Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) njoftoi të shtunën se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 765 raste me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.
Rezultatet janë në bazë të 1791 mostrave të testuara. Nga sëmundja COVID-19 kanë vdekur edhe 11 pacientë.
“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjilan 3 raste (71, 71, 69 vjeç), Prishtinë 3 raste (82, 68, 60 vjeç), Ferizaj 1 rast (50 vjeç), Gjakovë 1 rast (70 vjeç), Mitrovicë 1 rast (76 vjeç), Prizren 1 rast (77 vjeç), Vushtrri 1 rast (70 vjeç)”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së
Sipas të dhënave të IKSHPK-së, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 193 pacientë, ndërsa numri i rasteve aktive është 10.752.
Që nga fillimi i pandemisë më 13 mars të këtij viti, në Kosovë janë infektuar 28.616 persona prej të cilëve 17.055 janë shëruar ndërsa 809 kanë vdekur.