socialiste
Sipas raportit të audituesit të pavarur mbi pasqyrat financiare të Partisë Socialiste për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, fushata e partisë së qendrës së majtë të udhëhequr nga kryeministri Edi Rama ka kushtuar 100.8 milionë lekë, nga të cilat 11.1 milionë ishin detyrime të papaguara për reklama dhe spote televizive kundrejt televizionit Top Channel.
Shpenzimet për reklamat televizive përbëjnë pjesën kryesore të shpenzimeve elektorale të Partisë Socialiste me 26.2 milionë lekë ose 26% të totalit të fushatës. Një zë tjetër i rëndësishëm në pasqyrat financiare të Partisë Socialiste është ai për eventet në hapjen dhe mbylljen e fushatës elektorale, të cilat arrijnë vlerën 30.3 milionë lekë ose 30.1 % të totalit.
Shpezimet për konsulenca zënë gjithashtu një pjesë të rëndësishme në shpenzimet e fushatës së Partisë Socialiste. Kjo e fundi ka lidhur dy kontrata konsulence gjatë zgjedhjeve me kompanitë ‘Ballard Partners’ dhe ‘Synclab LLC’ , të cilat janë paguar 16.2 milionë lekë në total nga arka e fushatës. Gjatë fushatës, Partia Socialiste ka regjistruar 11.9 milionë lekë shpenzime administrative, 5.5 milionë lekë shpenzime për qira zyre dhe 10.5 milionë lekë për flamuj, bluza dhe byzylykë.
Të ardhurat e Partisë Socialist gjatë fushatës kanë ardhur kryesisht nga fondet e partisë, buxheti i shtetit, si dhe donatorët dhe sponsorizimet. Nga buxheti i shtetit, Partia Socialiste ka marrë 28 milionë lekë, fondet e vetë partisë arrijnë vlerën 56.6 milionë lekë ndërsa donacionet kanë pasur një vlerë prej 9 milionë lekësh- nga të cilat 5.1 milionë lekë në vlerë monetare dhe pjesa tjetër nga dhurata në natyrë.
Shoqëria audituese ‘H Auditing’ ka arritur në përfundimin se pasqyrat financiare të Partisë Socialiste japin një ‘pamje të sinqertë’ të të ardhurave dhe shpenzimeve të kryera gjatë fushatës. Por ndryshe nga raporti i auditimit, raporti i monitorimit të shpenzimeve të fushatës së Partisë Socialiste – i kryer gjithashtu nga dy auditues të pavarur, evidenton një seri problemesh me shpenzimet e kryera nga partia e qendrës së majtë.
Raporti i monitorimit konstaton shkelje të ligjit ‘Për partitë Politike’, për sa i përket përdorimit të materialeve propagandistike. Monitoriesit kanë konstatuar gjithashtu se një pjesë e faturave të lëshuara për shpenzimet e fushatës nuk përmbushin dispozitat ligjore, ndërkohë disa lloje shpenzimesh për aktivitete elektorale janë të faturuara pjesërisht, ose faturat nuk specifikojnë se kujt aktiviteti i përkasin. Megjithë problemet e konstatuara, monitoruesit janë shprehur se shpenzimet dhe të ardhurat financiare të Partisë Socialiste gjatë fushatës kanë qenë transparente në tërësinë e tyre.
Më 12 dhjetor 2017, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur për të shqyrtuar rezultatet e verifikimit të fushatës së Partisë Socialiste, duke administruar raportin e auditimit të pasqyrave financiare dhe raportin e monitorimit të shpenzimeve të fushatës.
Duke iu referuar raportit të monitorimit të shpenzimeve të fushatës, KQZ ka konstatuar se Partia Socialiste ka shkelur në disa bashki ligjin “Për Partitë Politike”, përsa i përket afishimit të materialeve propagandistike dhe mosdeklarimit të disa zyrave elektorale në bashkitë Memaliaj, Përmet, Dropull dhe Tepelenë.
KQZ ka konstatur gjithashtu mospërputhje mes raportit të monitoruesve dhe deklarimit të Partisë Socialistë për disa aktiviteve në qytetet Sarandë, Durrës, Gramsh dhe Fier. Partia Socialiste gjithashtu nuk ka deklaruar shpenzimet e fushatës për kandidatët e saj. Si pasojë e shkeljeve të konstatuara, KQZ ka vendosur një sanksion administrativ prej 1 milionë lekësh kundër Partisë Socialiste.
