Opozita në Kosovë ka dalë në mbrëmje në një komunikatë për shtyp ku e quan fitore pezullimin nga Gjykata Kushtetuese të marrëveshjes për Asosacionin e Komunave Serbe, nënshkruar midis qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Por opozita në Kosovë ndihet mosbesuese ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke premtuar aksione deri në finalizimin e rrëzimit të plotë të marrëveshjes.
“Ne kemi njëmijë arsye që të mos i besojmë Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk ka kredibilitet dhe është e kapur, por vetë fakti që presidentja u detyrua t’i dërgojë marrëveshjet atje, është tërheqje e pushtetit karshi presionit qytetar dhe të opozitës. Ne e kemi të qartë që kjo tërheqje ka për synim pamundësimin e fitores së plotë të opozitës, në kauzën e saj për tërheqjen e plotë të këtyre marrëveshjeve.
Është pikërisht Gjykata Kushtetuese ajo që paligjshëm ia vazhdoi PDK-së qëndrimin në pushtet dhe normalisht që nuk presim kurrfarë vendimi në mbrojtje të shtetit dhe Kushtetutës, nga një gjykatë e kapur. Pra, nuk do të ndalemi që të presim vendimet e saj. Përkundrazi, subjektet opozitare do të vazhdojnë aktivitetin e tyre në mënyrë edhe më intensive”, thuhet në deklaratën e opozitës në Kosovë.