Nga Serge Métais*
Gjykata e Posaçme për Kosovën e bëri publike aktakuzën e saj më 4 nëntor. Hashim Thaçi (presidenti kosovar, të cilit iu desh të jepte dorëheqjen) dhe tre ish-udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) akuzohen tani për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”. Ata ndodhen të burgosur në Hagë. Quhen përgjegjës për krime të cilat i paskëshin kryer ndërmjet marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në ca vende ku UÇK-ja paskësh mbajtur robër. Akuza paraqet një listë me nja pesëmbëdhjetë të tilla në Kosovë, mes të cilave disa posta policie që ajo kishte marrë nën kontroll, si edhe dy në veriun e Shqipërisë. Por më kryesorja është që në aktakuzë nuk gjen dot asgjë lidhur me trafikime të pretenduara organesh të marra nga robër serbë. Hetimi nuk ka nxjerrë dot asgjë për të mbështetur ndonjë akuzë. Na vërtetohet kështu se pretendimet lidhur me trafiqe organesh nuk paskan qenë veçse një poshtërsi e sajuar nga shërbimet e fshehta serbe dhe ruse.
Kjo shtron problemin se sa legjitime është Gjykata e Posaçme për Kosovën, e krijuar më 2015. Ajo është, në fakt, krijesë e një operacioni dezinformimi nga më të suksesshmit që prej shembjes së regjimeve komuniste. Udhëheqësve të Bashkimit Evropian ajo u ka mbetur sot në dorë. A mund ta lënë ata vallë këtë proces të vazhdojë duke bërë sikur të mos ketë ndodhur asgjë? Por, përpara se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, është mirë t’i kthehemi edhe një herë natyrës së këtij operacioni dezinformimi që ka çuar në ngritjen e Gjykatës së Posaçme. Qysh mbërritëm vallë deri në këtë pikë?
Dezinformimi, një armë lufte Për të kuptuar, duhet të rikujtojmë fillimisht se shërbimet e fshehta jugosllave kanë qenë të organizuara sipas modelit sovjetik. Ashtu si KGB-ja, edhe UDB-ja (Sigurimi i Shtetit jugosllav) ishte një polici politike. Këto shërbime nuk ishin vetëm organe shtypjeje dhe censure. Ato ishin gjithashtu të ngarkuara për të shkruar e rishkruar historinë, për t’u përcjellë dosje drejtuesve të medieve (të quajtura “organe informimi masiv”) duke u thënë atyre se qysh ishte më e udhës të interpretoheshin apo të paraqiteshin disa ngjarje. Ato kishin gjithashtu mundësi të kurdisnin operacione ose kurthe, të shkaktonin “ndodhi” me qëllim për të ndikuar mbi opinionin publik. Le të përmendim vetëm dy shembuj, sa për ta ilustruar këtë praktikë gjatë luftës së Kosovës.
I pari është çështja e “krematoriumit”, në gusht 1998: ushtria dhe forcat serbe të sigurimit sapo i kishin rimarrë UÇK-së lokalitetin e Kleçkës dhe, me atë rast, siç ua lypte puna, zbuluan aty një furrë gëlqereje nga e cila u nxorën disa eshtra e mbetje njerëzore të padjegura plotësisht. Dy të rinj shqiptarë, vëllezërit Mazreku, të paraqitur si “ushtarë të UÇK-së”, u arrestuan dhe “pranuan” që, së bashku me disa ushtarë të tjerë, kishin vënë në radhë disa dhjetëra serbë dhe i kishin pushkatuar. Trupat qenkëshin hedhur pastaj në furrë dhe duhej të zhdukeshin në gëlqeren e pashuar… Paskësh pasur, sipas komunikatës zyrtare, “22 civilë serbë të vrarë e të djegur në krematoriumin e gëlqeres”. Vijoi më pas një shfaqje mediatike e padëgjuar ndonjëherë, me praninë në terren të një hetueseje, me “lidhje drejtpërdrejt” në televizionin kombëtar serb dhe me paraqitjen e dy të rinjve “terroristë”, me pamje të shushatur, të cilët lëshonin fjalë të pështjelluara para mikrofonave dhe kamerave.