Partia Demokratike
Sipas raportit të auditit mbi pasqyrat financiare të fushatës se partisë më të madhe opozitare në vend, Partia Demokratike shpenzoi një total prej 97 milionë lekësh për zgjedhjet e 25 qershorit – një shumë kjo e përafërt me Partinë Socialiste në pushtet. Pjesa kryesore e këtyre shpenzimeve përbëhet nga kostot e reklamave dhe spoteve televizive me vlerë 36 milionë lekë, si dhe transmetimet live të eventeve të fushatës në televizion me vlerë 16 milionë lekë. Ndërkohë, një zë tjetër i rëndësishëm në shpenzimet e Partisë Demokratike është dhe ai i konsulencave.
Raporti i auditit evidenton se Partia Demokratike ka shpenzuar 16.6 milionë lekë për disa kompani konsulence, ku përfshihen Barnes & Thornburg LLC me 12.1 milionë lekë, Clearpath Strategies LLC me 1.8 milionë lekë dhe Murphey Vogel Askew Rielly LLC me 2.2 milionë lekë.
“Me firmën Barnes & Thornburg LLP ishte lidhur një kontratë në shumën 150.000 USD por në fakt u realizua për shumën 100.000 USD, shumë e cila është paguar dhe njohur në shpenzimet e fushatës. Duke shfrytëzuar një klauzolë të kontratës, sipas drejtimit financiar të partisë, kontrata është ndërprerë deri në nivelin e kryer pa penalitete,” shkruhet në raportin e auditit.
Në raportin e auditimit të pasqyrave financiare të Partisë Demokratike nuk ka asnjë të dhënë mbi kompaninë lobuese “Muzin Capitol Partners LLC” apo ndonjë pagesë të mundshme të kryer për të. Në nëntor 2017, Muzin deklaroi në Departamentin amerikan të Drejtësisë se ishte paguar me 675 mijë dollarë për shërbimet e kryera ndaj Partisë Demokratike, 150 mijë dollarë prej të cilave i raportonte të paguara përmes kompanisë “Biniatta Trade LP”.
Të ardhurat totale të Partisë Demokratike, sipas raportit të auditit arrijnë vlerën e 131 milionë lekë, nga të cilat 22.8 milionë lekë janë donacione në natyrë për reklama dhe spote nga kompanitë mediatike Top Channel dhe Media Vizion, ndërsa diferenca vjen nga mbështetja financiare e buxhetit të shtetit për partitë politike si dhe fondet publike të shpërndara për fushatën elektorale.
“Donacionet nga kompanitë e mediave janë të dokumentuara me faturë tatimore dhe në secilën prej tyre është ndarë shërbimi me pagesë dhe shërbimi falas i kohës televizive,” shkruhet në raportin e auditit për pasqyrat financiare të fushatës.
Raporti i monitorimit të shpenzimeve për fushatën elektorale, gjithashtu ka konstatuar disa probleme me transparencën financiare te Partisë Demokratike. Monitoruesit kanë vënë re në raport se PD-së i mungojnë kontratat e qirasë për zyrat elektorale dhe faturat e shpenzimeve janë të padetajuara dhe si rrjedhojë nuk janë në përputhje me legjislacionin fiskal në fuqi. Raporti nënvizon gjithashtu se disa televizione private, përveç Top Channel dhe Vizion Plus, nuk i kanë faturuar PD-së kohën televizive falas, çfarë përbën një shkelje të kodit zgjedhor.
“Konkluzioni ynë nga monitorimi i zyrave elektorale, aktiviteteve te fushatës dhe shpenzimeve … është se fushata zgjedhore për Kuvendin e vitit 2017, i ka kushtuar Partisë Demokratike 96,716,436 lekë,” shkruhet në raportin e monitorimit.
Raportit i auditit dhe i monitorimit për fushatën zgjedhore të Partisë Demokratike është marrë në shqyrtim në KQZ më 12 dhjetor, si pjesë e procesit të verifikimit të financave të fushatës zgjedhore. Sipas KQZ-së, Partia Demokratike i ka zbatuar vetëm pjesërisht përcaktimet e ligjit ‘Për Partitë Politike,’ sepse nuk i ka miratuar dhurimet në natyrë sipas formatit të KQZ-së.
