Deputeti Adem Hoxha, bashkëshortja dhe vajza e tyre e mitur janë sulmuar fizikisht të premten.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyçi, ka thënë se rreth orës 18:30, Policia është njoftuar nga QKMF-ja në Dragash se një person është paraqitur me lëndime trupore, të cilat i kishte marrë si pasojë e një përleshjeje të ndodhur në fshatin Zlipotok.
“Viktima, pas marrjes së ndihmës së parë, është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku sipas raportit të mjekut, ka pësuar lëndime të lehta trupore. Rastit i janë përgjigjur menjëherë patrullat e Stacionit Policor në Dragash si dhe njësiti i hetimeve, në bashkëpunim të ngushtë me hetuesit rajonalë, për shkak të ndjeshmërisë së rastit. Sipas informacioneve të para, viktimat janë: qytetari A.H, mashkull, bashkëshortja e tij dhe vajza e tyre e mitur”, ka theksuar Bytyçi.
Ai ka deklaruar se motivi i incidentit mbetet ende i paqartë. Në koordinim me prokurorin kujdestar Bytyçi ka thënë se është iniciuar rasti për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Sipas Bytyçit, i dyshuari ka thënë se është ndaluar me vendim të prokurorit për 48 orë.
Deri në momentin e publikimit të lajmit nuk është arritur që të kontaktohet deputeti Hoxha për të marrë një përgjigje lidhur me incidentin. Koha.net