Më vonë do të mësohej se vëllezërit Mazreku ishin arrestuar më 30 korrik 1998, domethënë njëzeteshtatë ditë përpara asaj shfaqjeje të zbulimit të “krimit” të tyre. Mund të merrej me mend fare qartë që ata kishin qenë të droguar kur kishin folur para kamerave. Pasi u dënuan dhe u burgosën në Serbi, ata dolën më në fund të pafajshëm dhe u liruan në mars 2002. Shembulli tjetër është sulmi me armë nga njerëz me maska e të veshur me të zeza, në mbrëmjen e 14 dhjetorit 1998, në kafenenë Panda të Pejës, në Kosovë. Aty gjendeshin 13 të rinj serbë të ulur nëpër tryeza. U numëruan gjashtë të vrarë e tre të plagosur rëndë. Ngjarja ngjalli emocion të pamasë në Serbi dhe mes komunitetit serb në Kosovë. Disa terroristë kishin bërë një kasaphanë në një kafene të frekuentuar nga të rinj serbë!
Mbi njëqind të dyshuar u arrestuan fët e fët dhe iu nënshtruan marrjeve në pyetje. Gjashtë të rinj shqiptarë “e pohuan” anëtarësinë e tyre në UÇK dhe pjesëmarrjen në atë krim. Mirëpo, si përfundim, në mbarim të vitit 1999, ata u shpallën jo fajtorë dhe u liruan. Masakra e kafenesë Panda kishte qenë vepra e shërbimeve serbe të sigurimit. Aleksandar Vuçiç, sot president i Serbisë, asokohe zëvendëskryeministër, e pranoi publikisht këtë gjë gjatë një emisioni televiziv në fund të vitit 2013. Duke përmendur “vrasjen e gjashtë të rinjve serbë në kafenenë Panda më 1998”, ai deklaroi: “Nuk ka elemente që të provojnë që ai krim të jetë kryer nga shqiptarë ashtu siç mendonim ne”. Çështje të tilla si ato të “krematoriumit” e të kafenesë Panda kishin si qëllim që të ndreqnin disa “mangësi” për opinionin publik serb. Vërtet që luftëtarët shqiptarë mund të denoncoheshin si “terroristë”, mirëpo nevojitej edhe ca më shumë për ta prekur ndjeshmërinë e njerëzve. UÇK-ja ngrinte prita. Objektivat e saj ishin, në radhë të parë, policë, ushtarakë e paraushtarakë. Shqiptarët nuk e ushtronin terrorizmin e verbër që prek popullsinë civile.
Nuk bënin asgjë që të mund ta trondiste opinionin publik në Serbi e ta rreshtonin atë përkrah pushtetit, siç mund të ishin atentatet e neveritshme symbyllas apo krimet barbare! Çështja e trafiqeve të organeve është pjesë e të njëjtit avaz. Ajo është kurdisur më vonë, pas luftës, në fillim të viteve 2000. UÇK-ja u akuzua për ushtrim heqjeje organesh mbi robër serbë, në Shqipëri, në afërsi të Burrelit, në një “shtëpi të verdhë”. Ato organe paskëshin qenë për “eksport”, përmes aeroportit të Tiranës. Paskësh pasur qindra viktima. Krimi ishte i përbindshëm. Nuk dihet fort mirë se në cilin moment na qenkësh kryer. Mos vallë pas bombardimeve të NATO-s gjatë pranverës 1999, ndërkohë që në Kosovë po vendosej Misioni i Kombeve të Bashkuara? Na duhet të besojmë, gjithsesi, se ajo dosje ishte mjaftueshëm bindëse sa që prokurorja e GjPNJ-së (Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë), Carla del Ponte, ta merrte seriozisht dhe të urdhëronte një hetim në terren, në Shqipëri, më 2004.