“Zyrat elektorale nga auditimi rezultojnë dhurime në natyrë si kontribut i individëve, të njohura si të ardhura nëpërmjet vlerësimit dhe jo kontratave dhe faturave të blerjeve apo dhurimeve,” shkruan KQZ në vendimin e saj.
“Dhurimet nuk janë regjistruar në regjistrin e posaçëm dhe dhuruesi nuk ka nënshkruar deklaratën e dhurimit,” shtoi Komisioni.
KQZ nënvizon gjithashtu se nga shqyrtimi i raportit të monitorimit të shpenzimeve të fushatës rezulton se nuk ka kontrata qiraje për zyrat që cilësohen si dhurim në natyrë dhe si rrjedhim dokumentimi i shpenzimeve të fushatës për sa i përket zyrave elektorale është në kundërshtim me ligjin ‘Për Partitë Politike.’
“Konstatimi i zyrave elektorale, referuar të dhënave të konstatuara nga monitorimi i tyre rezulton të jetë vlerësuar në shumën 1.738.853 lekë, shpenzim i padeklaruar në raportin financiar të Partisë Demokratike,” shprehet KQZ.
Sipas KQZ-së, Partia Demokratike ka në raportin e vet financiar shpenzime të padeklaruara për kompanitë e konsulencës.
KQZ nënvizon se nga krahasimi i të dhënave të raportit të monitorimit dhe raportit të auditimit të pasqyrave financiare të PD rezulton se ka të padeklaruara shpenzime të bëra për konsulencë me kompaninë Murphy Vogel Askew. Sipas raportit të monitorimit, edhe me kompaninë Barnes & Thornburg LLP ka të padeklaruar vlerën 6 milionë lekë. E njëjta mospërputhje midis raporteve shfaqet edhe për deklarimet e shpenzimeve në media, në vlerë 4.5 milionë lekë sipas raportit të monitorimit dhe në vlerën dhe 7 milionë lekë sipas raportit të auditimit.
Për shkeljet e konstatuara KQZ ka vendosur një sanksion administrativ prej 1 milionë lekësh ndaj Partisë Demokratike.
Lëvizja Socialiste për Integrim
Lëvizja Socialiste për Integrim është konsoliduar prej më shumë se një dekade si forca e tretë politike në vend, duke luajtur rolin e partnerit të vogël qeverisës në qeverinë ‘Berisha 2’ dhe ‘Rama 1,’ si dhe duke siguruar një elekorat prej 180 mije votuesish në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.
Sipas raportit të auditit të pasqyrave financiare të LSI për zgjedhjet e 25 qershorit, të ardhurarat e deklaruara nga LSI për zgjedhjet parlamentare arrijnë në 75 milionë lekë, nga të cilat 25 milionë vijnë nga fonde publike, 13.9 milionë nga persona fizikë, 24.3 milionë nga persona juridikë dhe 13.5 milionë nga vetë subjekti. Megjithatë, audituesi vë në dukje se nga të ardhurat publike, 1.4 milionë lekë janë transferuar pas datës 25 qershor 2015.
Ndërkohë gjatë fushatës LSI ka raportuar shpenzime prej 88.1 milionë lekë, nga të cilat 24.7 milionë lekë kanë qenë dhurata në natyrë dhe 9.2 milionë lek është borxh i papaguar. Audituesi ka konstatuar se subjekti ka deklaruar shpenzime të paguara në vlerë 54 milionë lekë, por nga të cilat nuk janë likuiduar brenda të së njëjtës periudhë 2.2 milionë lekë.
Në shpenzimet e fushatës të deklaruara nga LSI përfshihen 15 milionë lekë shpenzime administrative dhe 36 millionë lekë të lidhura drejtpërdrejt me fushatën, të cilat kanë shkuar për reklama, konsulenca, publikime, materiale promocionale dhe mitingje.
Sipas raportit të monitorimit të shpenzimeve të fushatës zgjedhore për LSI, ky subjekt politik ka refuzuar t’i japë në kohë informacion monitoruesve të ngarkuar nga KQZ.
“Dëshirojmë të theksojmë se gjatë gjithë periudhës së monitorimit jemi ndeshur me mungesën e dëshirës dhe disponibilitetit për bashkëpunim me personat e kontaktit të subjektit politik. Dokumentacioni dhe informacioni i nevojshëm për të realizuar detyrën, na është dhënë i paplotë duke sjellë pengesa të paarsyeshme dhe të panevojshme,” shkruajnë monitoruesit.