Ky nuk gjeti asgjë. Mirëpo, pas largimit të saj nga Gjykata, ajo iu kthye sërish asaj çështjeje në kujtimet e veta të botuara më 2006, a thua se ishte fjala për një dosje pezull, e cila nuk qenkësh trajtuar me vëmendjen e merituar. Kaq mjaftonte që mekanizmi djallëzor të vihej sërish në lëvizje. Le të shkruante sa të donte Florence Hartmann, ish-zëdhënëse e prokurores (dhe ish-gazetare e Le Monde), se Carla del Ponte po ngrinte akuza “pa pasur as elementin më të vogël të ndonjë prove”. Bernard Kouchner, ish-kreu i UNMIK-ut (Misionit të Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë), e kuptoi më së miri se ku flinte lepuri. I pyetur nga një gazetar serb, në vitin 2010, gjatë një vizite në Kosovë, ai u përgjigj se ata që e kanë lëshuar këtë akuzë për trafik organesh të marra nga robër serbë “janë maskarenj dhe vrasës”. Rrethanat, në vitet 2008-2010, ishin në fakt të volitshme për suksesin e atij kurthi. Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj. Rusët dhe serbët ishin tërbuar dhe shumë vende evropiane ngurronin, duke mos qenë fort të sigurt për rrugën që duhej të ndiqnin lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Edhe sot e kësaj dite, për arsye që, siç mund të merret me mend, kanë të bëjnë me politikën e brendshme, një vend si Spanja nuk e njeh këtë pavarësi. Ofensiva u ndërmor, që në prill 2008, në Këshillin e Evropës. Rusët aty e shohin veten shpeshherë të bërë leckë për çështje që lidhen me respektimin e të drejtave të njeriut në vendin e tyre. Ata do të kishin një rast për ta përmbysur situatën. Një deputete ruse paraqiti një projektrezolutë për hetim mbi një “trafik të paligjshëm organesh njerëzore në Kosovë”. Pastaj erdhi, në fund të vitit 2010, raporti Dick Marty, të quajtur kështu sipas emrit të një anëtari të Dhomës së Lartë të Parlamentit zviceran, të zgjedhur si “liberal-radikal” nga kantoni i Tiçinos, ish-prokuror, anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Dick Marty është një nga ata që, në traditën leniniste, i quajnë “idiot i dobishëm”. Ai nuk ndan të njëjtin vizion me Partinë e tij, madje qëndron, objektivisht, në anën e armikut. Mirëpo, për arsye të pazbulueshme (antiamerikanizëm? ego? nevojë për t’u bërë i njohur në botë?), ai është i gatshëm që të bëhet zëdhënësi i çfarëdo kauze që Partia e ka për zemër. Për të, gjithçka filloi në vitin 2006 me një raport që paraqiti, para Këshillit të Evropës, rreth burgjeve sekrete të CIA-s në Evropë (në të cilat u mbajtkëshin xhihadistë). Është e lehtë të merren me mend intensiteti i punës hetimore që iu desh të bënte një parlamentari zviceran për një temë aq delikate, si edhe burimi i informacioneve të tij. Këshilli i Evropës i besoi atij më pas një mision informimi rreth situatës në Çeçeni, në Ingushi e në Dagestan.
Raporti për atë çështje, në vitin 2009, i dha atij mundësi që t’i falënderonte krerët e Sigurimit dhe të Drejtësisë të atyre republikave të Federatës Ruse ku ai mundi ta kryente hetimin e vet në frymën më të mirë të bashkëpunimit, ndonëse pohonte, nga halli për t’u treguar i pavarur, se “situata e pandëshkueshmërisë pothuaj të plotë për krimet e kryera prej përfaqësuesve të forcave të rendit në kuadër të operacioneve antiterroriste duket se vazhdon”. Me raportin Marty, kati i fundit i raketës së operacionit të dezinformimit ishte gati. Ndërkohë, siç e lypte puna, në vitin 2008, në Kosovë u zbulua një trafik i përnjëmendtë organesh: në klinikën “Medicus” në Prishtinë merreshin veshka nga dhurues, disa prej të cilëve vinin posaçërisht nga jashtë shtetit, kundrejt shpërblimit.
A mos ishte vallë ky një kurth ku ranë disa kirurgë shqiptarë të joshur nga fitimi? Veshkat u tha se u ishin riimplantuar disa pacientëve jashtë shtetit. Çështja “Medicus” i sillte në dukje një vërtetësi të jashtëzakonshme akuzës për trafik organesh të kryer nga UÇK-ja disa vite më parë. Ajo u shfrytëzua në mënyrën më të përshtatshme nga Dick Marty në raportin e tij “Trajtim çnjerëzor personash dhe trafik i paligjshëm organesh njerëzore në Kosovë”. Pikërisht mbi bazën e atij raporti, të miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, u vendos krijimi i këtij institucioni shumë origjinal që quhet Gjykata e Posaçme. Meqenëse gjykatat e Kosovës konsideroheshin si të paafta për të siguruar mbrojtjen e dëshmitarëve, u ra dakord për një krijesë hibride, gjysmë kosovare, gjysmë ndërkombëtare, një strukturë ad hoc e quajtur “Dhomat e Posaçme dhe Zyra e Prokurorit të Posaçëm”.