“Ky mision do të ishte më i plotë nëse subjekti politik do të na jepte në kohë dokumentat dhe informacionet e mëposhtme që nuk na u vunë në dispozicion me gjithë kërkesen tonë të përsëritur,” shton raporti.
Megjithë mungesën e bashkëpunimit nga LSI, monitorimi ka vazhduar dhe monitoruesit kanë arritur në përfundimin se nga ky subjekt janë bërë disa shkelje të ligjit ‘Për Partitë Politike’ dhe të kodit zgjedhor. Monitoruesit kanë konstatuar një prani të shtuar të zyrave elektorale dhe mungesë transparence për vendodhjen e tyre.
Sipas monitoruesve, LSI ka qenë jo transparente jo vetëm përsa i përket zyrave elektorale por edhe për shpenzimet e fushatës.
“Gjatë fushatës zgjedhore, deri në daten 25.06.2017, ne nuk mundëm të monitorojmë, verifikojmë, identifikojmë dhe grumbullojmë të dhëna për faturimet e shërbimeve dhe mallrave të subjektit politik në funksion të fushatës, sepse përfaqësuesja e subjektit politik nuk pranoi të na jepte kopje të shpenzimeve të faturuara me qëllim verifikimin e tyre në kohë reale me aktivitetin zgjedhor,” shkruhet në raport.
“Më pas na u vunë në dispozicion dokumenta, fatura, të cilat na rezultuan se nuk justifikonin plotësisht të gjitha aktivitetet zgjedhore,” shtojnë monitoruesit.
Sipas monitoruesve, një pjesë e shpenzimeve për qira, ndriçim apo foni gjatë eventeve elektorale janë fatuaruar pjesërisht, ndërkohë që mungojnë faturat për disa aktivitete elektorale në Shkodër, Kamëz, Sarandë, Lezhë dhe Lushnje.
“Konkluzioni ynë nga monitorimi i dokumentacionit financiar dhe i raporteve të shpenzimeve të përgatitura nga subjekti zgjedhor Levizja Socialiste për Integrim është se nuk ka transparencë të plotë në raportimin e shpenzimeve të kryera në zyrat elektorale , në aktivitetet elektorale për pasojë dhe burimet e financimit të tyre,” përfundojnë monitoruesit.
Ashtu si dhe për partitë e tjera që kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe kanë depozituar raportet financiare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me 12 dhjetor ka shqyrtuar raportin e monitorimit të shpenzimeve të fushatës dhe atë të auditit të pasqyrave financiare. Në vendimin e tij që bazohet në këto dy raporte, KQZ vë re se LSI në shumë rastë ka shkelur udhëzimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për materialet propagandistike.
Sipas KQZ-së, LSI ka të dokumentuara shpenzimet për vetëm 6 zyra elektorale nga 292 të identifikuara gjithsej.
“Kosto e përllogaritur për 286 zyra elektorale prej 16.302.000 lekë është konsideruar nga ekspertët financiarë, si shpenzim i padeklaruar nga ana e partisë politike,” shprehet KQZ.
KQZ gjithashtu shprehet se LSI nuk ka paraqitur dokumentacion financiar për shpenzimet e kryera për foni, ndriçim, organizim eventi, regji televizive, dekor dhe qira për disa nga aktivitet e saj elektorale gjatë fushatës.
Gjithashtu shpenzimet e LSI-së për konsulencë nuk janë deklarauar në mënyrë të rregullt. LSI ka fshehur “shpenzime konsulence në vlerën 1.4 milionë lekë plus tatim në burim në vlerën 429.340 lekë me kompaninë JPM Strategic Solution LLC USA”.
Ndërkohë, edhe pse në raportin financiar janë deklaruar 1.9 milionë lekë shpenzime konsulence për McKeon Group, KQZ nënvizon se LSI këtë pagesë ‘nuk e justifikon me dokumentacionin financiar sipas legjislacionit tatimor në fuqi.’
Gjithashtu sipas KQZ-së, në kundërshtim me kodin zgjedhor, LSI ka pranuar donacione në 6 llogari bankare të çelura në 3 banka dhe jo në një llogari të posaçme. Për të gjitha shkeljet e konstatuara, subjekti zgjedhor që në atë kohë drejtohej nga Presidenti Ilir Meta, është ndëshkuar me 1 milionë lekë gjobë.
BIRN