Duke qenë e emërtuar kështu, origjinaliteti i kësaj gjykate është se ajo duhet të gjykojë sipas legjislacionit të Kosovës, por selinë e ka në Hagë. Ajo financohet nga Bashkimi Evropian. Ndonëse është tërësisht e përfshirë në sistemin gjyqësor kosovar, personeli i saj (gjyqtarët dhe prokurori) përbëhet nga shtetas të Bashkimit Evropian, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Kanadasë. Tanimë e dimë që asaj nuk do t’i duhet të gjykojë rreth çfarë ka qenë themeli i krijimit të saj: trafikut të pretenduar të organeve. Por prapëseprapë ai kurth ka pasur sukses të plotë. Qëllimi i synuar nuk ka qenë dënimi mbi bazë provash të rreme. Suksesi qëndron te gjurma që do të lërë gënjeshtra: “Shpif, shpif, se përherë do të mbetet diçka!”.
Dhe në “pataten përvëluese”, sot në duart e udhëheqësve të Bashkimit Evropian: Gjykata e Posaçme për Kosovën. Të mos i vuajmë më pasojat e mashtrimit të madh Nevojitet urgjentisht që Bashkimi Evropian ta marrë vetë rolin udhëheqës lidhur me dosjen Serbi-Kosovë. Në vitet 1998-1999, i përçarë dhe i paaftë për t’i ndalur ato akte dhune që regjimi i Milosheviçit kryente në Kosovë, ai vetëm sa ndoqi vendimin amerikan. Më pas, ai e la veten të mashtrohej nga ky manipulim i shërbimeve të fshehta serbe dhe ruse, i cili çoi në krijimin e Gjykatës së Posaçme. Dhe nuk ka qenë në Evropë, por në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën mburojën e Donald Trump-it, vendi ku janë mbajtur negociatat e fundit ndërmjet serbëve dhe kosovarëve për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Serbia dhe Kosova janë dy shtete evropiane që kanë prirje për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian. Ato janë sot vende demokratike. Situata duhet të qetësohet. Dhe të jepen perspektiva të reja.
Ndjenja e padrejtësisë që provojnë kosovarët është e skajshme. Sado që në përgjithësi janë të mendimit se lufta e tyre ishte e drejtë, ata nuk shprehen aspak njëzëri në gjykimin që kanë rreth mënyrës se si ajo është zhvilluar. Dhe nuk diskutohet që nga UÇK-ja janë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit (në kuptimin që u jepet sot këtyre koncepteve). Mirëpo, qysh të gjykohen këto krime në një gjykatë ndërkombëtare pa u gjykuar njëherazi ato krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, mjaft të shumta në numër, masive dhe të mirëdokumentuara, të kryera në Kosovë nga forcat e sigurimit, ushtria dhe paraushtarakët serbë? Një vendim i arsyeshëm do të ishte që të mbyllen me shpejtësi Dhomat e Posaçme dhe Zyra e Prokurorit të Posaçëm dhe dosja e akuzës të transferohet në Kosovë.
Përderisa këto institucione përfshihen në sistemin gjyqësor kosovar, procesi thjesht do të delokalizohej. E thënë ndryshe, në qoftë se më parë konsiderohej që ai ishte delokalizuar në Hagë, tani ai do të rilokalizohej në Kosovë. Vetëkuptohet që personat e vënë nën akuzë do të liroheshin menjëherë dhe do të paraqiteshin të lirë para gjykatës. *) Serge Métais mban gradën doktor i shkencave ekonomike dhe ka qenë profesor në Universitetin e Menit, në Le Mans të Francës. Ai është bërë i njohur me artikuj të shumtë kushtuar, në veçanti, krizës polake dhe përpjekjeve për reforma në Bashkimin Sovjetik të kohës së Gorbaçovit. Përveç veprave të shkruara në fushën e ekonomisë, si Metoda sasiore të zbatuara në menaxhim (1993), ai është edhe autor i librit Histoire des Albanais. Des Illyriens à l’indépendance du Kosovo (Histori e shqiptarëve. Nga ilirët deri te pavarësia e Kosovës) të botuar në Francë më 2006 nga shtëpia botuese Fayard e të përkthyer edhe në shqip e në bullgarisht./ Opinion.al